Foto ilustruese

Vendimi i Këshillit të Ministrave/ Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Marinëz dhe Ballsh–Drenovë, miratohet fondi për shpronësimin e pronarëve

20 Nëntor, 22:14| Përditesimi: 20 Nëntor, 22:37

  • Share

Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i segmentit të parë të linjës 110 kV Ballsh-Marinëz dhe linjës Ballsh-Drenovë”.

Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet vendimit, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 24.617.22 (njëzet e katër mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë pikë njëzet e dy) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 24 617.22 (njëzet e katër mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë pikë njëzet e dy) lekësh, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a. Njoftohet se shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.

“Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Zyra Vendore Mallakastër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a”, theksohet në vendim.

Teksa më tej shtohet se edhe Kadastra do kryejë vepromet e saj proceduriale me pezullimin e transaksioneve me këto pasuri që preken nga ky investim:

“Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a”.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Zyra Vendore Mallakastër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të qarkut Fier.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?