Vendimi i GJKKO-së për aferën e inceneratorit të Fierit, Tabaku: Hap pozitiv! Reforma në Drejtësi po jep frytet e para

25 Shtator 2023, 14:11| Përditesimi: 25 Shtator 2023, 14:15

  • Share

1692183267_joridatabaku.jpg

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike e ka cilësuar si hap pozitiv vendimin e GJKKO-së për inceneratorin e Fierit. Sipas Tabaku, kjo tregon se akuzat e PD nuk kanë qenë ‘shpifje’, sikundër akuzoheshim shpesh kur flitej për inceneratorët.

Ndër të tjera deputetja demokrate shkruan se SPAK është një investim i Partisë Demokratike në Reformën e Madhe në Drejtësi dhe se ka nisur të japë frytet e para për të çliruar politikën nga kthetrat e pandëshkueshmërisë dhe hipokrizisë të pseudo-barazisë para ligjit.

‘Tanimë që godina e shëmtuar e pandëshkueshmërisë po goditet, qytetarët presin vullnet politik në luftën kundër korrupsionit! Shqipëria ka nevojë për një dritë shprese në tunelin e errësirës që ndodhet. Ka nevojë për një mesazh se gjërat mund e duhet të bëhen ndryshe!’- shkruan Tabaku.

Postimi i plotë i Tabakut

‘Vendimi i sotëm i GJKKO në lidhje me të akuzuarit për aferën e inceneratorëve është një hap pozitiv i drejtësisë. Një vulë vërtetësie se akuzat e PD nuk kanë qenë “shpifje” sikundër akuzoheshim shpesh kur flitej për inceneratorët.

Për gjashtë vite me radhë afera e inceneratorëve është denoncuar dhe faktuar nga Partia Demokratike si një aferë korruptive që ka shndërruar shtetin në bankën personale të tre individëve që me duar në xhepa fituan 430 milion euro kontrata.

Për gjashtë vite me radhë Partia Demokratike ka demaskuar pa asnjë kompleks skemën korruptive që ka kapur nivelet më të larta të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Ky është një hap i vogël që zbulon një pjesë të përgjegjësië për aferën 430 milion euro të inceneratorëve. Por, është një vendim që duhet të pasohet me hetimin e mëtejshëm dhe të thelluar ndaj personave të tjerë sidomos në inceneratorin e Tiranës.

Përgjegjësia e këtyre personave afërmendsh që është edhe politike. Mazhoranca socialiste i ka vendosur gjoksin mbrojtjes së kësaj afere duke u njehsuar me të që nga hapja e fushatës në Inceneratorin e Elbasanit në 2021 e deri tek avokatia publike e politike ne Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Sido dhe sado u përpoq të pengonte të vërtetën, shqiptarët e kuptuan qartë korrupsionin politik që tashmë është kthyer në sistem.

Mund të kishim pasur vendime më të forta, mund të mos kishim preferuar gjykimin e shkurtuar por sot rëndësi ka mesazhi, pandëshkueshmëria po merr fund.

SPAK, një investim i Partisë Demokratike në Reformën e Madhe në Drejtësi, ka nisur të japë frytet e para për të çliruar politikën nga kthetrat e pandëshkueshmërisë dhe hipokrizisë të pseudo-barazisë para ligjit.

Tanimë që godina e shëmtuar e pandëshkueshmërisë po goditet, qytetarët presin vullnet politik në luftën kundër korrupsionit! Shqipëria ka nevojë për një dritë shprese në tunelin e errësirës që ndodhet. Ka nevojë për një mesazh se gjërat mund e duhet të bëhen ndryshe!


Lajmi kryesor:

Afera i inceneratorit të Fierit, GJKKO dënon me 6.8 vite burg ish-ministrin e Mjedist Lefter Koka! 2.8 vite burg për Alqi Bllakon! Dervishaj dhe 2 të tjerë të pafajshëm


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?