Presidenti Ilir Meta

Opinion

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën dhe ndikimi në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar

10 Qershor 2021, 14:56| Përditesimi: 10 Qershor 2021, 14:58

  • Share

Seanca plenare e datës 9 qershor 2021 për shkarkimin nga detyrat të presidentit Ilir Meta, do të futet në historinë e parlamentarizmit edhe të jetës politike shqiptare, si precedenti i parë që një president shkarkohet gjatë ushtrimit të mandatit të tij.

Vendimmarrja e Kuvendit të Shqipërisë ishte e pritshme përballë një presidenti që po e kërkonte me ndërgjegje të plotë shkarkimin. Shkeljet e përsëritura të tij, në kundërshtim me detyrimet që ligji kushtetues i njeh, kaluan çdo limit që ai të tolerohej më.

Përkundrazi, mos ndërmarrja e kësaj nisme nga Kuvendi për ta hetuar veprimtarinë e tij dhe më pas, për ta shkarkuar, do të krijonte precedentin e rëndë që nga një president që përfaqëson unitetin e popullit, ta ligjëronim si një president që merr anësi politike për njërën palë kundër tjetrës në garat elektorale.

Precedenti që po krijonte presidenti Meta, në rast se nuk do shkarkohej nga Kuvendi, do merrej si bazë mbështetje nga secili president pasardhës i cili shembullin e zotit Meta do ta pretendonte në rast se do vihej përballë akuzave të ngjashme.

Gjithsesi, sipas procedurës kushtetuese, tashmë fjalën e fundit do ta japë Gjykata Kushtetuese. Pikërisht këtu janë sytë e të gjithë shqiptarëve, po edhe sytë e zotit Meta, i cili shpreson shumë tek ndonjë anëtar të kësaj gjykate. Mbase zoti Meta ka parasysh Lulzim Bashën që i është mirënjohës edhe sot Sali Berishës për karrierën e tij politike. Edhe zoti Meta, në këtë kontekst, mendon se ndonjë anëtar i gjykatës do t’i jetë atij mirënjohës që u përzgjodh prej tij në atë detyrë të lartë.

Në fakt, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen, ato vetëm zbatohen. Megjithatë, meqenëse jemi përpara shqyrtimit të çështjes prej saj, na lind e drejta të japim mendime për rëndësinë që ai vendim do ketë për shtetin tonë e jo vetëm.

Një nga argumentet që përmbante raporti i komisionit “Hyseni”, ishte se në mungesë të një precedenti shqiptar, duhet t’u referoheshim precedentëve të vendeve të tjera demokratike, të cilat kanë pasur raste të ngjashme me ne.

Rastet tashmë janë bërë publike dhe nuk po zgjatem t’i përmend, por me këtë rast dua të nënvizoj faktin shumë domethënës që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me vendimin e saj, do bëhet vetë një rast studimi dhe citimi për shtetet e tjera kur ato të kenë si çështje shkarkimin e presidentit.

Pra, ashtu siç Kuvendi i Shqipërisë iu referua vendimmarrjeve të parlamenteve të huaja apo të gjykatave të tyre kushtetuese, po ashtu edhe ato shtete që nuk kanë precedent, do t’i referohen, midis të tjerave, edhe rastit shqiptar.

Në këtë aspekt, përgjegjësia e Gjykatës sonë Kushtetuese në analizimin e të gjitha fakteve dhe provave që do t’i dërgojë Kuvendi dhe mënyrës se si do të bëjë interpretimin e tyre për të dalë me një vendim përfundimtar, do të jetë i një rëndësie që kalon kufijtë e Shqipërisë.

Sa i përket ndikimit të vendimit të gjykatës brenda kufijve tanë, nëse ajo nuk do t’i konsiderojë si shkelje të rënda ato që raporti i komisionit “Hyseni” ka përmendur, atëherë nuk është më çështja se “fiton” Ilir Meta. Ai mund të fitojë maksimumi një vit rrogë në detyrën që mban, por më pas e gjithë veprimtaria e tij e konsideruar si shkelje nga Komisioni Hetimor, do duhet t’i ligjërohet si një e drejtë.

Në këtë aspekt, kur të shkruhen detyrat e Presidentit të Republikës në ligjin organik, do i duhet t’i njihet si një e drejtë që ai duhet t’i ushtrojë:

-Të sulmojë njërën palë në zgjedhje dhe të bëhet idhujtar politik me palën tjetër. Por nëse sot presidenti është pro opozitës dhe kundër qeverisë, presidenti i nesërm mund të jetë pro qeverisë dhe kundër opozitës.

-Të bëjë thirrje për dhunë, për kryengritje popullore, për rrëzime të qeverisë me mjete jo demokratike, mos njohje të institucionit të Kuvendit, injorimi i pjesëmarrjes në Kuvend kur e thërrasin përfaqësuesit e popullit, etj.

-Të ndërlikojë marrëdhëniet me qeveritë mike e sidomos me partnerët strategjikë të Shqipërisë, duke krijuar një agjendë politike e diplomatike të ndryshme nga ajo e qeverisë.

-Të fitojë të drejtën që t’u kërkojë llogari institucioneve të drejtësisë përse kanë marrë një vendim kështu dhe jo ashtu siç mendon presidenti.

Nuk po e zgjas më tej, por në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkon përfundimisht presidentin Meta, atëherë Kuvendi i Shqipërisë duhet që automatikisht ato shkelje që i ka përmendur në raportin e shkarkimit, t’ia njohë presidentit si një detyrim ligjor që ai duhet t’i kryejë.

Besoj fort se anëtarët e Gjykatës  Kushtetuese, edhe ato që janë përzgjedhur në një mënyrë disi të njëanshme nga presidenti Meta, do të dinë që të ngrihen mbi çdo interes, qoftë ky politik, i mirënjohjes apo emocional, dhe si busull të kenë ligjin kushtetues. Bindja e tyre kur të votojnë pro ose kundër vendimit të Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta, duhet të fokusohet në dy drejtime:

Së pari, në aspektin e brendshëm kombëtar, se çfarë modeli presidenti do të kemi pasi Ilir Meta të mos e ushtrojë më detyrën që mban sot.

Së dyti, në aspektin e jashtëm ndërkombëtar, se çfarë produkti do t’u lëmë si referencë shteteve të tjera kur të na marrin si shembull.

Mjaftojnë vetëm këto dy aspekte që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë po aq historik sa dhe vendimi që mori Kuvendi i Shqipërisë. Të shpresojmë dhe besojmë se do të marrim më të mirën prej saj.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?