Emiljano Shullazi dhe anëtarët e bandës përpara gjykatës

Si i mori Shullazi aksionet e ish-Vollgës përmes kërcënimit, dëshmia e biznesmenit që 'kryqëzoi' kapobandën

14 Nëntor 2018, 10:25| Përditesimi: 14 Nëntor 2018, 14:26

  • Share

TIRANE - Dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja ka qenë prova e fortë e prokurorisë që fundosi Emiljano Shullazin dhe katër anëtarët e tjerë të bandës së tij. Për një periudhë 19-mujore në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë zhvilluar 53 seanca gjyqësore në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, ku gjatë kësaj kohe debati mbi provat ka qenë mjaft i tensionuar mes palëve. Një ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi 14 vite burg për Shullazin, ndërsa në total për bandën e tij u dhanë 55 vite burg.

Avokatët mbrojtës dhe të pandehurit kanë pretenduar vazhdimisht se çështja nuk kishte prova konkrete, por ana ana tjetër prokuroria ka gjetur mbështetje tek dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja, i cili në cilësinë e bashkëpunëtorit të akuzës, ka treguar të gjithë aktivitetin kriminal që Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij kanë kryer ndaj tij, me qëllim tjetërsimin e shumave të mëdha të parave dhe tjetërsimin e ish-hotelit 'Vollga' në Durrës. Biznesmeni ka rrëfyer në seancat gjyqësore te Krimet e Rënda, se Shullazi e ka kërcënuar herë pas here, për t'i marrë pronësinë e ish-hotelit. Për këtë shkak, Beqja e ka denoncuar Shullazin, por ai ka rrëfyer se edhe kur ka qenë i mbrojtur nga policia dhe prokuroria, është kërcënuar si dhe ka marrë oferta të ndryshme për t'u tërhequr nga dëshmia e tij kundër Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Endrit Zela e Endrit Qyqja.

Gjithashtu, sipas biznesmenit, Shullazi i ka drejtuar atij pistoletën në bark gjatë firmosjes te noterja Aida Spahiu për t'i dhënë 30% të aksioneve të ish-hotel Vollgës. Akuza të cilat u hodhën poshtë si të pabaza nga Emiljano Shullazi i cili pretendoi se Ylvi Beqja ia ka dhuruar në shenjë mirënjohje. Gjithashtu, biznesmeni Ylvi Beqja ka dëshmuar përpara prokurorëve se Shullazi dhe grupi i tij, kanë arritur t'i marrin, krahas një pjese të ish-hotel Vollgës, edhe 550 mijë euro cash. Ngjarjet në fjalë kanë ndodhur në vitin 2014, pasi Beqja ishte takuar me Shullazin në makinën e tij të blinduar në Tiranë diku te “21 Dhjetori” dhe i kishte kërkuar ndihmë për regjistrimin e ish-hotelit në Hipotekën e Durrësit. Pas këtij momenti, Shullazi ka kërkuar 20 për qind të pronës së ish-hotel “Vollgës” dhe sipas dëshmisë, edhe shuma monetare. Por Shullazi nuk është ndalur me kaq, pasi i ka kërkuar 30% të aksioneve të hotelit, si dhe dorëzimin e parave të shitjes së një pjese të hotelit te një investitor arab, 'Saudi Brothers'.

Pikërisht dëshmia e Ylvi Beqja, ishte ajo që mbajti në qeli Shullazin për 14 vite dhe katër anëtarët e tjerë të grupit Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endri Zela dhe Blerim Shullazi. Kjo pasi për tre akuzat e ngritur nga prokuroria e Krimeve të Rënda si 'gjobëvënie' dhe 'shkatërimi me eksploziv të pronës' ndaj biznesmenit Adriatik Kërçuku, 'shkatërrim'' me eksploziv ndaj pronës së Jani Zakës dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, Emiljano Shullazi mori pafajësi nga gjykata. 

Pafajësi morën dhe katër anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal, për tre akuzat e sipërcituara. Gjykata tha se të pandehurit nuk ishin gjetur fajtorë për dy raste të vendosjes së tritolit ndaj subjekteve që ishin kërcënuar, përfshi tritolin në garazhin e biznesmenit Zaka. Po ashtu ata nuk ishin gjetur fajtorë as për kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni e ish-rektorit Dhori Kule. 

Dënimet për grupin "Shullazi"

Emiljano Shullazi    14 vite burg

Gilmando Dani        12 vite burg

Endrit Qyja          10 vite burg

Endri Zela           10 vite burg

Blerim Shullazi      9 vite burg

Pretenca për grupin “Shullazi”

Emiljano Shullazi    17 vite burg

Gilmando Dani        15 vite burg

Blerim Shullazi      10 vite burg

Endrit Qyqja         11 vite burg

Endrit Zela          11 vite burg

Në seancë përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe asaj gjermane
Verdiktin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e kanë monitoruar direkt dhe tre përfaqësues të ambasadës Amerikane dhe Gjermane në Tiranë, të cilët pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe dënimit të 5 të pandehurve, falenderuan dy prokurorët e çështjes Genti Osmani dhe Anton Martini, sapo këta të fundit dolën nga salla e gjyqit. Ndërsa Shullazi dhe katër të pandehurit e tjerë nuk ishin prezent në sallën e gjyqit. Ky nuk është dënimi i parë për Emiljano Shullazin, pasi disa vite më parë ai është dënuar për trafik droge, grup të strukturuar kriminal, “Armëmbajtje pa lejë” dhe vepra të tjera penale.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?