Velipoja ka çelur sezonin turistik ku kanë mbërritur turistet e parë vendas e të huaj. Rezervimet janë të kënaqshme për 3 muajt e verës, por shqetësim mbetet hapësira e vogël e plazheve publike dhe uji që shkon në çezma në orar të reduktuar.
Velipoja e ka nisur sezonin duke pritur turistë nga Gjermania e vende të tjera. Prenontimet janë të kënaqshme, ndaj pritet një sezon i suksesshëm.
Pushuesit shprehin shqetësim për hapësirën e pamjaftueshme në plazhet publike dhe ujin e pijshëm që shkon me orar të reduktuar.
“Kemi shtëpinë këtu dhe e shfrytëzojmë ne vere. Ne kemi ankesa jemi banorë dhe nuk na lënë një vend të caktuar për plazh publik e kanë cunguar kane ardhur deri tek pika e vrojtimit. Shqetësim tjetër mungesa e ujit në çezma, vjen një herë në ditë, por këtu duhet të ketë ujë 24 orë”, tha një qytetar.
Ndërsa turistët e ardhur nga Kosova tregojnë arsyet pse mbeten besnikë të këtij destinacioni turistik.
“Çdo vit vij këtu, dy here ne sezon më pëlqen pastërtia, këtë vit më mirë se vitet e tjera. Unë e zgjedh Velipojën për ujin e pastër dhe rërën me jod”, tha një pushues nga Kosova.
Operatoret turistike kane nisur prej javësh përgatitjet dhe shprehen të kënaqur me rezervimet.
“Velipoja gjatë fillimit të qershorit ka pasur vizitorë të huaj gjermane e zvicerane dhe italianë që janë të përhershëm. Po kthehet në turizëm elitar”.
“Bëj thirrje bashkisë, atyre që do marrin drejtimin e ri të kenë një koordinim më të mirë me bizneset për pjesën e pastrimit. Velipoja të ketë panoramë tjetër sa i përket pastrimit”, Lekë Marku, operator turistik në Velipojë.
Vetëm 35 km larg qytetit, Velipoja është kryefjalë e sezonit turistik për Shkodrën.