Krasniqi: Vendimi për negociatat, fituesit realë dhe katër këshilla politikës

15 Shtator 2019, 09:59| Përditesimi: 15 Shtator 2019, 10:01

  • Share

Në fundin e shtatorit parlamenti gjerman do të marrë një vendim mbi hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë. Në të njëjtën javë do të ketë një vendim edhe nga shtete që ende nuk kanë një pozicion të përcaktuar, si Franca, Holanda, Danimarka dhe Greqia. Vendimi do të duhej të merrej më 2017 por problemet tona të brendshme e shtynë për në qershor 2018 dhe më pas për në qershor 2019. Nga viti 2018 dhe deri tani në aspektin e demokracisë funksionale Shqipëria ka bërë hapa pas, – dështoi me zgjedhjet lokale, ka rritje të raportimeve për shkelje e të drejtave të njeriut, ka presion mbi median, dhe opozita është jashtë institucioneve përfaqësuese. Gjatë kësaj periudhe ka pasur progres të lehtë në ecurinë e vettingut në drejtësi, krijimin e KLP, KLGj, KED dhe ecurisë drejt kuorumit në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka ende rezultate në luftën ndaj korrupsionit, asnjë zyrtar i lartë nën hetim nuk është ende i dënuar dhe fitimet e grupeve kriminale në valën e kanabisit 2015-2017 kanë ndikuar negativisht në ekonomi dhe në tregun konkurrues.

Cili do të jetë vendimi për Shqipërinë? Si profesionist e di dhe e pranoj se përballë shtatë kritereve Shqipëria merr notë jo kaluese. Si qytetar e di dhe gjithashtu e pranoj se vendimmarrje të tilla nuk janë statike dhe se midis të gjitha opsioneve, më shumë “Europë” në Shqipëri do të na bënte mirë të gjithëve, përfshirë forcimit të demokracisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Ndaj, pritshmëria ime është për një vendim final pozitiv për Shqipërinë, por të kushtëzuar. Mund të ketë hapje vetëm për dy kapituj të bisedimeve, një praktikë e paaplikuar për vendet e tjera, ose mund të ketë hapje me një paketë shoqëruese kërkesash nga pas. BE dhe sidomos Berlini e Franca duket se midis projektit të pritjes pa datë për kohën kur Shqipëria do të mund të bëjë progres dhe një vendimmarrjeje mbështetëse gjeopolitike në “paketë” me Maqedoninë e Veriut, do të zgjedhin këtë të fundit. Një vlerësim negativ për Shqipërinë, do t’i shtynte shanset tona së paku 3-7 vite, ndërkohë që brenda vendit keqqeverisja si model do të mbetej e paprekshme kurse vala e pesimizmit mund të kthehet pjesërisht në investim kundër projektit evropian. Në çdo rast, vendimi nuk do jetë vlerësim meritash dhe as standardesh, por një vendim gjeopolitik, siç ishte marrja e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO më 2008 vetëm pak javë pas tragjedisë së Gërdecit ku ishin të përfshirë edhe piramida e lartë ushtarake. Me siguri, si edhe herë të tjera vendimi i BE do të ketë komente në Tiranë, – militantët e partive do ta lexojnë në gjuhën e tyre, pro e kundër qeverisë, pro e kundër opozitës, kur në fakt, vendimi nuk ka lidhje direkte me to, por me Shqipërinë.

Në ligjërimin tonë publik shpesh identifikojmë Shqipërinë me qeverinë, qeverinë me partinë, partinë me liderin dhe kështu, edhe Shqipërinë me liderin. Në vendimmarrje të mëdha, si ky rast, këto janë mentalitete para-demokratike dhe të papranueshme. Ndaj kam bindjen se një vendim pozitiv ndaj Shqipërisë nuk do të ishte shpërblim për qeverinë e ministrave dhe zyrtarëve të lartë që bëjnë headline në media me aleancën e “çunave problematikë” apo “politikanët akullore”, dhe as më pak mbështetje për kryeministrin Rama, i cili ka kohë që ka filluar kurbën e tij pa kthim të rënies politike. Kush e mban mend cili ishte kryeministri kur aderuam në KE, në MSA, në NATO, etj? Vetëm ata që studiojnë politikën. Gjithashtu, një vendim pozitiv apo negativ nuk do të ishte as sukses dhe as dështim për opozitën, e cila ende nuk është e qartë se çfarë përfaqëson, çfarë synon dhe kush ka vendimmarrjen brenda saj, – si edhe as për institucionet, gjysma e të cilave, përfshirë Gjykatën Kushtetues, Gjykatën e Lartë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, etj, nuk janë funksionale dhe legjitime.

Vendimi pozitiv, në çdo formë e përmbajtje, është e do të jetë lajm i mirë për shoqërinë dhe qytetarët, një shpërblim për mbështetjen e madhe pro perëndimore dhe eksperimentin e reformës në drejtësi, një korrektim i strategjisë së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, një shans për ndryshime dhe katalizator për reforma, një ftesë mbi 70% të atyre që duan të largohen sidomos për të rinjtë, për të mos e braktisur vendin dhe një sinjal për të pasur një perspektivë evropiane edhe në Tiranë. Vendimi do të ishte zhvillim pozitiv dhe në interes edhe të Kosovës, si dhe një investim kundër rritjes së influencës dhe prezencave të tjera jo perëndimore në Shqipëri. Për më tepër, vendimi do të ishte një mundësi më e mirë për të rritur monitorimin dhe llogaridhënien mbi qeverisjen, për më shumë Bruksel dhe Europë në Tiranë, për dëgjimin e respektimin e zërave kritikë qytetarë dhe për një standard të ri drejt shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale. Sa më shumë “Bruksel” në Tiranë, aq më të lirë jemi e ndjehemi nga cilido që e sheh, e trajton dhe e sundon Shqipërinë si Pashallëk privat, familjar apo partiak.

Politika shqiptare e viteve të fundit ka bërë gjithçka për ta pamundësuar integrimin, për të penguar rritjen e prezencës perëndimore në Tiranë dhe për të pasur liri pa kufi në sjelljen e saj abuzive, korruptive dhe oligarkike. Në këto rrethana, asnjëra palë politike, as qeveria dhe as opozita, nuk mund ta pengojnë dhe as dëmtojnë vendimmarrjen e BE, për sa kohë nuk janë partnerë të besueshëm dhe nuk kanë ndonjë ide reformatore dhe as sens përgjegjësie. Por ato mund të bëjnë së paku katër gjëra për të ndihmuar procesin.

E para, qeveria dhe kryeministri të propozojë një platformë dialogu politik për daljen nga kriza, pjesë e të cilës të jetë Shqipëria e 4-5 viteve të ardhshme, reforma institucionale, reforma zgjedhore dhe natyrshëm edhe zgjedhjet e reja parlamentare e lokale më 2020. Kjo nuk bëhet me biseda mesnate në tëitter apo facebook dhe as me negociata oligarkësh, por publikisht, me transparencë dhe nën garancinë e Berlinit. Në çdo demokraci është përgjegjësi e qeverisë të ofrojë rrugëzgjidhje, sidomos kur qeveria nuk qeveris dot dhe kur ka një hendek të thellë midis gjysmës pro dhe gjysmës kundër qytetare ndaj saj.

E dyta, opozita të artikulojë publikisht gatishmërinë për zgjidhje të qëndrueshme e dialog politik, të publikojë platformën e saj të arsyeshme për Shqipërinë e të ardhmes, si dhe të adresojë në çdo kancelari e parti simotër kërkesën e qartë për nisjen e negociatave për anëtarësim. Midis opsionit dhe ofertës për më shumë “erdoganizëm” apo “Europë” në Tiranë, opozita duhet të zgjedhë pa kushte të dytën.

E treta, dy palët, sidomos parlamenti e qeveria, do të duhet të ishin minimalisht “korrekt” në aspektin diplomatik, duke lobuar përmes vizitave, kanaleve të komunikimit dhe çdo formë tjetër ligjore në Francë, Holandë, Greqi e vende të tjera ende skeptike. Vendi i elitës publike frankofone nuk mund të rrijë e heshtur kur Franca ka votë përcaktuese për Shqipërinë. Dhe kur flasim për lobim nuk përfitojmë asgjë duke shpërndarë shtetërisht veprën e re të udhëheqësit si në kohët e shkuara, dhe as investimi abuziv për t’i dhënë kostumin e artistit kryeministrit që tashmë ka hyrë në historinë politike si njeriu i vetëm që edhe kur konkurron vetëm, numëron vetëm, emëron vetëm, përsëri nuk zgjedh dot 61 kryetarë bashkie.

E fundit këshillë, nuk është çështje pritshmërie dhe as zgjedhje e tyre, por drejtuesit e mazhorancës dhe opozitës duhet të fillojnë përgatitjet personale dhe kolektive për tu përballur me hetime serioze ndaj çdo akuze që u bëhet, sapo SPAK dhe BKH të krijohet. Skenari se të njëjtët mund të drejtojnë në dy kohë të kundërta ka marrë fund, dhe Byroja Politike e viteve 1990-1991 e provoi. Tani është koha ta shijojë e provojë edhe Byroja e re Politike në krye të partive politike dhe institucioneve kryesore të shtetit. Në politikë revolucione të tilla kërkojnë kohë, aleanca e të mençurve dhe të ndershmëve rrallë bëhet shumicë, por gjithsesi, eksperimente të tilla në Kroaci, Rumani e vende të tjera afër nesh, janë e mbeten shpresëdhënëse

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?