Një padi në gjykatë e avokatit Lulzim Alushaj kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili e ka përjashtuar nga lista e kandidatëve për kryeprokuror, ka bllokuar garën për zgjedhjen e kreu të organit qendror të akuzës në Shqipëri. Që procesi të zhvillohet duhet të ketë të paktën një vendim të apelit që të konfirmojë vendimin e KLP-së ose t’i japë të drejtë kandidatit Alushaj për të vijuar garën. Po pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë e përjashtoi Lulzim Alushajn nga gara për kryeprokuror, duke lënë në garë vetëm Arta Markun (aktualisht kryeprokurore e përkohshme), Fationa Memçaj dhe Olsian Çela? Në vendimin e KLP që ka siguruar Shqiptarja.com thuhet se Lulzim Alushaj nuk plotëson kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur.
“Nga rezultat e verifikimit paraprak rezulton sa më poshtë: 1. Kandidati Lulzim Alushaj nuk plotëson kushtet ligjore për të vijuar garën për plozionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Konkretisht nga studimi i dokumentacionit të paraqitur nga aplikanti rezultoi se kandidati nuk plotëson kushtin e pasjes së 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur, të parashikuara në nenin 148/a pika 3 të Kushtetutës, neni 22 të ligjit 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë dhe nenin 4 të rregullores për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Siç rezulton nga kopja e diplomës e depozituar nga kandidati, z. Alushaj është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Bolonga në 15 qershor 2004. Në këto kushte, deri në datën 29 prill (datë kur janë paraqitur shprehjet e interesit nga kandidatët) kishin kaluar më pak se 15 vjet nga disa e diplomimit të kandidati Alushaj”, thuhet në vendimin e KLP.
Gjithashtu, sipas KLP “duke ju referuar precedentit të vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në interpretimin e konceptit ‘përvojë pune’ në procesin e shqyrtimit të kandidaturave për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se, bazuar në legjislacionin e punës në Republikën e Shqipërisë, Këshilli ka konsideruar ‘përvojë pune’ vetëm ato periudha gjatë të cilave kandidati ka pasur një kontratë të rregullt punësimi dhe për të cilat janë paguar rregullisht tatimet dhe /ose sigurimet e detyrueshme shoqërore e shëndetësore. Edhe dokumentacioni i paraqitur nga vetë kandidati bashkë me shprehjen e interesit për kandidim tregon se z. Alushaj arrin të provojë përvojë punësimi vetëm për periudhën shkurt 2005 e në vazhdim”.
Gjykata shtyn vendimin
Gjykata e Apelit Administrativ ka shtyrë për herë të dytë vendimin për avokatin Lulzim Alushaj, i cili kërkon që të kandidojë për kryeprokuror. Mungesa e njërit prej gjyqtarëve ka bërë që vendimi të shtyhet për në 25 Tetor në orën 08:45 minuta. Ky vendim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e larguar atë nga gara, u ankimua nga avokati Alushaj. Në 21 Tetor shkak për shtyrjen e seancës u bë mosplotësimi i trupës gjykuese, pasi mungonte një prej anëtarëve të saj, ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe sot duke e shtyrë sërish.
Ky ziteria eshte emeruar pedagog i brendshem Ne fakultetin juridik te universitetitte shkodres pa konkurs. Per me teper nuk shkon asnje dite ne mesim sepse merret me avokati ne Tirane. Kesaj i thone pervoje e spikatur si jurist?!
Përgjigju