Një grabitës i armatosur shqiptar ka arritur që të fitojë në gjykatën e Apelit në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se gënjeu për kombësinë e tij për të fituar nënshtetësinë britanike. Arsim Murati, 46 vjeç, apeloi me sukses një përpjekje të Sekretarit të Brendshëm për t'i hequr nënshtetësinë.
Gjykatësi tha se Sekretari i Brendshëm nuk kishte arritur të provonte se Murati dinte për dënimin me burg në Shqipëri, për një grabitje me armë, në kohën, kur aplikoi për leje për të qëndruar në MB, pasi ai ishte gjykuar për krimin në mungesë.
Murati gjithashtu pohoi se dëbimi i tij do të ishte një shkelje e të drejtës së tij për jetë familjare sipas nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut . Vendimi do të thotë se Murati do të lejohet të qëndrojë përgjithmonë në Mbretërinë e Bashkuar.
'Dëboni kriminelët e rrezikshëm'
Megjithatë, vendimi shkaktoi një reagim të ashpër.
"Kjo tregon pse ne kemi nevojë për reforma urgjente të sistemit të azilit dhe ligjeve të të drejtave të njeriut për të lejuar dëbimin e shpejtë dhe efektiv të kriminelëve të rrezikshëm," tha një deputet i lartë i konservatorëve.
Murati mbërriti në Britaninë e Madhe në nëntor 1999 për të kërkuar azil si një kosovar që po ikën nga lufta civile në vendin e tij . Ai u pranua si shtetas i republikës së atëhershme federale të Jugosllavisë dhe iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar përpara se të natyralizohej si shtetas britanik në nëntor 2006.
Në vitin 2007, qeveria shqiptare nisi procedimin e ekstradimit ndaj tij, sepse një vit para mbërritjes së tij në Britaninë e Madhe, ai ishte dënuar për grabitje me armë dhe ishte dënuar në mungesë me 11 vjet e gjysmë burg. Ai u ekstradua në Shqipëri në vitin 2009 për të vuajtur dënimin me burg.
Deri atëherë, ai ishte martuar dhe kishte tre fëmijë, por gruaja e tij vdiq nga kanceri në tetor 2012, dhe fëmijët e tij u vendosën nën kujdesin e autoriteteve lokale. Pas lirimit nga burgu në vitin 2015, ai u kthye për të jetuar në Britaninë e Madhe dhe në shtator 2019 iu kthyen fëmijët e tij.
Megjithatë, një vit më pas, sekretarja e atëhershme e Brendshme Priti Patel lëvizi për t'i hequr nënshtetësinë sepse e kishte marrë atë përmes mashtrimit, përfaqësimit të rremë dhe fshehjes së dënimit.
Në apelin e tij, Murati pranoi se kishte gënjyer se ishte kosovar, por pohoi se nuk kishte fituar nënshtetësinë britanike si rezultat i pretendimit të rremë.
Ai pretendoi gjithashtu se nuk kishte dijeni për gjyqin e tij për grabitje me armë në Shqipëri dhe se mori vesh për dënimin e tij ishte kur filloi procedura e ekstradimit.
Gjykata pranoi pretendimet e tij dhe hodhi poshtë argumentet e Home Office me bazën se nuk mund të provonte se ai dinte për dënimin dhe, për rrjedhojë, duhej ta deklaronte atë.