Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për teatrin kombëtar. Vetëvendosje shkruan se ky vendim shënon një fitore për mbrojtjen e trashëgimisë, qytetin dhe rezistencën qytetare. Sipas Vetëvendosjes ky vendim është vetëm hapi i parë në rrugën e vendosjes së drejtësisë ndaj krimit institucional të shembjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.
“Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese (GJK) ka shpallur si antikushtetues Ligjin Special për Teatrin Kombëtar (TK) dhe vendimin për shembjen e tij më 17 maj 2020. Njëkohësisht GJK ka ndaluar punimet për një objekt të ri mbi truallin e Teatrit. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri e përshëndet këtë vendim që shënon një fitore për mbrojtjen e trashëgimisë, qytetin dhe rezistencën qytetare.
Ky është vetëm hapi i parë në rrugën e vendosjes së drejtësisë ndaj krimit institucional të shembjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore dhe dhunës së shfrenuar policore. Me këtë vendim, protestat në mbrojtje të Teatrit Kombëtar u dëshmuan të drejta. Tani Teatri Kombëtar duhet rindërtuar mbi truallin e vet, me teknikat dhe materialet autentike për të ruajtur memorien kolektive dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.
Nga ana tjetër, për ta çuar drejtësinë deri në fund, institucionet duhet të hetojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit në zyrat e pushtetit që morën vendimin e shembjes dhe urdhëruesit e dhunës policore mbi qytetarët që mbrojtën Teatrin Kombëtar”, shkruan Vetëvendosje.
Lajmi kryesor: