Këngëtarja e njohur shqiptare, Vesa Luma është kthyer së fundmi me bashkëshortin e saj, reperin Big Basta, nga Zelanda e Re për disa ditë pushimi në Shqipëri.
Prej më shumë se gjashtë vitesh Vesa Luma është shpërngulur në Zelandë të Re, së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj Lianin.
E distancuar totalisht nga muzika, skena dhe Shqipëria ajo është rikthyer për pak kohë dhe me këtë rast ka qenë e ftuar në një podkast ku ka folur për jetën e saj të re në Zelandë.
Këngëtarja e hitit “Jemi dhe s’jemi” ka folur hapur publikisht për katër vitet e fundit të jetës, për lidhjen e fortë me Big Bastën dhe sa inkurajues dhe shok i mirë ka qenë ai për të në rrugëtimin e tyre bashkëshortor.
Ajo ka treguar se si jeta në një vend përrallash i ndryshoi asaj humorin. I dha qetësinë, por i mori frymëzimin.
Ajo është shprehur se familja dhe të afërmit e saj i janë gjendur pranë në këto momente të vështira.
“Nuk kam më frymëzim. Ndoshta ishte një depresion i vogël, por kam pasur ndihmën e nënës, e cila është psikologe dhe të motrës, psikologe gjithashtu. Dalëngadalë ndjehem që jam më e fortë”, shpjegoi Vesa.
Luma u shpreh se e kupton se Instagrami, shpesh është një spektakël fotografish të lumtura, të bukura, por që na gënjejnë për lumturinë e të tjerëve.