Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që nuk i lejoi ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pjesëmarrjen në varrimin e babait të tij.
Basha e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe çnjerëzor, duke e konsideruar një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe një goditje ndaj standardeve të drejtësisë që, sipas tij, kjo gjykatë pretendon të përfaqësojë.
“Jam i revoltuar nga lajmi se gjykata ka refuzuar t’i lejojë presidentit Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Ky është një vendim i padrejtë dhe çnjerëzor, që përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe vë në pikëpyetje standardet e drejtësisë që kjo gjykatë pretendon të përfaqësojë,” -u shpreh Basha.
Ai shtoi se ndan dhimbjen me Thaçin në këto momente të vështira dhe se pamundësia për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit është një plagë e rëndë për çdo njeri.
“Në këto momente jam me zemër dhe mendje pranë Hashim Thaçit. Dhimbja e tij është dhimbja ime dhe e çdo bir shqiptari, e tashmë rëndohet edhe më shumë nga pamundësia për ta përcjellë babain e tij në banesën e fundit. Ngushëllimet më të ndjera për Hashim Thaçin dhe familjen e tij. Pusho në paqen e Zotit, Baci Haxhi!” – përfundoi Basha.
Lajmi kryesor:
Specialja nuk lejon Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e të atit! Rama: Tribunal i turpshëm dhe pa turp! Veteranët e UÇK-së: Ndërkombëtarët të reagojnë
A.Q/ReportTv.al