Vendimi për Tahirin...Copy-Paste si i Gjykatës Vlorë për dënimin e Renaldo Avdulaj

20 Shtator 2019, 11:50| Përditesimi: 20 Shtator 2019, 11:59

  • Share

TIRANE - Vendimi për dënimin me 3.4 vite burg të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-vartësit të tij Jaeld Çela, që dikur mbante postin e drejtorit të policisë në Vlorë, duket se ka gjetur mbështetje në një vendim të marrë nga gjykata e Vlorës, për ish-policin e krimit ekonomik në Vlorë Renaldo Avdulaj. Ky ish-zyrtar i policisë së Vlorës që rezulton të jetë dhe kunati i Gjergji Kohilës, ashtu si Jaeld Çela dhe Sokol Bode, dalin në përgjimet telefonike të dosjes “Treblova”. Avdulaj përmendet nga trafikantët dhe kultivuesit e drogës, madje sipas bisedave të tyre rezulton se ai ka një parcelë të mbjellë me drogë në zonën e Treblovës, dhe se për këtë parcelë kujdesen punëtorët e Taulant Haxhiraj. Të pandehur e kësaj dosje dhe më konkretisht Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Bako dhe Marjus Bajrami janë dënuar nga gjykata e krimeve të rëndë me një vendim në total prej 29 vite burgim. Së bashku me ta ishte marrë i pandehur dhe punonjësi i policisë së Vlorës Renaldo Avdulaj, për të cilin gjykata e Krimeve të Rënda gjatë seancës paraprake vendosi ta veçojë çështjen e tij, duke e shkëputur nga grupi kriminal dhe dërguar dosjen në Vlorë, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke ja lënë kompetencën për ta gjykuar gjykatës së Vlorës.

Me gjykim të shkurtuar ky efektiv i policisë së Vlorës, kunat i Gjergji Kohilës është dënuar në mungesë me 5 vite burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk provohej implikimi direkt i tij në këtë grup kriminal. Por me gjykim të shkurtuar ky dënim për Avdulaj është reduktuar në 4 vite burgim, duke e kaluar në shërbim prove. Momentalisht ky dënim është apeluar në gjykatën e Apelit Vlorë,ku Avdulaj kërkon pafajësi. I njëjti vendim siç ndodhi për ish-policin e Vlorës Avdulaj të përmendur në përgjimet e dosjes Treblova, është dhënë dhe dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela.

Në argumentim, vendimi i Tahirit është një vendim copy-paste, me atë të marrë në Vlorë kundër Renaldo Avdulaj. Veç se ndryshojnë rrethanat e fabulës. Në të dyja rastet ka qenë gjykata e Krimeve të Rënda, që ka kualifikuar akuzat, duke rrëzuar akuzat e tre prokurorëve Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arenc Çela, dhe përcaktuar më pas akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Kjo akuzë është “ngjizur” nga gjykata pas dy vite hetimesh shumë të dobëta që ka bërë prokuroria e Krimeve të Rënda. Pesë prokurorë gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë mundur të gjejnë prova apo fakte direkte që të vërtetojnë implikimin e Tahirit në trafikun e drogës. Por dosja ka shkuar në gjykatë vetëm me indicie, duke e arnuar me përgjimet telefonike të tre procedimeve penale. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar për “Shpërdorim detyre” Saimir Tahirin për shitjen e makinës tek Artan Habilaj, dhe kontaktet që ai ka pasur me këtë fundit gjatë një vizite në Greqi. Por edhe se kushërinjtë e tij kanë përdorur emrin e tij në bisedat telefonike.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?