Deputetja e PS, Ermonela Felaj ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për Komisionet Hetimore, ku Kushtetuesja kërkon ndryshimin e disa neneve. Në një reagim në Facebook, Felaj i përgjigjet akuza të opozitës, duke theksuar se ligji nuk është gjetur antikushtetues nga Gjykata, pasi në të kundërt do të ishte shfuqizuar.
‘Asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës’, shkruan Felaj ndërsa thotë se nuk ka pasur asnjë antikushtetueshmëri nga ana e Kuvendit në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore.
"Një koment për “gjysma gjelët” e politikës që gjejnë fitore dhe aty ku ato nuk ekzistojnë. Së pari, ligji për komisionet hetimore nuk është gjetur antikushtetues, nëse kështu, do duhet të ishte shfuqizuar po sot! Dhe nuk kishte sesi, sa kohë që përshkrimi i objektit dhe i veprimit të komisioneve hetimore, i përmbahet mot à mot vendimeve të vetë kësaj gjykate në vite dhe sa kohë dhe vetë opozita pat propozuar të njëjtën gjë dhe asnjë gërmë më shumë! Asnjë antikushtetueshmëri nga ana e Kuvendit në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore! Ligji garanton transparencën e punës së komisioneve hetimore, sikurse po shihet edhe me dy komisionet hetimore në veprim. Dyert e mbyllura nuk janë rregulli, por përjashtimi i nevojshëm ligjor dhe kjo është pranuar edhe nga Kushtetuesja, përndryshe i bie indirekt të rrëzoje edhe ligjin gjerman të komisioneve hetimore. Shkurt e qartë .. asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës", shkruan Felaj.
Lajmi kryesor:
Ligji për Komisionet Hetimore, 'Kushtetuesja' shfuqizon marrjen e lejes nga Gjykata e Prokuroria për pyetjen e dëshmitarëve! Opozita të drejtë ankimi nëse u refuzohet marrja e provave
SI.E./ReportTv.al