Mid'hat Frashëri i njohur si Lumo Skëndo

Vendimi i qeverisë, kthehen në atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit

1 Gusht 2018, 08:25| Përditesimi: 1 Gusht 2018, 16:27

  • Share

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për kthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, patriotit, personalitetit të shquar të kulturës e të letrave shqipe, firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit. I njohur ndryshe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe i ndarë nga jeta më 03 tetor të vitit 1949, nga një goditje në zemër në hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut, Mid’had Frashëri u varros në varrezat “Fernchff” në New York të SHBA-ve.

Eshtrat e personalitetit të shquar do të kthehen në atdhe gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, me një ceremoni shtetërore që do të mbahet nga 14-22 nëntor 2018”, sipas vendimit të qeverisë shqiptare të firmosur nga kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë mësojmë se kërkesa për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe, ka qenë e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, sipas kryetarit të këtij Instituti Uran Butka. Për ceremoninë e kthimit të eshtrave, qeveria ka akorduar edhe një buxhet shtetëror me një fond prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh.

Ja çfarë shkruhet në vendimin e qeverisë:

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1. Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.

2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

3. Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

4. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

5. Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA”

Kush ishte Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare.  Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani.

Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar  përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë.  Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh,për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj,Muho Xhakja,Astrit Sako,Braho Husi,Sulo Male,Hysni Aliko,Hajredin Peshkëpia,Skënder Omari,Iliaz Guri,Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa,At Paul e V.Rado.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • c'a bohet keshtu: 08/11/2018 05:06

    Paguani edhe nje varr qe ta kete kur te ngordhe legeni Uran Butka, qe nuk la kriminel pa levduar dhe eshtra gomeresh te rivarosur per tradhetare e bashkepunetore te fashizmit, duke i nderuar, nje qen bir qeni..

    Përgjigju
  • Naimi: 01/08/2018 08:54

    Te ngrihet edhe nje monument kushtuar ketij atdhetari te shquar burre shteti.

    Përgjigju
  • rimi: 01/08/2018 08:48

    Po nuk latë kriminel pa e riatdhesuar po çfarë po ndodh në këtë vend të vogël por të kapur nga krimi.Po si ka mundësi që shteti të paguajë lekë pë një bashkëpuntor më pushtuesin???????

    Përgjigju
    • Beni: 01/08/2018 09:25

      Gjithkush duhet gjykuar me te mirat dhe te keqijat e tij...Nuk mund te verpohet ne demokraci sic bente Enveri....Djali i Andyl Frasherot ka nje kontribut te jashtezakonshem ne periudhen deri ne 1939....

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?