Federata Serbe e Futbollit (FFS) ka vendosur që për ndeshjen kundër Shqipërisë e cila luhet në Leskovac më 11 tetor dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, të mos nxjerrë në shitje asnjë biletë për tifozët e vet. Federata serbe bën me dije se siguria vjen në plan të parë dhe frika se mos huliganët serbë shkaktojnë trazira si më 14 tetor 2014 në Beograd, ka bërë që edhe tifozët të jenë të kontrolluar.
FIFA ka dënuar Serbinë me reduktimin e 20 përqind të kapacitetit të stadiumit në Leskovac dhe 6500 tifozët serbë që do jenë prezent, do përzgjidhen nga shkollat e futbollit, federatat rajonale, klubet e të rinjve dhe prindërit e tyre.
Hyrja në stadiumin e Leskovacit do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara në mënyrë strikte dhe me inspektimin e një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, në përputhje të plotë me standardet më të larta të sigurisë.
Në një marrëveshje reciproke mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë miq, kjo për shkaqe sigurie, pasi ky duel është më shumë se një ndeshje futbolli.
Duke marrë shkas nga ngjarjet e 14 tetorit 2014 në Beograd, kur një grup huliganësh serbë u futën në fushë dhe dhunuan futbollistët e kombëtares shqiptare, këto masa janë më shumë se të nevojshme, ndërsa UEFA dhe FIFA e kanë cilësuar sfidën me rrezikshmëri të lartë duke dërguar dy oficerë sigurie.
"Komiteti i Çështjeve Emergjente i FSS-së ka vendosur që nuk do të ketë bileta në shitje për ndeshjen e ardhshme midis Serbisë dhe Shqipërisë që do të luhet më 11 tetor në stadiumin 'Dubocica' në Leskovac.
Pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet duke shpërndarë bileta për komunitetin e futbollit përmes shpërndarjes tek shoqatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit dhe shoqërimi i tyre prindëror, organizatat profesionale të futbollit, sponsorët zyrtarë dhe të ftuarit e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të medias, si dhe ekipet mjekësore dhe të tjera të nevojshme për zbatimin e ndeshjes.
Hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara në mënyrë strikte dhe provë identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, në përputhje të plotë me standardet më të larta të sigurisë", thuhet në vendimin e Federatës Serbe të Futbollit.
Komente
