Albin Kurti

Kosova & Rajoni

Konstituimi i Kuvendit/ Kurti para vendimit të Gjykatës: Gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Kushtetueses!

18 Gusht, 16:32| Përditesimi: 18 Gusht, 16:38

  • Share

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ekzekutivi që ai udhëheq i ka respektuar të gjitha aktgjykimet e lëshuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kështu ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Kurti i bëri komentet të hënën, pak orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses për konstitutimin e Kuvendit.

“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe, nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, si subjekti më i madh në vend e Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.

Sipas njoftimit, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Ky afat njëmujor ka nisur më 18 gusht, pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese. Aktgjykimi i Kushtetueses është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga LVV-ja e Kurtit.

LVV-ja e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për rrëzimin e diktatit.

Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, për lëndët e ngritura nga PDK-ja dhe LDK-ja sa, hap rrugën për mbajtjen e seancës konstituive në ditën pasuese. Kushtetuesja nuk ka treguar se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.

Seanca konstituive për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill. Por, për shkak se asnjëra parti nuk ka arritur ta bëjë e vetme shumicën dhe nuk u arrit një marrëveshje politike, çështja ngeci te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Derisa LVV-ja ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?