“Ne do ta mbështesim integrimin”/ Tabaku në Komisionin e Çështjeve Europiane: Ndodhemi ende larg, po ky është një proces për shqiptarët, jo për politikën

30 Shtator, 09:36| Përditesimi: 30 Shtator, 16:36

  • Share

TIRANË-Jorida Tabaku, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane ka mbajtur fjalën ditën e sotme gjatë seancës së radhës. Deputetja e PD-së ka vendosur theksin në disa pika kryesore. Nga ana tjetër Tabaku tha se Partia Demokratike do ta mbështesë avancimin për procesin e integrimit të Shqipërisë. Sipas saj, ky është një proces për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo për politikën. 

Tabaku: Balanca e pushteteve dhe respektimi i shtetit ligjor janë sot në rrezik Janë mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike, ku shpesh korrupsioni dhe shkeljet ligjore janë mbrojtur përmes forcës së shumicës parlamentare, duke thyer parimin e ndarjes së pushteteve dhe duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Fatkeqësisht, akte të tilla shkelin qartësisht kapitujt e sundimit të ligjit dhe provokojnë një krizë kushtetuese të pakuptimtë. Mandatet e deputetëve në Kuvend janë të barabarta dhe nuk mund të trajtohen me standard të dyfishtë.

 Për herë të parë Shqipëria ka cënuar shkeljen e MSA me mos respektimin e nenit 79 të tij ku kalojnë ligje me porosi që cenojnë konkurrencën dhe procesi prokurues është ndër më korruptivët në vend. Më lejoni të përmend këtu një listë të gjatë të ligjeve me porosi për të cilat kam njoftuar dhe PE dhe Komisionerin duke nisur nga ai i Investimeve Strategjike dhe duke përfunduar tek ai i Zonave të Mbrojtura.

Ndërsa vendi përgatitet të përfshihet në tregun e përbashkët rajonal dhe më tej atë Europian, raportet e ndryshme mbi klimën e  mjedisit të biznesit në Shqipëri flasin se bizneset vazhdojnë të përballen me sfida të lidhura me korrupsionin, mungesën e transparencës dhe problemet që vijnë nga ekonomia informale dhe zbatimi i dobët i kontratave. Gjatë katër viteve të fundit, këto sfida kanë vazhduar të ndikojnë negativisht në mjedisin e biznesit, me investitorët që shpesh citojnë korrupsionin në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike si pengesa kryesore për investimet dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Korrupsioni sistemik ndikon në mënyrë shumë të thellë strukturat e qeverisjes, duke krijuar varësi të ngushta midis politikës, biznesit dhe grupeve të interesit. Kjo formë e korrupsionit përbën një kërcënim të madh për sundimin e ligjit dhe demokracinë, pasi përqendron pushtetin dhe burimet në duart e pak individëve, duke penguar konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e mirë.

Një shtet i korruptuar është produkt i një lidhjeje të ngushtë mes kapjes së institucioneve të qeverisjes nga grupet kriminale. Lidhjet e tyre të forta me njerëz të rëndësishëm në drejtimin e policisë dhe jo vetëm, dëshmojnë një lidhje të fortë mes krimit të organizuar dhe politikës, që shfaqet si në favore penale ashtu edhe në ato përmes tenderave dhe jo vetëm.

 Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në lidhje me flukset financiare të paligjshme (IFF), të nxitura nga korrupsioni i përhapur, rritja e organizatave kriminale, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave përmes transaksioneve tregtare. Gjatë periudhës 2020-2022, Shqipëria përjetoi dalje të konsiderueshme të flukseve financiare të paligjshme, që përfaqësonin 2.16% të PBB-së, ndërsa flukset e paligjshme hyrëse përbënin 0.84% të PBB-së.

