Shtetet anëtare të Grupit G20, i cili përbehet nga vendet e pasura dhe me ekonomi të zhvilluar, kanë premtuar më shumë se 21 miliardë dollarë në luftën kundër koronavirusit.
“Grupi G20, i ka koordinuar përpjekjet ndërkombëtare për të përkrahur luftën kundër pandemisë Covid-19. Deri më tani, anëtarët e Grupit G20 dhe shtetet e ftuara kanë premtuar për më shumë se 21 miliardë dollarë për ta përkrahur financimin e shëndetësisë botërore”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.
Këto para do të shfrytëzohen për diagnostikim, vaksina, terapi dhe hulumtime, sipas deklaratës.
Në muajin prill, ky grup u bëri thirrje të gjitha shteteve, organizatave joqeveritare, grupeve të bamirësisë dhe sektorit privat që të ofrojnë ndihmë për ta përmbushur mungesën financiare të rreth tetë miliardë dollarëve për ta luftuar pandeminë.
Arabia Saudite, e cila udhëheq Grupin G20, ka premtuar se do të dhurojë 500 milionë dollarë për luftën kundër koronavirusit.