TIRANË- Avokati Spartak Ngjela e ka konsideruar të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e ndryshimit të statutit të miratuar në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor.
Në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report Tv, Ngjela tha se avokati Agron Zhukri i cili ka shqyrtuar çështjen ka patur presione për ta marrë një vendim të tillë. Sipas Ngjelës, rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së është në interes të Edi Ramës, pasi kështu ai do të qëndrojë gjithmonë në krye të vendit, pasi Berisha nuk e mund dot.
‘Nuk e prisja sepse ai ka dy muaj që vjen vërdallë, ka patur presione. Nuk ka rëndësi se çfarë lloj presionesh por ia dha. Lind problemi çfarë i ka dhënë. Ky është veprim juridik krejtësisht i pavlefshëm. Edhe nëse në rast se u njihet Kuvendi i 11 dhjetorit, s'ka lidhje me PD ata mund të krijojnë parti tjetër. PD është person juridik, duhet të njihet në gjykatë. Një parti që nuk njihet në gjykatë nuk është ligjore. Pse duhet të njihet? Sepse mund të ketë një statut që thotë jam parti fashiste, kush do e konstatojë, populli? Jo, prandaj do shkosh në gjykatë je brenda kushtetutës apo jo. Këta nuk kanë bërë një veprim të tillë dhe njëherë që e bën iu kthyen.
Veprim juridik krejtësisht i pavlefshëm. Vetëm tani që ka ardhur Alibeaj mund të kthehet në parti ligjore. Vetëm ligj s’ka pasur. Alibeaj nuk tërhiqet. Alibeaj këtë iu thotë hajde kur ta bëjmë kuvendin, kandidoni edhe merreni.
Më i interesuari është Rama. Interesi i tij është të jetë Saliu. Në fushatën elektorale të 6 marsit, tha nuk votoni për Bashën por për Saliun. Ai nuk ka marrëveshje me Saliun por është një politikan mesjetar sepse di që Saliu nuk ka vota, thotë ta vë në krye dhe të jem unë gjithmonë. Tre herë e ka mundur’, tha Ngjela në Report Tv.
Kreu i FRD-së, Sali Shehu thotë se të dy palët duhet të bëjnë bisedime për të gjetur një zgjidhje për bashkimin e demokratëe.
‘Ka qenë që sonte në seli dhe ka bërë mbledhjen e parë. Përshendes faktin që PD iku nga ruga dhe u fut në rrugën ligjore. Fakti që PD ka hyrë në rrugë legale është konstruktive. 20% e votuesve të djathtë kanë dalë në votime. Duhet që të dy palët të ulen për të bashkuar bazën e PD-së që të motivojnë njerëzit për të dalë në votime’, u shpreh Shehu.
Gjykata e Tiranës regjistroi ndryshimet e Berishës në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Sipas këtij vendimi tashmë Komisioni i Rithemelimit i Sali Berishës mund të drejtojë Partinë Demokratike. Në Kuvendin e 11 dhjetorit u vendos referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, shkarkimi i nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm, Kryesisë dhe të gjitha strukturave drejtuese.
Komisioni i Rithemelimit me në krye Sali Berishën shkuan sot në selinë blu dhe patën bisedime me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi ku u diskutua për bashkimin e PD-së. Më pas, Berisha dhe Alibeaj dolën në konferenca të ndara për shtyp. Berisha deklaroi se do të kandidojë për kryetarin e ri të PD-së, por Alibeaj iu përgjigj qartë që nuk lejojnë persona ‘non grata’ t’i drejtojnë. Alibeaj gjithashtu ka deklaruar se do ta apelojnë vendimin e gjykatës.
A do e marrë Sali Berisha drejtimin e Partisë? Ky ishte debati në ‘Pa Protokoll’ në Report Tv mes avokatit Spartak Ngjela dhe gazetarit Bledian Koka.
Ngjela: Saliu ka fituar dhe rri si pulë.
Koka: Si pulë? Ai është në krye të partisë.
Ngjela: Ai s’ka marrë gjë deri tani .
Koka: Me mendt e Alibeajt ke të drejtë ti, me mendt e gjykatës është ndryshe.
Ngjela: Deri më tani s’ka marë gjë dhe nuk do marrë gjë. Është ende bast. Nëse ske fakte..
Koka: Fakt është vendimi i gjykatës.
Ngjela: Saliu nuk del dot kryetar, provë nuk kam, por ta konvergoj në në një pikët të gjithë strukturën jurdike që shoh kam të drejtë.
Koka: Ti i di shumë mirë, sot të duhet ta thuash kështu nesër e thua ndrsye. Avokat që nuk njeh vendimet e gjyqit po të Alibeajt.
Ngjela: Po të toleroj se nuk je jurist.
Koka: A the që jam duke vënë bast. Tani që flasim te basti thua jam avokat.
Ngjela: Nuk është bast faktik.