Pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dorëzoi listën e renditjes së kandidatëve, Gjykata e Lartë do të mblidhet më 30 shtator, në orën 09:00, për të zgjedhur anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese. Zëvendësuesi i Holta Zaçajt si anëtare e kësaj gjykate, do të zgjidhet mes anëtarit aktual të Gjykatës së Lartë Asim Vokshi, ish kryetares së KLGJ Naureda Llagamit dhe ish-komisionerit publik në procesin e vettingut, Florian Ballhysa.
Këta tre emra kanë marrë më shumë pikë nga 6 kandidatët që kanë mbetur në garë. Vokshi kryeson me 89.5 pikë, Llagamin me pak diferencë pas tij me 89.3 pikë dhe Ballhysa me 77.83. Pas tyre, kandidatët Alma Faskaj, Genta Tafa dhe Alban Toro, që të paktën për këtë procedurë emërimi digjen.
Anëtari i zgjedhur do të zëvendësojë vetëm mandatin e Zaçajt si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës do të nisin menjëherë më pas.
Gjykata e Lartë është institucioni i emërtesës. Aktualisht janë 17 gjyqtarë të lartë, dhe që mbledhja e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e ligjshme duhet të marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e tyre, pra 13 anëtarë. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur.
Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pra Asim Vokshi, konsiderohet i zgjedhur.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Lartë njofton se, pas depozitimit në datën 23.09.2025 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) të raportit dhe listës së renditjes së kandidatëve për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, vend i shpallur nga Gjykata e Lartë në datë 11.12.2024, ka ndërmarrë hapin e radhës në këtë proces institucional.
Në mbështetje të dispozitave ligjore dhe rregullores përkatëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Mbledhja do të zhvillohet më 30 shtator 2025, ora 09:00, pranë ambientëve të Gjykatës së Lartë, me qëllim zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Komente