Abuzimi me pushtetin publik për përfitime personale është një faktor kryesor në gjenerimin e IFF-ve, ku praktikat korruptive janë të rrënjosura në shumë sektorë. Këto praktika shpesh përfshijnë transaksione financiare ndërkufitare, duke vështirësuar luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni i nivelit të lartë është veçanërisht i përhapur, me figura politike që shpesh përfshihen në veprimtari korruptive, duke përdorur pasuri të patundshme dhe llogari jashtë vendit për pastrimin e fondeve të paligjshme. Efektet ekonomike të këtyre veprimtarive janë të mëdha, me faturime të rreme në eksportet dhe importet shqiptare që arrijnë mesatarisht në 904 milionë dollarë në vit (10 vjecari i fundit), rreth 6% të PBB-së nominale. Këto tregues nënvizojnë nevojën për reformuar kryekëput operacionet qeveritare.

Për këtë arsye është e nevojshme përafrimi i standarteve dhe praktikave më të mira për të bërin biznes e investimet e huaja të BE për të rikthyer tregun dhe konkurueshmërinë.

Pastrimi i parave në Shqipëri është ngushtësisht i lidhur me skema komplekse që përdoren nga kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar për të maskuar origjinën e fondeve të paligjshme. Këto skema përfshijnë shpesh një rrjet të ndërlikuar transaksionesh financiare, duke përfshirë përdorimin e kompanive fantazmë, llogarive offshore dhe kontratave të falsifikuara, për të zhvendosur dhe fshehur përfitimet e paligjshme. Sektorët më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë pasuritë e patundshme dhe turizmi, ku shpesh integrohen të ardhurat e paligjshme në ekonominë formale. Midis viteve 2017 dhe 2019, rreth 60% e firmave të ndërtimit në Tiranë nuk mund të justifikonin burimet e tyre financiare, me një vlerë të vlerësuar prej 1.6 miliardë euro të pastruara përmes sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe.

Sektori i pasurive të patundshme në Shqipëri arriti një nivel rekord të transaksioneve në vitin 2023, me gjithsej 137 miliardë lekë (rreth 1.3 miliardë euro), nxitur nga një bum ndërtimi, veçanërisht në Tiranë. Ky sektor, së bashku me ndërtimin, kontribuoi ndjeshëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke përbërë gati 50% të normës së rritjes prej 3.44%. Megjithatë, shqetësimet për pastrimin e parave janë rritur, pasi disa transaksione përfshijnë fonde të paligjshme, duke kontribuar në një rritje prej 41% të çmimeve të pasurive të patundshme në Tiranë nga viti 2021 deri në 2023.

Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale. Gjatë periudhës zgjedhore, është e rëndësishme të sigurohet trajtimi i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha forcave politike. Kjo përfshin garantimin e proceseve transparente dhe të drejta për të gjithë liderët politikë dhe zyrtarët lokalë, duke forcuar kështu institucionet demokratike.

 

Për të siguruar një sistem drejtësie efikas dhe të drejtë, është e nevojshme të adresojmë sfidat aktuale. Qytetarët përballen me pritje të gjata për vendime gjyqësore, me një mesatare prej 14.6 vitesh për çështjet civile dhe 10 vitesh për ato penale. Masa duhet të merren për të reduktuar stokun prej 139,000 dosjesh dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, duhet siguruar që prokuroria speciale dhe institucionet e tjera të drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke trajtuar efektivisht çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar pa ndikime politike apo formulave me komisione speciale që ngrihen për propagandë por funksionin e kanë gjetiu.

Ne nuk mund të kemi një Shqipëri perëndimore dhe një proces integrimi me në qendër qytetarët kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, reformat në shtetin ligjor dhe mbrojtje politike ndaj anëtarëve të mazhorancës, ndërsa goditet politikisht opozita duke e sulmuar dhe eklipsuar padrejtësisht dhe pandershmërisht atë.

Prandaj më lejoni të përshëndes Presidenten e Komisionit Europian, Komisionerin veçanërisht Parlamentin Europian e kryetare e Komisionit të çështjeve të Jashtme (të cilët janë të gjithë të EPP) që kanë qëndruar atje në mbështetje jo të qeverisë, por të Shqipërisë e shqiptarëve.


Lajmi kryesor:

Burgosja e Salianjit/ PD nis aksionin, bojkoton komisionet! Tek 'Integrimi' shkon vetëm Tabaku e Paloka, ikin pas deklaratës politike! Peleshi: Të paktën këtu mos merrni peng mikrofonin


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?