Erion Veliaj

Politikë

Veliaj:Tiranës do i shtohen edhe 10 shkolla të reja, subvencionojmë çerdhet dhe kopshtet si asnjë vend tjetër në rajon

17 Janar, 15:18| Përditesimi: 17 Janar, 15:22

  • Share

Kryebashkiaku i Tiranës gjatë fjalës së tij në ceremoninë e çeljes së programit për Drejtuesit e Shkollave dhe Kopshteve, e zbatuar nga Shkolla e Drejtorëve, organizatë e mbështetur nga AADF, tha se Tiranës do t’i shtohen edhe 10 shkolla të reja.

Veliaj theksoi gjithashtu se në kryeqytet po ndërtohet një sistem i plotë me çerdhe, kopshte, dhe shkolla 9-vjeçare dhe të mesme.

 “Sot në Tiranë kemi ndërtuar 45 shkolla të reja, plus 109 kopshte dhe çerdhe; pra, si infrastrukturë kemi ecur goxha. Me investimet e reja, sidomos në zonat që i janë shtuar Tiranës, si lagjja ‘Rilindja’ [Astiri], Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik dhe gjithë zona mes Saukut dhe Farkës, kemi edhe një paketë tjetër për ndërtimin e 10 shkollave të reja. Pra, po maksimizojmë hapësirat që kemi për të ndërtuar një sistem çerdhe, kopësht, 9-vjeçare dhe të mesme, në mënyrë që fëmijët t’I kalojnë brenda lagjes, në një komunitet, të gjitha shkallët e arsimimit. Mezi pres që të nisim këtë vit hapjen e këtyre kantiereve të reja të punës”, tha Veliaj.

Më tej kryebashkiaku theksoi se ky vit do të jetë një vit me nisma të mëdha solidariteti.

“E kemi kthyer këtë vit në një vit të madh solidariteti. Filluam me abonenë falas për gjyshet dhe gjyshërit, duke menduar se në të shumtën e rasteve janë ata që i çojnë fëmijët në çerdhe dhe në kopshte. Por, ne subvencionojmë në raportin 7/1 edhe pagesën për çerdhet dhe kopshtet. Mbase shumica e njerëzve nuk e dinë, por nga një kosto prej 8 mijë lekësh në ditë, e cila përfshin të gjitha shpenzimet në kopshte dhe çerdhe, 7 mijë lekë i paguan bashkia. A mund ta bëjmë të gjithën falas? Edhe mund ta bëjmë, por në këtë fazë, duke paguar diçka fare të vogël, është më mirë për të thënë që kjo nuk është e pavlerë. Këtë subvencionim nuk e bën asnjë vend tjetër sot në rajon”, sqaroi Veliaj.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal nga e gjithë Shqipëria, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësues së AADF, donatorë dhe grupe interesi.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?