Vendimi i KPK/ Kryegjyqtarja bëri pasuri që adoleshente, e emëruan Nishani-Manjani

24 Korrik 2019, 08:00| Përditesimi: 24 Korrik 2019, 12:37

  • Share

TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në datën 10 qershor 2019, ka vendosur të shkarkojë nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, me argumentin se nuk ka kryer deklarim të saktë të pasurive, nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë si dhe është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi të saj. Në vendimin e zbardhur nga Shqiptarja.com, përpos të tjerave, kryegjyqtarja e Tiranës, deklaron një njësi tregtare me sipërfaqe 22 m², ndodhur në Shkodër, me vlerë 4,396 lekë, përfituar nga privatizimi. Në raportin që ILDKPKI ka referuar në Komisionin e Vetingut, Enkeledi Hajro e ka përfituar këtë pasuri, referuar vërtetimit hipotekor, në datën 9.5.1996, ndërsa në vitin 2006, ka bërë një shtesë me sipërfaqe 12.5 m2, për të cilën nuk është miratuar akoma legalizimi.

Çudia qëndron në faktin se kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, në kohën kur ka përfituar pasurinë, nuk i kishte mbushur ende 18 vjeç, duke mos pasur zotësinë juridike për të vepruar. Gjithashtu, në atë moshë, Enkeledi Hajro nuk ka qenë në marrëdhënie pune për të krijuar të ardhura. “Blerja e pasurisë nga ana e subjektit është bërë në periudhën kur subjekti nuk kishte mbushur moshën për fitimin e zotësisë juridike për të vepruar sepse në kohën e blerjes së pasurisë nuk kishte mbushur moshën 18 vjeç, si dhe nuk kishte qenë në marrëdhënie pune për të krijuar të ardhura... Dukej se nga ana e subjektit ishte kryer ndërtim pa leje dhe më pas ishte aplikuar për legalizim të tij”, thuhet në vendimin e KPK.

Shpjegimi i kryegjyqtares

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka pyetur kryegjyqtaren Hajro për këtë pasuri. Zonja Hajro ka sqaruar se këtë pasuri e ka përfituar për shkak të statusit si ish e përndjekur politike dhe se procedura e privatizimit është ndjekur nga daja i saj. “Kjo pasuri është përfituar për shkak të statusit si ish e përndjekur politike. Procedura e privatizimit është ndjekur nga daja im, z. G. Sh. Ky veprim u ndërmor pasi na sugjeruan që kjo situatë mund të zgjidhet nga ALUIZNI.

Kjo pasuri është në kufijtë e saj të pandryshueshëm, siç, ka qenë që nga momenti i privatizimit. Megjithatë në momentin më të përshtatshëm do të ndjek procedurat e nevojshme ligjore sipas sugjerimit të ALUIZNI-t”, ka sqaruar Hajro. Nga ana tjetër, në përfundim të hetimit, KPK ka konstatuar se “bazuar në përgjigjet e subjektit, shkresat e dërguara nga ALUIZNI, si dhe nga dokumentacioni i ndodhur në dosje, konstatoi se subjekti nuk paraqiti dokumentacion provues lidhur me burimet e ligjshme financiare për blerjen e kësaj pasurie dhe as dokumentacion provues që procedura për privatizim është ndjekur nga daja i saj. Subjekti në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes së kësaj pasurie të paluajtshme nuk e kishte fituar zotësinë për të vepruar”.

Apartamenti

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro ka deklaruar në vitin 2007 se ka blerë një apartament, në bashkëpronësi me bashkëshortin, me sipërfaqe 85 m2 dhe me vlerë 82,000 euro. Për të blerë këtë pasuri, zonja deklaron një kredi për shtëpi në “Alpha Bank” me afat 20-vjeçar me interes 5 % për 5 vitet e para në shumën 70,000 euro, kësti mujor 500 euro. Por, në deklaratën e pasurisë së vitit 2009, vlerën e parlamentit e deklaron 70 mijë euro.

Edhe në deklaratën e vitit 2014, vlerën e apartamentit e deklaron 70 mijë euro. KPK ka arritur në konkluzionin se “subjekti i rivlerësimit, znj. Enkeledi Hajro, ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për këtë pasuri, si bazuar në deklaratat periodike vjetore si në deklaratën “Vetting”, ka mospërputhje deklarimesh dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme”.

