Policia e Burgjeve

Kronikë

Vendimi i Qeverisë, përcaktohen ditët e pushimit për policët e burgjeve! Ja sa marrin kur martohen, lindin fëmijë apo kanë fatkeqësi

17 Qershor 2021, 10:31| Përditesimi: 17 Qershor 2021, 10:32

  • Share

Këshilli i Ministrave përmes një vendimi të marrë dje ka përcaktuar qartë të gjitha modalitetet për ditët e pushimeve për të gjithë punonjësit e Policisë së Burgjeve në Shqipëri.  Në vendim thuhet se një polic burgu gëzon të drejtën e pushimeve në disa situata si martesa, kur bëhet me fëmijë, për sëmundjen e rëndë të një të afërmi etj.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

I. KRITERET PËR DHËNIEN DHE KOHËZGJATJA E PUSHIMEVE TË PAGUARA

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, përveç së drejtës për pushime javore dhe vjetore të paguara, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për Policinë e Burgjeve, gëzon të drejtën e pushimit të paguar, si më poshtë vijon:

a) Për lidhjen e martesës, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;

b) Për lindjen e fëmijës, bashkëshorti ose bashkëjetuesi që është punonjës i Policisë së Burgjeve, një kohëzgjatje prej 3 (tre) ditësh;

c) Për sëmundjen e rëndë ose vdekjen e bashkëshortit/bashkëshortes, bashkëjetuesit/bashkëjetueses, prindërve apo fëmijëve të tij, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;

ç) Për pësimin e dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore, për një kohëzgjatje prej 3 (tri) ditësh;

d) Për ndërrimin e banesës, për një kohëzgjatje prej 3 (tri) ditësh;

dh) Për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm për shkak të detyrës, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;

e) Për përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve akademikë për punën që kryen, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh.

2. Për përfitimin e pushimin e paguar, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i Policisë së Burgjeve paraqet në njësinë e burimeve njerëzore në institucionin ku është i punësuar, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim;

b) Sipas rastit, dokumentin që provon shkakun ose rrethanën për të cilën i lind e drejta për të përfituar leje të paguar sipas këtij vendimi, si:

i. në rastet e përcaktuara nga shkronja “a”, e pikës 1, të këtij kreu, certifikatën e lidhjes së martesës;

ii. në rastet e përcaktuara nga shkronja “b”, e pikës 1, të këtij kreu, certifikatën e lindjes së fëmijës;

iii. në rastet e përcaktuara nga shkronja “c”, e pikës 1, të këtij kreu, raportin mjekësor ose certifikatën e vdekjes;

iv. në rastet e përcaktuara nga shkronja “ç”, e pikës 1, të këtij kreu, vërtetimin nga autoriteti shtetëror përgjegjës që prona, shëndeti ose pasuria e punonjësit të Policisë së Burgjeve është dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore;

v. në rastet e përcaktuara nga shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij kreu, dokumentin që provon shitjen ose transferimin e pronësisë/posedimit mbi banesën e mëparshme dhe fitimin e titullit të pronësisë ose të posedimit mbi një banesë të re, si dhe vërtetimin nga njësia e qeverisjes vendore për banimin në banesën e re;

vi. në rastet e përcaktuara nga shkronja “e”, e pikës 1, të këtij kreu, vërtetimin nga institucioni i arsimit të lartë për regjistrimin e punonjësit të Policisë së Burgjeve në programin nëpërmjet të cilit fitohet titulli akademik;

vii. dhe çdo dokument tjetër të ngjashëm që provon shkakun ose rrethanën për të cilën i lind e drejta për të përfituar leje të paguar sipas këtij vendimi.

2. Në rastet kur pushimet e paguara përfitohen për shkaqet e parashikuara nga shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i Policisë së Burgjeve është i detyruar të njoftojë eprorin e drejtpërdrejtë, si dhe njësinë e burimeve njerëzore përpara fillimit të lejes së paguar e të paraqesë dokumentacionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, jo më vonë se dita e parë e kthimit në punë.

II. KRITERET PËR DHËNIEN DHE KOHËZGJATJA E LEJES PA TË DREJTË PAGE

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë që të kërkojë leje pa të drejtë page për:

a) arsye shëndetësore ose personale; si dhe

b) përkujdesjen ndaj fëmijëve, bashkëshortit/ bashkëshortes ose prindërve.

2. Punonjësi i Policisë së Burgjeve mund të përfitojë leje pa të drejtë page, sipas pikës 1, të këtij kreu, pas shqyrtimit të kërkesës nga organi përgjegjës, sipas përcaktimit të pikave 6 e 7, të këtij kreu, si dhe pasi është vlerësuar çdo faktor i rëndësishëm, veçanërisht shkaku për të cilin kërkohet leja, kohëzgjatja e saj, planifikimet e lejeve të zakonshme për të gjithë punonjësit e Policisë së Burgjeve në institucion, numri i vendeve vakante, si dhe nevoja për të garantuar rendin e sigurinë në institucion.

3. Për përfitimin e lejes pa të drejtë page, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i Policisë së Burgjeve paraqet në njësinë e burimeve njerëzore në institucionin ku është i punësuar, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së parashikuar të fillimit të lejes pa të drejtë page, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim;

b) Sipas rastit, dokumentin që provon shkakun ose rrethanën për të cilën i lind e drejta për të përfituar leje pa të drejtë page sipas këtij vendimi.

4. Në raste të veçanta, kur leja pa të drejtë page kërkohet për shkaqe që nuk mund të parashikoheshin, punonjësi i Policisë së Burgjeve mund të kërkojë të fillojë lejen jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës.

5. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik nuk mund të jetë më e gjatë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike.

6. Kërkesa, sipas pikave 3 dhe 4, të këtij kreu, shqyrtohet nga drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga data e paraqitjes së saj. Drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, me vendim të arsyetuar, miraton ose refuzon kërkesën për marrjen e lejes pa të drejtë page. Në rastet kur drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale refuzon kërkesën për marrjen e lejes pa të drejtë page, punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë të paraqesë ankim me shkrim, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së njoftimit, pranë drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i cili e shqyrton ankimin dhe merr një vendim të arsyetuar brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga data e marrjes së ankimit. Ndaj vendimit për refuzimin e ankimit mund të paraqitet kërkesëpadi në gjykatën administrative kompetente, sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

7. Në rastet kur leja e papaguar kërkohet nga drejtuesi i Policisë së Burgjeve, kërkesa paraqitet pranë drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe, në rast se kërkesa refuzohet, ankimi, sipas rregullave të përcaktuara në pikën 6, të këtij kreu, paraqitet pranë ministrit të Drejtësisë.

8. Periudha e lejes pa të drejtë page nuk llogaritet për efekt të ecurisë në gradë.

III. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Pushimet e paguara, lejet pa të drejtë page dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të punonjësit.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?