Ekipi i Partizanit në volejboll për meshkuj arriti këtë vit të fitojë Kupën e Shqipërisë, një sukses i jashtëzakonshëm, që vjen pas 38 vitesh. Sportistët dhe trajneri i tyre, Ylli Tomorri, bashkë me Drejtorin e Klubit shumësportësh Partizani, Shkëlqim Muça, u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Veliaj u shpreh se falë këtyre sukseseve, shumë të rinj dhe të reja po afrohen me ekipet zinxhir dhe po merren me sport.
“Jam shumë krenar për ju! Kishte kohë që nuk i kishim parë pallatet e sportit plot. Fakti që po mbushen shkallët e pallateve të sportit, dhe fakti që shumë të rinj po futen në ekipet zinxhir, fakti që kemi një ‘fidanishte’, ku djem, vajza të rinj, po ikin nga lokalet e nga interneti, nga iPadi, nga telefonat dhe po merren me aktivitet fizik, është një lajm i jashtëzakonshëm. Sigurisht, ju jeni sportist elitar, sot keni dy kupa, kupën e Shqipërisë, kupën “Gjergj Kastriot Skëndërbeu”, keni me shumë shpresë edhe trofeun më të madh që është kampionati kombëtar. Por, mbi të gjitha keni fituar kupën edhe kampionatin e të qënit qytetar. Sot nuk mjafton të jesh vetëm sportist i mirë, duhet të jesh edhe çun i mirë dhe qytetar i mirë, një model i mirë”, deklaroi Veliaj.
Ai siguroi sportistët se Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen financiare për ekipet sportive për të avancuar edhe në kupat europiane. “Jam vërtet krenar jo vetëm për dy kupat, edhe në pritje të së tretës, po me shpresë do të kemi ndoshta një plan edhe një buxhet që do të mbështetet nga Bashkia e Tiranës për të avancuar në Kupat Europiane”, deklaroi Veliaj.
Drejtori i Klubit shumësportësh Partizani, Shkëlqim Muça, vlerësoi kryebashkiakun për mbështetjen që i ka dhënë sportit dhe premtoi rezultate të larta në vazhdimësi.
“Falenderojmë kryetarin e Bashkisë për të gjithë mbështetjen që na ka dhënë në këto vite. Që nga viti 2019, kur ne kemi ardhur në varësi të Bashkisë, kemi qenë elitarë në këtë sport. Kemi fituar 2 herë titullin kampion, 2 herë titullin e Republikës, premtojmë që do t’i shtojmë sukseset. Kemi krijuar një akademi shumë të mirë me moshat dhe për këtë falënderojmë shumë kryetarin sepse na ka mbështetur për çdo kërkesë që kemi bërë. Shpresojmë që, në të ardhmen, të bëjmë një ekip elitar që të marrë pjesë në kupat e Europës dhe të japë rezultate pozitive”, nënvizoi Muça.
Edhe trajneri në volejboll për meshkuj, Ylli Tomorri u shpreh se po punohet shumë dhe për afrimin e komunitetit me sportin. “Ne premtojmë që sportin nuk do ta bëjmë si sport në veçanti,por do ta bëjmë që të jetë një sport argëtues për të gjithë komunitetin e Tiranës dhe për komunitetin volejbolldashës në Shqipëri. Ne jemi thirrur për të dy trofetë që kemi fituar, po nëse ne do të dalim kampion premtojmë që do të kemi një skuadër kompetitive dhe një skuadër luftarake dhe një skuadër të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Partizanin në Europë”, deklaroi Tomorri.