SHBA: Të rishikohet vendimi për përdorimin e dinarit serb në Kosovë

24 Janar, 09:52| Përditesimi: 24 Janar, 16:01

  • Share

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga vendimi i 27 dhjetorit të BQK’së me të cilin nga 1 shkurti përjashtohen pagesat me dinarë në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë. Ne jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”, tha zëdhënësi për Pavlovic Today.

Sipas këtij mediumi, Departamenti i Shtetit nënvizoi se, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe zotimet e marra sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.

“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të kërkojmë nga Kosova që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Departamenti i Shtetit theksoi se individët në Kosovë të cilët “në mënyrë legjitime marrin ndihmë financiare nga Serbia kanë nevojë për qasje në një mekanizëm ligjor funksional përmes të cilit ata mund ta marrin atë mbështetje”, tha zëdhënësi.

Sipas tij, institucionet që ofrojnë shërbime jetike, si arsimi dhe shëndetësia, “duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë funksionimin e tyre”.

Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e operacioneve me para të gatshme. Me synimin për të luftuar paratë e falsifikuara dhe format e tjera të krimit financiar, ajo specifikon se euro është e vetmja monedhë e lejuar për pagesa “cash” (para të gatshme) dhe digjitale në vend.

Rregullorja thekson se valutat e tjera që nuk janë euro mundë të përdoren vetëm si gjëra me vlerë për t’u ruajtur në formë fizike, në llogari bankare për qëllime valutore.

Pas miratimit të kësaj rregulloreje, Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, u bëri thirrje palëve që të shmangin veprimet e pakoordinuara. Nga blloku evropian po ashtu kanë thënë se janë dhe analizuar dhe duke kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim dhe për implikimet që ai mund të ketë.

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?