Pas vendimit të Kushtetueses për SKY ECC, (30 Dhjetor 2024), nis gjykimi në themel në GJKKO për dosjen ‘Metamorfoza’.
Avokatët e biznesmenit Pëllumb Gjoka kërkuan kohë, teksa trupa gjykuese e pranoi kërkesën.
Gjithashtu avokatët kërkuan që të zbardhet vendimi i Kushtetueses, para se të nisë procesi. Biznesmeni nuk u paraqit në GJKKO, por çoi avokatët.
Seanca u shty për më 21 janar, teksa pezullohen edhe afatet e paraburgimit. GJKKO pranoi edhe kërkesën e ish-komisarit Ardit Hasabegaj, që kërkoi kohë për t’u njohur me aktet.
Biznesmeni Pëlllub Gjoka po mbrohet nga avokatët Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari. Më 8 Nëntor GJKKO kishte pranuar kërkesën e SPAK dhe kishte kaluar për proces dosjen ndaj Gjokës dhe 6 të tjerëve. Por gjykata priti dhe vendimin e Kushtetueses për ta nisur sot (7 Janar) procesin në themel.
Prokurori Altin Dumani, njëherazi kreu i SPAK, kërkoi vijimin e shqyrtimit gjyqësor dhe viktimat e veprës penale të quhen të njoftuar, pasi gjykata ka ezauruar rrugën ligjore.
Avokati i ish-shefit të policisë Adrit Hasanbegaj kërkoi shtyrje të seancës për shkaqe proceduriale, për të pasur kontakt me klientin dhe një mbrojtje efektive.
Ndërkohë që avokatët e Gjokës kërkuan të shtyhet në afatin maksimal, për të pritur dhe zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në fund të diskutimeve, seanca e ardhshme u la më 21 Janar, kurse të pandehurve përfundimisht u pezullohen afatet e paraburgimit, për të shmangur edhe ngatërresat proceduriale apo djegien e këtyre afateve.