Muzeu Kombëtar i Pavarësisë

Politikë

Vendimi/ Qeveria i kalon për administrim Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë ministrisë së Kulturës

24 Nëntor 2021, 20:01| Përditesimi: 24 Nëntor 2021, 20:29

  • Share

Qeveria ka vendosur që të Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë t'i kalojë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, administrimi i të cilit më parë është bërë nga bashkia Vlorë.

'Vendimi nr.293, datë 17.5.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen “Kombëtar” të Muzeut të Pavarësisë, Vlorë dhe për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të tij, nga Bashkia e Vlorës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, shfuqizohet.'-thuhet në vendim.

Kështu nga sot, ky muze Kombëtar i Pavarësisë do të menaxhohet nga Ministria e Kulturës, si dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore.

FUNKSIONIMIN, ORGANIZIMIN DHE VEPRIMTARINË E MUZEUT KOMBËTAR TË PAVARËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 209, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Përcaktimin e funksionimit, organizimit e të mënyrës së zhvillimit të veprimtarisë së Muzeut Kombëtar të Pavarësisë.

2. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë është person juridik, publik, buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me seli në Vlorë. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë është institucion i specializuar në fushën muzeore dhe ka statusin “muze kombëtar”.

3. Mjediset, ku ushtron veprimtarinë Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, janë në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

4. Misioni i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë është përkujtimi dhe promovimi i vlerave të periudhës historike të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, trashëgimisë historike, që lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë, Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

5. Burimet e financimit tё Muzeut Kombëtar të Pavarësisë janë:

a) buxheti i shtetit;
b) burime tё tjera sipas legjislacionit nё fuqi.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TЁ MUZEUT KOMBËTAR TË PAVARËSISË

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për të siguruar:

a) dokumentimin e fakteve historike, lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912, nëpërmjet studimit, kërkimit, arkivimit të këtyre fakteve, si dhe bashkëpunimit me subjekte publike e private, shqiptare apo të huaja;

b) ruajtjen e trashëgimisë kulturore lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912;

c) ofrimin e shërbimit për publikun dhe promovimin e publikimin e fakteve historike lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I MUZEUT KOMBËTAR TË PAVARËSISË

1. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë e shtrin veprimtarinë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet nё nivel qendror.

2. Struktura dhe organika e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë miratohet me urdhër tё Kryeministrit, sipas përcaktimeve nё legjislacionin nё fuqi pёr organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

3. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë kryen këto detyra:

a) Zbaton politikën e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të muzeologjisë, me qëllim ruajtjen, mbrojtjen, ekspozimin, pasurimin, propagandimin, studimin, restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike;
b) Ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis që nxit edukimin dhe argëtimin;
c) Merr të gjitha masat për të siguruar disponueshmërinë e koleksioneve të muzeve për vizitorët dhe studiuesit;
ç) U ofron personave të të gjitha moshave mundësi për të mësuar nëpërmjet kontaktit me materiale origjinale, edhe duke bashkëpunuar me subjektet arsimore;
d) Organizon aktivitete, të cilat përmbushin vizionin e misionin e tij në përkujtimin e ditës së Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912;
dh) Organizon brenda dhe jashtë vendit çeljen e ekspozitave me objektet që disponon, në përputhje me legjislacionin nё fuqi;
e) Përgatit pasaportën shkencore të çdo objekti ekzistues apo të ri, që bёhet pjesё e fondit tё tij, dhe ia përcjell për regjistrim institucionit përgjegjës për regjistrimin e trashëgimisë kulturore;
ë) Kryen hulumtime profesionale dhe shkencore për mbledhjen, vlerësimin e ekspozimin e objekteve që disponon;
f) Nxit e inkurajon, nëpërmjet projekteve, veprimtarinë kërkimore-shkencore lidhur me fondet që administron për studiuesit në fushën e historisë dhe punonjësit në fushën e muzeologjisë;
g) Inkurajon dialogun me dhe ndërmjet qytetarëve për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen shqiptare.

4. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë e realizon veprimtarinë e tij nё bashkëpunim me:

a) organet e administratës shtetërore qendrore dhe organet e vetëqeverisjes vendore;
b) rrjetin muzeor shqiptar;
c) muzetë kombëtarë, muzetë qendrorë, muzetë vendorë, muzetë autonomë, muzetë privatë, për të tërhequr në fondet e tij objekte me vlera të veçanta, si edhe për ekspozita e aktivitete të tjera të përbashkëta;
ç) institucione shkencore, kulturore, artistike dhe fetare, individë, persona fizikë dhe juridikë, privatë, për evidentimin, grumbullimin e restaurimin e objekteve, pjesë e fondit të tij, që janë vlera materiale të trashëgimisë kulturore dhe muzeologjisë;
d) institucione të huaja simotra nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare, duke marrё nё çdo rast miratimin e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

5. Statuti dhe rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë miratohen nga ministri, me propozimin e drejtorit të muzeut.

6. Marrëdhëniet juridike të punës sё drejtorit, të nëpunësve dhe të punonjësve tё Muzeut Kombëtar të Pavarësisë rregullohen nё bazë tё dispozitave tё Kodit tё Punës.

7. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë drejtohet nga drejtori i muzeut, i cili organizon e drejton tё gjithë veprimtarinë e institucionit dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

8. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë emërohet ose lirohet nga detyra nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, sipas kritereve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Muzeve. Drejtori emërohet për një mandat trevjeçar. Procedura e emërimit dhe e lirimit tё tij përcaktohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore nё rregulloren për metodat e brendshme tё punës dhe sjelljen e personelit.

9. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë ka kompetencat, si më poshtë vijon:

a) Drejton veprimtarinë e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në përputhje me legjislacionin në fuqi, statutin e institucionit dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të tij;
b) Përfaqëson Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në marrëdhëniet me të tretët;
c) Ka të drejtë të lidhë marrëveshje për shkëmbimin e fondeve muzeore, pas marrjes sё miratimit nga Këshilli Kombëtar i Muzeve. Procedura e ndjekur nё këtë rast bёhet sipas përcaktimeve të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
ç) Merr masa mbrojtëse dhe ruajtjeje lidhur me fondin kombëtar të muzeut;
d) Emëron e liron nga detyra të gjithë punonjësit e muzeut, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës;
dh) Nxjerr urdhra dhe udhëzime me karakter të brendshëm për punonjësit e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë;
e) Çdo kompetencë tjetër në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

10. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka stemën, logon dhe vulën e tij zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e … (emri i ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore), Muzeu Kombëtar i Pavarësisë”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

11. Vula e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave. Vula prodhohet, administrohet e ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Deri në miratimin e strukturës dhe të organikës së re të muzeut, sipas këtij vendimi, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë do të funksionojë sipas strukturës e organikës në fuqi.

2. Vendimi nr.293, datë 17.5.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen “Kombëtar” të Muzeut të Pavarësisë, Vlorë dhe për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të tij, nga Bashkia e Vlorës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, si dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besi: 25/11/2021 07:19

    Ketej nga Tirana' ja marrin shtetit e ja japin Lali Erit. Opo ja marrin privatit dhe bamp Lal Erit. Kurse ne Vlore ja marrin Lal Lelit dhe japin ....futja kot. Shtet o shtet. Ishalla nuk i ngrihet menja Rames ti fusi nje te pikturume si di ai vete e ta nxjerre shpine e flamurit me kepuce te kuqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?