Mark dhe Jeffrey Epstein

Bota

Vëllai i Jeffrey Epstein: Dinte gjëra dëmtuese për Trump! Nuk kreu vetëvrasje, jam i sigurt për këtë

26 Korrik, 07:54| Përditesimi: 26 Korrik, 07:59

  • Share

Mark Epstein, vëllai i financierit, përgjigjet në telefon nga Florida. Promotor i pasurive të paluajtshme 71-vjeçar, Mark nuk beson se Jeffrey është vetëvrarë dhe ka kritikuar ministrinë aktuale të Drejtësisë dhe FBI-në për këtë. Dhe ndërsa Ghislaine Maxwell po merret në pyetje nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, ai thotë se do t’i kërkonte çfarë di për marrëdhëniet e vëllait të tij me Trump-in, “sepse Jeffrey tha se kishte informacione të dëmshme për të”.

“Por nëse dikush tjetër është i përfshirë, është problemi i tyre — deklaron Mark Epstein për Corriere —. Ajo që më intereson mua janë rrethanat e vrasjes së tij. Kushdo që sheh informacionet nuk beson se është vetëvrasje... është vrarë”.

Pse kaq i bindur?

“Kur vdiq, nuk më njoftuan, e mësova nga CNN në mëngjes se ishte gjetur i vdekur dhe se ishte një vetëvrasje e dukshme. Në fillim nuk kisha arsye të dyshoja. E pranova, imagjinova se e kishte bërë sepse rrezikonte të kalonte shumë kohë në burg. Nuk kishte fëmijë, prindërit tanë kishin vdekur prej kohësh, nuk duhej të shqetësohej për mua. Por ditën tjetër, kur më duhej të kthehesha në New York për të identifikuar trupin dhe bënë autopsinë, mjekja ligjore e qytetit, Kristin Roman, që kreu autopsinë bashkë me Michael Baden për llogarinë time — sepse duhej të shkruaja se patologu im ishte i pranishëm— të dy dolën nga autopsia duke thënë se nuk mund ta përcaktonin si vetëvrasje sepse dukej shumë si një vrasje. Atëherë gjërat ndryshuan. Jeta ime do të kishte qenë më e thjeshtë nëse do të dilnin duke thënë: “Po, është vetëvrasje”, por nuk mundën. Prandaj në certifikatën fillestare të vdekjes, tek rubrika “shkaku i vdekjes” është shkruar: “Në pritje të studimeve të mëtejshme”. Disa ditë më vonë, Barbara Sampson, mjekja ligjore kryesore, tha se ishte vetëvrasje, pa shpjeguar se cilin ekzaminim kishte bërë. Dhe ta kemi të qartë: ajo nuk e ka parë kurrë trupin. Çfarë e çoi atë në këtë vlerësim? Ishte Bill Barr (atëherë Prokuror i Përgjithshëm nën Trump), që tha se kishte parë videon dhe se askush nuk mund të hynte në atë kat të burgut, duke anashkaluar që kishte edhe 12 të burgosur të tjerë në atë kat që mund ta kenë vrarë Jeffrey-n? Dhe ka shumë gjëra të tjera...”

Ju keni kërkuar të shihni intervistat që Steve Bannon i bëri vëllait tuaj në 2019 (disa muaj para arrestimit) për një dokumentar që ende nuk ka dalë. Pse?

“Kam parë njërën nga videot sepse ma kishte dërguar Jeffrey. Më kishte përcjellë një email që kishte marrë nga Bannon me një link në Dropbox të një prej këtyre video-intervistave, në të cilën Jeffrey thoshte se kishte ndalur së takuari Trump-in sepse kishte kuptuar që ishte një mashtrues. Pas vdekjes së Jeffrey-t, kontaktova Bannon-in, doja të shihja regjistrimet e tjera, por nuk më përgjigjet më”.

Në njërën prej atyre videove, që është shfaqur në një trailer, vëllai juaj thotë se njerëzit në burg priren të vetëvriten.

“Është vetëm një gjë që ka thënë, një gjë e vërtetë, por nuk do të thotë se e ka bërë”.

Departamenti i Drejtësisë po interviston tani Maxwell-in. Çfarë mund të thuhet?
 

“Thelbi është se çfarë do t’i pyesin? Po përpiqen të marrin meritat që kanë folur me të, por a do të shohim transkriptet e bisedës? Dhe nëse e pyesin vetëm cili është ngjyra e saj e preferuar dhe çfarë ka ngrënë për mëngjes, dhe pastaj thonë “nuk kemi marrë informacione të dobishme”? A e kanë pyetur nëse e ka parë Trump-in në zyrën e Jeffrey-t? Edhe nëse ai e mohon, të gjithë e dimë që ka qenë atje”.

A do ta thotë të vërtetën Ghislaine?

“Nuk di asgjë më shumë se çfarë dinë të gjithë, që është në burg dhe është akuzuar për dëshmi të rreme, por nuk di çfarë mund të thotë apo të dijë. Shikoni, Jeffrey ka thënë se kishte informacione të dëmshme për Trump-in: ndoshta ajo di për çfarë bëhej fjalë. Nuk e di nëse do t’ia kërkojnë. Është interesante që kryetari i Dhomës, Mike Johnson, ka thënë se Ghislaine ka shumë arsye për të gënjyer, duke rrëzuar dëshminë përpara se ajo të fliste. Mendova: pse nuk e dëgjon më parë para se të gjykosh? Mendoj se po përgatiste terrenin, që nëse ajo thotë diçka të dëmshme, të mund të thotë që është një gënjeshtër. Është gjithçka aq e ndyrë, nuk është transparente... Nuk e di çfarë do të thotë. Nuk flas me të prej dekadash. Në vitet ’90 e shihja shpesh Jeffrey-n dhe atë, pas 2004-ës jo më”.

Çfarë ndodhi në 2004?

“Vdiq nëna ime, babai kishte vdekur në ’91. Më parë unë dhe Jeffrey shiheshim më shpesh. Pas kësaj, jo më. Nuk kishte armiqësi, por kishim jetë të ndryshme. Të dy udhëtonim shumë, nuk kishte shumë arsye për t’u parë, por gjithmonë ishim në kontakt me email ose në telefon”.

A e dinit për marrëdhëniet e tij me të mitura?

“Na e kishte fshehur. Dija që dilte me shumë vajza, por jo gjithë situatën”.

Besoni se ishte fajtor për trafik të të miturave?

“Detyra ime nuk është të mbroj Jeffrey-n, nuk jam as avokat mbrojtës e as Prokuroria. Ajo që di është se trafik seksual është kur çon një të mitur në një shtet tjetër për të kryer marrëdhënie seksuale. P. Diddy është akuzuar për trafik për prostitucion, që është ndryshe. Jeffrey është paditur për trafik: fajtor për marrëdhënie me vajza të mitura. Nuk mund të gjykoj asgjë tjetër, por e di që ai ishte fajtor për marrëdhënie seksuale me vajza të mitura sepse ma tregoi mua. Kur përfundoi në telashe, më tha se ishte për marrëdhënie me të mitura. Tha që kishte qenë budalla”./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?