Vendimi për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike, rrezikon të mos futet në fuqi në 1 tetor. Burime nga Ministria e Mjedisit, thonë se për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, afati mund të rishikohet për në një moment tjetër. Fillimisht ministri Blendi Klosi pati thënë se përdorimi i qeseve do ndalohej më 1 qershor 2020.
“Ka ardhur koha që si disa vende të tjera që janë më të avancuar në këtë aspekt por si të gjitha vendet që po shkojnë me shpejtësi drejt këtij reduktimi edhe Shqipëria të shënojë në 1 qershor të vitit 2020 vendin e parë evropian pa qese plastike”, pati deklaruar Klosi në 20 shtator 2019.
Ky propozim i ministrit Klosi nuk hyn në fuqi në muajin qershor pasi tërmeti i 26 nëntorit, vonoi konsultimin e projektligjit për ndalimin e qeseve plastike në vend. Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit kjo ishte arsyeja që ndalimi i qeseve u vendos të shtyhej për në 1 tetor 2020.
Mirëpo futja në karantinë e vendit dhe marrja e shumë masave shtrënguese për të mos lejuar përhapjen e do të shtyjë përsëri afatin. Burime nga Ministria thonë se vendimi për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike, pritet të mos hyjë në fuqi më 1 tetor, por të shtyhet për një periudhë tjetër. Edhe pse projektligji është depozituar në Kuvend në muajin mars 2020, vendimi mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, edhe pse ende nuk është vendosur saktësisht se për sa kohë do të shtyhet ky vendim.
Nisma ligjore që ende nuk ka kaluar në Komisionet parlamentare ndalon përdorimin, hedhjen në treg, prodhimin, importimin apo futjen në vend të qeseve plastike, si një masë për të mbrojtur mjedisin. Përdorimi i këtyre produkteve pas hyrjes në fuqi të projektligjit do të shoqërohet me masa ndëshkuese, pasi çdo person që i përdor dënohet me gjobë, në vlerën nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa ata persona, që hedhin në treg, prodhojnë, importojnë apo fusin në vend qese plastike mbajtëse dënohen me gjobë, në vlerën nga 1 milion deri në 1.5 milion lekë. Në Shqipëri janë mbi 30 kompani që merren me prodhimin e qeseve plastike dhe është një industri që qarkullon rreth 200 milionë euro.