Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zhvilluar një vizitë në Hagë ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Veliaj ka qenë i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ka qenë Hoxhaj i cili ka ndarë një foto me Veliajn përpëra Gjykatës Speciale. Hoxhaj shkruan se do të vijojnë të luftojnë për të fituat betejën e Kosovës në Hagë.
"Sot, takuam shokët tanë në Hagë! Bashkë me kryetarin e Tiranës, mikun tim, Erion Veliajn, vizituam shokët Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Si gjithnjë, të vendosur dhe plot vullnet për ta fituar betejën e Kosovës në Hagë, sepse atje po gjykohet lufta e lavdishme e UÇK-së dhe jo individi. Të pandalshëm e energjikë, do të dalin triumfues të kësaj vazhdimësie të luftës për liri dhe pavarësi të krerëve të UÇK-së", shkruan Hoxhaj.
Pas takimit me ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së në Hagë, kryebashkiaku Erion Veliaj thekson se beteja e drejtë për lirinë e Kosovës ndali genocidin ndaj shqiptarëve. Në një status në twitter, Veliaj shkruan se ajo betejë ndali spastrimin etnik nga ushtria serbe dhe solli çlirimin dhe pavarësinë e vendit.
“Me mikun e mirë Enver_Hoxhaj për të takuar e mbështetur vëllezërit tanë në Hagë Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e drejtuesit e UÇK-së. Beteja e drejtë për lirinë e Kosovës ndali genocidin ndaj shqiptarëve, spastrimin etnik nga ushtria serbe, solli çlirimin dhe pavarësinë e vendit”, nënvizon kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryebashkiaku Veliaj takoi sot në Hagë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Kjo e vizitë e Veliajt në Hagë vjen dy ditë pasi kryeministri Edi Rama iu drejtua Këshillit të Europës, ku kërkoi të zhbëhet raporti i Dick Marty-t. Nga Strasburgu, kryeministri Edi Rama e ka quajtur ‘fake news’ raportin e Dick Martyt për krimet e pretenduara se janë kryer nga drejtuesit e UCK-së gjatë luftës në Kosovë. Rama tha se ky raport ishte një dështim i turpshëm i diplomacisë ndërkombëtare, që duhet zhbërë pa humbur kohë.