Akademia e Shkencave, foto ilustruese

VENDIMI/ Dorëheqjet, padia dhe kontestimet e Senatit të "Albanologjisë" 'në vesh të shurdhët', njësitë kërkimore 'riorganizohen' në Akademi të Shkencave

29 Dhjetor 2023, 20:58| Përditesimi: 29 Dhjetor 2023, 21:16

  • Share

Riorganizimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave dhe funksionimi i kërkim-studimit është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe hyn në fuqi prej 1 janarit të vitit 2024. Nga 5 njësi kërkimore ekzistente më herët (Antropologji dhe Studim Arti; Arkeologji; Gjuhë e Letërsi; Histori; Qendra e Enciklopedisë Shqiptare), VKM-ja për "Ngritjen dhe organizimin e njësive të përhershme të kërkim-studmit në Albanologji pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë" (Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të  ligjit nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit) ka vendosur për funksionimin në 6 njësi, si më poshtë:
a) Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë;
b) Instituti i Arkeologjisë;
c) Instituti i Historisë;
ç) Instituti i Antropologjisë;
d) Qendra e Studimit të Arteve;
dh) Qendra për Botimet Enciklopedike e Albanologjike (QBEA).
Qëllimi, fusha e kërkimit të njësive të përhershme të kërkim-studimit, mënyra e funksionimit dhe e organizimit të tyre, organet drejtuese dhe strukturat përbërëse përcaktohen në statutin e tyre përkatës, pjesë përbërëse e statutit të Akademisë.
Njësitë e përhershme të kërkim-studimit organizohen dhe funksionojnë sipas përcaktimeve në statutin e Akademisë, në rregulloret e brendshme të tyre dhe kuadrin ligjor në fuqi. Marrëdhëniet dhe raportet e njësive të përhershme të kërkim-studimit me strukturat ekzistuese të Akademisë dhe me organet e saj drejtuese rregullohen sipas përcaktimeve në ligjin nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në statutin e Akademisë.
Njësitë e përhershme të kërkim-studimit të organizuara si institute drejtohen nga drejtori dhe kanë në përbërje departamentet, të cilat drejtohen nga përgjegjësit e tyre, ndërsa njësitë e përhershme të kërkim-studimit të organizuara si qendra drejtohen nga drejtori dhe kanë në përbërje sektorët, të cilët drejtohen nga përgjegjësit e tyre. Në mbështetje të këtyre njësive të përhershme, funksionon dhe administrata ndihmëse e këtyre njësive në bashkëpunim me administratën e Akademisë, si pjesë e nën drejtimin e saj, në përputhje me rregulloret e brendshme të këtij institucioni.
"Portofoli" i ASA-së 'në dorë' të Akademisë së Shkencave
Njësitë e kërkim-studimit të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, kanë buxhetin e tyre si zë më vete në buxhetin vjetor të Akademisë, i cili detajohet për shpenzimet e personelit dhe shpenzimet e tjera korrente me vendim të Kryesisë së Akademisë. Procedurat për çeljen e buxhetit të tyre përcaktohen në udhëzimin vjetor të zbatimit të buxhetit.
Njësitë e kërkim-studimit në albanologji e ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe përdorin asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, së bashku me tërësinë e aseteve dhe të fondeve të trashëgimisë të kaluara në administrim të Akademisë, nëpërmjet vendimit nr.338, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e njësive kryesore të saj”.

Vendimi / Marrëveshjet në nivel institucional ndiqen nga Akademia
Marrëveshjet në fuqi, nënshkruar nga përfaqësues të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) apo të njësive në përbërje të saj me institucione apo njësi të ngjashme, vendase apo të huaja, ruajnë vlefshmërinë juridike për sa kohë nuk ka kërkesë për revokim nga palët nënshkruese përgjegjëse. Marrëveshjet e lidhura në nivel institucional ndiqen nga Akademia, ndërsa marrëveshjet me palë nënshkruese njësitë e ASA-s ndiqen nga njësitë e përhershme përkatëse të kërkim-studimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
Kërkuesit shkencorë të njësive të përhershme gëzojnë të njëjtin status si të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë. Kategoria dhe struktura e pagave të tyre përcaktohen në përputhje me vendimin nr.748, datë 11.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë”, të ndryshuar. Për personelin akademik, nivelet e pagave sipas kufirit minimal të vendimit të sipërcituar garantohen nga buxheti i shtetit i miratuar për Akademinë.
127 punonjës, ç'do të ndodhë me organikën
Për personelin administrativ, kategoria dhe struktura e pagave të tyre përcaktohen në përputhje me shkronjën “ç”, të pikës 1, të vendimit nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”.
Për punonjësit mbështetës, kategoria dhe struktura e pagave të tyre përcaktohen në përputhje me vendimin nr.326, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës edhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”.
Organika e njësive të përhershme të kërkim-studimit për punonjësit kërkimorë, shkencorë, administrativë dhe mbështetës përbëhet nga 127 (njëqind e njëzet e shtatë) punonjës.
Të ardhurat nga ASA për 2023: Do përdoren me vendim të Kryesisë së Akademisë
Të ardhurat e ASA-s për vitin 2023 trajtohen sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor për arsimin e lartë, duke u mbartur dhe në vitin 2024 dhe përdoren me vendim të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, për njësitë përgjegjëse të përcaktuara në këtë vendim.
Senati i ASA-s kundër Vendimit për riorganizim në Akademi të Shkencave
Me Vendim të Këshillit të Ministrave, u vulos  në 31 maj mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizmi i saj pranë Akademisë së Shkencave. Kujtojmë se Senati i  ASA-s kontestoi vendimin madje dërgoi disa shkresa zyrtare në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si dikasteri i linjës përkatëse për shkak të dilemave dhe paraqartësive që haste në argumentim. Senati i ASA-s, këmbënguli se një riorganizim i tillë i heq studiuesve pavarësinë si dhe cenon kërkimin shkencor e projektet ndërkombëtare. Akademia e Studimeve Albanologjike, në 21 qershor depozitoi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë kërkesë padinë për shfuqizimin e Vendimit. Procesi i riorganizimit u shoqërua me dorëheqjen e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhitës, që u zëvendësua përkohësisht nga Valter Memishaj. Përpos studiuesit Përzhita, dorëheqjen e parevokueshme dha gjithashtu edhe drejtori i Institutit të Antropologjisë, Nebi Bardhoshi. Ndërkaq burime bëjnë me dije se shkurtime ka pasur edhe në sektorin administrativ sa i përket punonjësve me kontratë të përkohëshme (si shkak është dhënë përfundimi i kontratës në kohë të riorganizimit pranë Akademisë së Shkencave, kur ASA nuk kishte më kompetencë rinovimi apo punësimi).
Deri në momentin e riorganizimit, ASA deklaroi mbi 60 projekte ndërkombëtare dhe 32 kërkime arkeologjike në bashkëpunim me të huaj. Ndërsa në çdo vit ka botuar mbi 50-60 monografi shkencore, dhe 7-8 revista periodike me të cilat ka furnizuar universitetet në të gjitha trojet shqiptare si dhe në vende të tjera të rajonit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?