Qeveria shqiptare, në paketën e re fiskale, ka vendosur që të taksojë për herë të parë edhe gazin që blejnë familjarët për të gatuar dhe për t’u ngrohur. Si pjesë e paketës fiskale 2022, është vendosur që gazi të taksohet me 6 lekë për litër, pasi ka pasur abuzime, dhe gazi i blerë për konsum është përdorur për mjetet motorike.
Pas këtij vendimi, përmes një reagimi Konfindustria shprehet kundër propozimit të qeverisë për akcizë 6% për gazin që blihet nga qytetarët për ngrohje dhe gatim. Sipas Gjergj Buxhukut këto propozime do të rëndojnë drejtpërdrejt te bizneset dhe qytetarët dhe do të favorizojnë oligopolet e karburanteve dhe gazit të lëngshëm.
Konfindustria është kundër akcizës prej 6 lekësh të gazit, të propozuar në paketën fiskale për vitin 2022. Kreu i konfederatës së Industrisë Gjergj Buxhuku thotë se kjo masë do të rëndonte drejtpërdrejtë bizneset dhe qytetarët.
“Kundërshtojmë vendosjen e akcizës prej 6 lekë/litër e gazit të lëngshëm si dhe heqjen e rimbursimit për industritë, në kushtet e krizës së rëndë energjitike që po kalon tashmë vendi nga rritja e pakontrolluar e cmimeve të karburanteve dhe paralajmërimet e rritjes së fortë në janar 2022 të cmimeve të energjisë elektrike për mbi 7700 bizneset kryesore shqiptare. Ulja me 2 lekë/litër e akcizës së sotme të gazit të lëngshëm për automjetet rrezikon të përfundojë si fitim shtesë për grupet oligopol të karburanteve dhe gazit të lëngshëm”, thuhet në reagim.
Buxhuku thotë qeveria duhet të krijojë Entin Rregullator të Karburanteve/ERRK si përgjegjës për cmimet dhe cilësinë e produkteve të tregut të karburanteve dhe gazit.
Kujtojmë se Ministria e Financave ka shpjeguar se një vendim i tillë vjen pasi qytetarët kanë abuzuar dhe kanë marrë gaz për konsum familjar dhe e kanë përdorur për mjetet. Pritet që pas miratimit të këtij vendimi vendosja e taksës të reflektohet edhe tek rritja e çmimit të gazit, që brenda pak muajsh u rrit nga 60 në 89 lekë.