PD ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me teatrin Kombëtar, ku shprehet se tani duket të flasë SPAK dhe të mos hesht më duke hetuar penalisht çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë shembjen e teatrit, duke filluar nga Edi Rama. Përmes sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi tha se vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj.
Deklarata e plote e PD
Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri. Arroganca, dhuna, paligjshmëria humbën betejën e tyre përballë qëndresës, qytetarisë dhe interesit publik.Partia Demokratike përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetutese për të shpallur si antikushtetues veprimet e Qeverisë dhe Bashkisë për prishjen e një pasurie kombëtare, si Teatri Kombëtar, me qëllimin e vetëm për ti hapur rrugë një afere të rëndë korruptive. Shfuqizimi i ligjit special dhe VKM që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul, bën antikushtetues, të paligjshëm, çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, pavarësisht se për këto akte nuk është kompetente për shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Ky vendim merr në mbrojtje Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar si një pasuri që përbën trashëgimi kulturore të Shqipërisë.
Teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që uzurpoi, plaçkiti dhe shkatërroi një nga institucionet më të shenjta të kombit.
Shkaktarët e kësaj plage janë ata që penguan dhunshëm ndryshimin në 25 prill dhe që mbajnë peng vendin prej 8 vitesh me arrogancë, korrupsion, klientelizëm, paratë e krimit dhe armiqësinë e verbër ndaj trashëgimisë kulturore, ndaj çdo pasurie të kombit tonë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ekspozon para shqiptarëve dhe mbarë botës fytyrat e barbarëve që shembën Teatrin dhe goditën në zemër demokracinë, duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.
Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe teatrot i përdor si lavatrice për paratë e Ndraghetës.
Mirënjohje për mbështetësit e Partisë Demokratike që ishin në krahë të aktivistëve për Teatrin, në mbrojtje të interesit publik dhe që u bënë pre e dhunës barbare policore.
Vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj.
Pas Gjykatës Kushtetuese, radhën e ka Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Autorët e këtij krimi të rëndë kushtetutes dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik dhe pasurinë tonë publike, kanë emër dhe mbiemër, janë të gjithë të identifikuar dhe duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë përpara ligjit. Ata janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj.
Erjon Veliaj që edhe sot vijoi hapur të sfidojë drejtësinë, të sfidoi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetutese, të injoroi faktin se në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit ka shkatërruar një pasurie kombëtare, duhet të arrestohet menjëherë.
Duke shpërdoruar rëndë detyrën, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, Erjon Veliaj është autori dhe përgjegjësi direkt për një dëm me vlerë të jashtëzakonshme për pasurinë tonë kombëtare.
Krimi tashmë nuk fshihet dot më. Prandaj edhe SPAK nuk mund të fshihet më. Provën e paligjshmërisë ulëritëse e ka tashmë gati nga Gjykata Kushtetuese. Tani është koha për të vepruar, për të na treguar të gjithëve se pandëshkueshmëria ka marrë fund, që askush nuk është mbi ligjin, që kushdo është i barabartë përpara ligjit.
SPAK duhet të marrë nën përgjegjësi penale edhe çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Edi Rama e deri tek çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës për shembjen barbare të Teatrit Kombëtar.
Në këtë betejë Partia Demokratike do të mbetet në krah të qytetarëve, sepse vijimi i betejës kundër një regjimi që turpëron Shqipërinë para gjithë botës, është edhe vijimi i betejës për Teatrin aty ku ishte dhe ashtu sic ishte, është vijim i betejës për historinë tonë, vijim i betejës për kthimin e legjitimitetit, vijimi i betejës për kthimin e demokracisë, vijimi I betejës për t’ua kthyer Shqipërinë shqiptarëve!
Lajmi kryesor:
'Kushtetuesja' pezullon ndërtimin e Teatrit Kombëtar, rrëzon ligjin special PPP dhe kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë Tiranë! Por prishja e godinës nuk cilësohet antikushtetuese
//ReportTv.al