Përplasja me emigrantët

Bota

Vendet në kufi me Bjellorusinë: Kriza e emigrantëve rrezikon përplasje ushtarake

11 Nëntor 2021, 16:04| Përditesimi: 11 Nëntor 2021, 16:08

  • Share

Vendet në kufi me Bjellorusinë shprehën të enjten shqetësimin se një krizë mbi numrin në rritje të emigrantëve që po përpiqen të depërtojnë drejt Bashkimit Evropian, mund të përshkallëzohet në një përplasje ushtarake.

Lituania, Estonia dhe Letonia dënuan "përshkallëzimin e qëllimshëm të sulmit në disa fronte nga ana e regjimit bjellorus", që siç thanë ata "përbën kërcënim serioz për sigurinë evropiane". Autoritetet e këtyre vendeve akuzuan Bjellorusinë se po i përdor emigrantët si armë.

"Kjo rrit mundësinë e provokimeve dhe incidenteve serioze që mund të përhapen edhe në fushën ushtarake", thuhej në një deklaratë të përbashkët të ministrave të mbrojtjes të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.

Autoritetet në Varshavë thanë të enjten se sërish gjatë natës emigrantët e bllokuar brenda Bjellorusi, hodhën gurë e mjete rrethanore mbi rojet kufitare polake në një përpjekje për të prishur një gardh me tela me gjemba e duke tentuar të hyjnë me forcë në Poloni.

BE-ja mund të vendosë sanksione të reja ndaj Bjellorusisë duke nisur nga dita e hënë.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, tashmë nën sanksione lidhur me shtypjen e protestave opozitare, kërcënoi se do të hakmerrej ndaj çdo mase të re, përfshirë mbylljen e tubacioneve të gazit natyror që kalojnë tranzit nëpërmjet Bjellorusisë. Tregu evropian i gazit, ku çmimet kanë arritur nivele rekord në javët e fundit, do të ndikohej shumë nga çdo ndërprerje e transportimit të gazit rus nëpërmjet Bjellorusisë.

Kriza ka ndezur një përplasje të re mes Perëndimit dhe Rusisë. Kjo e fundit dërgoi të mërkurën dy bombardues strategjikë me kapacitete bërthamore për të patrulluar hapësirën ajrore të Bjellorusisë në shenjë mbështetjeje për aleatin e saj. Bjellorusia tha se avionët rusë kryen stërvitje për të dytën ditë të enjten.

"Po, këta janë bombardues të aftë për të mbajtur armë bërthamore", tha zoti Lukashenko. "Ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duhet të shohim se çfarë po bëjnë ata atje, përtej kufijve".

Ai tha gjithashtu për median shtetërore të vendit se po bëheshin përpjekje për të armatosur migrantët, po pa dhënë asnjë provë. Mbetet e paqartë se kë po akuzonte zoti Lukashenko me këtë deklaratë.

Kremlini tha se Rusia nuk ka asnjë lidhje me tensionet në kufi dhe shtoi se prania e personave të armatosur rëndë nga të dyja palët, një referencë e dukshme për rojet kufitare bjelloruse dhe polake, ishte një burim shqetësimi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?