Makinë 20 mijë euro në pronësi të bashkëshortit

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro ka deklaruar edhe një makinë tip “Hyndai”, prodhim i vitit 2007, në pronësi të bashkëshortit, z. A. H., blerë me leasing, me vlerë 20 mijë euro. Për këtë pasuri, kryegjyqtarja ka shpjeguar para KPK se “Në nëntor 2008 është lidhur kontrata për marrje me leasing të automjetit “Skoda” në vlerën 10,000 euro, nga të cilat 3,000 euro janë paguar si kapital fillestar. Në korrik 2010 bashkëshorti ka parapaguar kapitalin e mbetur prej 5,210 eurosh duke shlyer plotësisht vlerën e mjetit. Shuma prej 5,210 eurosh është financuar nga motra e bashkëshortit, e cila e ka marrë në përdorim mjetin.

Në datën 31.7.2012, motra e bashkëshortit ka paguar shumën prej 3,000 eurosh, duke fituar pronësinë mbi këtë mjet. Në vitin 2010 ka lidhur kontratë leasing për automjetin “Hyndai” me vlerë 20,000 euro nga të cilat ka paguar fillimisht 9,000 euro dhe pjesën tjetër me këste”. Në përfundim të hetimit, KPK ka arritur në konkluzionin se Hajro nuk ka deklaruar burimin e financimit për makinën “Hyndai” në deklaratën “Vetting”, nuk arriti të provojë të ardhurat e ligjshme nga shitja e automjetit, tip “Skoda” si dhe deklarimet e subjektit nuk përputhen me deklaratat periodike vjetore dhe me deklaratën “Vetting”.

Hajro u emërua kryegjyqtare nga KLD me në krye Nishanin

Enkeledi Hajro u emërua në krye të Gjykatës së Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në datën 18 nëntor 2016. Në atë kohë, KLD drejtohej nga Bujar Nishani, në cilësinë e Presidentit të Republikës. Gjatë mbledhjes së datës 18 nëntor 2016, referua procesverbalit, kanë votuar pro emërimit të zonjës Hajro në krye të Gjykatës së Tiranës, Bujar Nishani, Gjin Gjoni, Gerd Hoxha, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Artan Broci, Ridvan Hado, Ylli Manjani dhe Xhezair Zaganjori. Manjani ishte në atë kohë anëtar i KLD si ministër i Drejtësisë, ndërsa Zaganjori si kryetar i Gjykatës së Lartë.

Çudia

Çudia qëndron në faktin se kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, në kohën kur ka përfituar pasurinë, nuk i kishte mbushur ende 18 vjeç, duke mos pasur zotësinë juridike për të vepruar.

Kryegjyqtarja

“Kjo pasuri është përfituar për shkak të statusit si ish e përndjekur politike. Procedura e privatizimit është ndjekur nga daja im, z. G. Sh. Ky veprim u ndërmor pasi na sugjeruan që kjo situatë mund të zgjidhet nga ALUIZNI”.

Sanxhaktari mendim paralel për Vetingun e Enkeledi Hajros

Anëtarja e turpit gjykues Valbona Sanxhaktari ka parashtruar një mendim paralel për Vetingun kryetares së Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro. “Unë, anëtarja e trupit gjykues nr. 2, Valbona Sanxhaktari, parashtroj mendimin tim paralel ndaj arsyetimit të vendimit nr. 154 datë 10.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit znj. Enkeledi Hajro, me detyrë gjyqtare/kryetare, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Parashtrimi i arsyetimit i mendimit paralel lidhet me qëndrimin ndryshe në raport me vlerësimin e disa shkaqeve të shkarkimit të subjektit të rivlerësimit, por që, pavarësisht arsyetimit ndryshe, nuk ndikon në vendimin e trupit gjykues për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, znj. Enkeledi Hajro, e cila, edhe në vlerësimin tim, nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, ka pohuar Valbona Sanxhaktari.

( Kliko këtu ) vendimi i plotë i KPK për gjyqtaren Enkeledi Hajro

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • lol: 25/07/2019 08:49

    rroft vetingu

    Përgjigju
  • Hasani: 24/07/2019 08:29

    Shume ish te perndjekur nuk kane marre kestet e shperblimit kjo paska marre aq shume nga statusi i te perndjekurit sa te bleje troje apartamente makina etj. Edhe ata qe kane patur te aferm te pushkatuar apo te zhdukur dhe internuar nuk jane shperblyer me kaq para. Kapeni futeni brenda dhe te gjithe pasurite qe gjyqtarja ka perfituar nga lirimi i krimineleve jepjani ish te perndjekurve te vertete.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?