Kryebashkiaku Erion Veliaj

Veliaj ‘thumbon’ Armando Dukën: Sporti shqiptar nuk mund të jetë biznes i llumit

20 Janar 2022, 16:52| Përditesimi: 20 Janar 2022, 18:08

  • Share

TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka thumbuar ditën e sotme kreun e FSHF-së, Armando Dukën i cili është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të tentativave që po përpiqet të bëjë për të manipuluar zgjedhjet në futboll. Teksa rrëfeu për një takim që kishte pasur ditën e sotme me ish-kapitenin e Milanit, Gennaro Gattuso, Veliaj tha se ‘sporti shqiptar nuk mund të jetë biznesi i llumit’.

Gjatë takimit me përfaqësues të shërbimit TAXI në Tiranë, Veliaj tha se ka ardhur koha që të reformohet edhe sporti, ashtu siç shumë fusha në vendin janë reformuar.

“Teksa po nisesha për këtu, u takova me Gennaro Gattuson, kush është tifoz i Milanit e njeh, me të cilin kemi disa ide të mira. Mund të bëjmë që edhe sporti shqiptar, në vend që të jetë biznesi i llumit, të bëhet biznesi i elitës, sipërmarrja e elitës, e djemve dhe e vajzave të shkëlqyer. Kemi shumë nevojë që edhe në sport të bëjmë të njëjtin modernizim që kemi bërë me flotën e taksive elektrike. Kur shikon se me sportin shqiptar, në vend që të merret ‘kremi’, merret llumi, mendoj se sikurse kemi bërë reformën në shumë vende të tjera, duhet të vëmë dorë dhe aty”, tha Veliaj.

Kujtojmë se prej disa ditësh futbolli në vend ka hyrë në ‘ethet’ e zgjedhjeve në shoqatat rajonale, të cilat i paraprijnë Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila mbahet në pranverë dhe pritet të zgjidhet kreu i këtij institucioni për mandatin në vijim. Procesi i këtyre ditëve është karakterizuar nga parregullsi, falsifikim dokumentesh por edhe akuza ndaj FSHF se nuk po lejon garë. Madje procesi i zgjedhjeve në Durrës ka përfunduar në prokurori.

Erion Veliaj dhe Gennaro Gattuso

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?