Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani ka zhvilluar një vizitë ditën e sotme në Suedi, ku është pritur nga homologu i tij, Tobias Billström.
Dy ministrat diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve si dhe mundësitë dhe mënyrat e intensifikimit të bashkëpunimit, duke u fokusuar kryesisht në aspektin e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve.
Duke u ndalur në situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ministrat Hasani dhe Billström, nënvizuan nevojën që NATO dhe Bashkimi Evropian të mbajnë fokusin në rajon, të parandalojnë ndikimin e aktorëve të tretë dhe përballjen me dizinformimin dhe sulmet hibride.
Gjatë qëndrimit dyditor në Stokholm, Ministri Hasani u takua dhe me deputetët e parlamentit suedez me origjinë shqiptarë, Adnan Dibrani, Alba Kokalari dhe Aida Birinxhiku. Kryediplomati shqiptari uroi deputetët Dibrani e Kokalari për zgjedhjet e tyre në Parlamentin Evropian.
Ministri Hasani u prit gjithashtu nga kryetari i parlamentit, Andreas Norlen, Ministrja për Çështje të Bashkimit Evropian, Jessika Rosëall dhe grupi parlamentar i miqësisë për Ballkanin Perëndimor.
Në mbyllje të vizitës në Suedi, Hasani zhvilloi një vizitë në kompaninë e telekomunikacionit “Ericsson”, e krijuar në vitin 1876.
Ministri Hasani u ndal në rëndësinë e dixhitalizimit dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me kompanitë prestigjoze evropiane në këtë sektor.
Ai theksoi se kombet me të njëjtin mendim duhet të përshpejtojnë zhvillimin dhe adoptimin e teknologjisë për të siguruar një të ardhme konkurruese për të gjithë.