Pak ditë pas vendimit të Strasburgut për 21 Janarin, konkretisht rastin e Aleks Nikës, që denoncoi pamjaftueshmërinë e hetimeve të bëra nga autoritetet gjyqësore mbi tragjedinë e 21 janarit, ish-presidenti Bamir Topi i ftuar në “Frontline” në Report TV me Marsela Karapançon i është bashkuar këtij konkluzioni.
Sipas Topit vendimi për Nikën është një sinjal që vjen nga Strasburgu dhe “në radhë të parë duhet të sensibilizojë institucionet e drejtësisë së re”.
Pyetje: A mund të konsiderohet vrasje shtetërore 21 janari? Si e komentoni vendimin e Strasburgut?
Bamir Topi: S’dua të futem në petkun e drejtësisë. Ata janë të vëmendshëm. Çështja e 21 janarit nuk është e thjeshtë. Më 20 janar kujtohen të gjithë për të folur për 21 janarin, me datë 22 nuk flet askush. Ai sinjal që vjen nga Strasburgu në radhë të parë duhet të sensibilizojë institucionet e drejtësisë së re. Unë mendoj se janë duke punuar në përgjithësi dhe janë kryefjalë e jetës institucionale në Shqipëri. Besoj dhe uroj të jetë në vëmendje.
Pyetje: Zyra juaj shumë pranë kur ndodhi 21 janari. Cilin detaj do veçonit nga ajo ngjarje?
Bamir Topi: Momenti i vrasjeve sigurisht. Vrasja e një njeriu është fundi. Duhet të futesh në ndjenjën e familjes ata janë të parët që e ndjejnë. Pastaj të gjithë me radhë dhe në fund fare është pjesa që ekspozohet. Më pas vazhdoi në krijimin e alibive në pengimin e institucioneve për të bërë drejtësi… U ngrit një komision hetimor vetëm me pjesën e maxhorancës dhe mori në hetim institucionet kryesore të vendit. Dhe mori edhe presidencën. Mori kryeprokuroren shefin e shërbimit informativ, gazetarë njerëz të mediave… Janë ngjarje emblematike tragjike. E gjitha kjo ishte për ta vendosur çështjen penale për 21 janarin në terrenin e politikës. E kam thënë dhe dikur mua më është bërë gjyqi publik politik dhe institucioneve të tjera dhe praktikisht nuk kam parë t'i jetë bërë gjyqi opozitës.
Kanë dashur ta nxjerrin presidentin në atë kohë nga roli i arbitrit institucional. Atëherë i kam konsideruar jo vrasje në kryeministri por në bulevard. Kam kërkuar të mos pengohen institucionet e drejtësisë. Ai komision parlamentar i bëri gjyqin politik dhe nëse gjyqi politik do konsiderohesh me penalitete e kam thënë dhe dikur tjetër sot do isha me burg përjetë. Nga kjo pikëpamje keqardhja ime e madhe ishte çfarë ndodhi, por keqardhja tjetër është politika në parlament edhe pas ndryshimit, edhe ata që ishin deklaruar se do bëjnë çështje e mundur për të zbardhur 21 janarin por nuk është bërë kurrë tentativë për debat publik për të bërë gjyqin 21 janarit. Kam mirënjohje për partnerin tonë kryesor që në atë periudhë kanë ardhur kohë pas kohe për të dhënë ndihmë për ta kaluar atë problem.
Pyetje: Drejtësia e re a e ka pushtetin ta zbatojë ligjin?
Bamir Topi: Kam përshtypjen se po. Nuk po i vjen pushteti nga politika. Ata po rifitojnë terren, sepse nuk mund të fitohet menjëherë. Ata kanë mbështetjen e gjerë publike. Unë mendoj që është një element shumë i fuqishëm për të menduar.
Pyetje: Berisha në hetim nga SPAK, si e komentoni qëndrimin e tij që thotë se duhet autorizim nga SPAK?
Bamir Topi: Unë mund të flas por dua të ndjek të njëjtin standard kur një personazh është ne hetim për pozicionin që kam pasur preferoj të mos komentoj. Janë të shkruara të gjitha. Të zbatohet kushtetuta.
Lajmi kryesor:
Rithemelimi 'dogji' Kuvendin, Bamir Topi: Banda në institucionin e fjalës së lirë, ajo sallë nuk jep shpresë për sa kohë ka brenda ‘agjentin mikrobik’
B.K//ReportTv.al