VENDIMI: Sali Berisha mbetet “non grata” në Britani! Ish kryeministri humb gjyqin në Londër (DOKUMENTI)

17 Qershor, 12:38| Përditesimi: 18 Qershor, 07:50

  • Share

Tirane- Sali Berisha do të vijojë të jetë 'non grata', çka do të thotë se do të ketë të ndaluar hyrjen në Britaninë e Madhe. Ish-kryeministri demokrat humbi sot (17 qershor 2024) apelin e tij  në Komisionin e Posaçëm të Apelimit të Emigracionit në Londër kundër vendimit të Ministrisë e Punëve të Brendshme, “Home Office.

Ai u shpall non grata nga Mbretëria e Bashkuar më 19 korrik 2022 për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsion.

Berisha apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në mars 2024, duke pretenduar se vendimi ndaj tij u mbështet në pohime të rreme dhe të paprovuara.

Lidhje te qarta me krimin, u perfshitë në korrupsion dhe me Damir Fazllic

Më 21 korrik 2022, Sekretari i Shtetit për Departamentin e Brendshëm ("SSHD") i shkroi Berishës për ta informuar se, më 19 korrik 2022, ishte marrë një vendim për përjashtimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të kriminalitetit dhe korrupsionit dhese prania e tij në Mbretërinë e Bashkuar nuk ishte e favorshme për të mirën publike. Arsyet ishin si më poshtë:

"...ju keni lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që kanë paraqitur një kërcënim për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe se jeni të gatshëm t'i përdorni këto lidhje për të çuar përpara ambiciet tuaja politike, dhe... keni përdorur pozicionet tuaja të zgjedhura për t'u përfshirë në korrupsion dhe sjellje kriminale për të pasuruar veten dhe rrethin tuaj të ngushtë, në veçanti ish-këshilltarin tuaj zgjedhor Damir Fazlliç, të cilin më pas e mbrojtët kur u shfaqën provat e kriminalitetit. Tashmë dihet se vendimi për përjashtimin e Dr. Berishës ishte një nga të shumtët e marrë në lidhje me shtetasit shqiptarë si pjesë e Projektit Crime State Nexus ("CSNP"), i cili ka për qëllim prishjen e lidhjeve midis politikanëve dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë në veçanti" shkruhet në dokumentin e vendimit

 Në vendimin 24 faqesh renditen dhe provat e përfaqësueses së qeverisë angleze në këtë proces, Lisa Giovannetti KC, që kanë të bëjnë me ndërhyrje në drejtësi të Sali Berishës, përfshirjen në korrupsion, lidhjet me Damir Fazllic dhe lidhjet me krimin e organizuar e Fatjon Dautin. Në vlerësim janë marrë dhe raportet e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Konkluzionet e publikuara në këto dokumente konsiderohen institucionale dhe janë produkt I mbështetur në burimet e shteteve mike’ thuhet në vendimin 24 faqesh. 

Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i vitit 2008 dha një bazë të duhur për përfundimin se Dr. Berisha e kishte mbrojtur Damir Fazlliçin nga ndjekja penale. 

Video ku tregohet Fatjon Dauti duke shkeluar derën e selisë së PD-së dhe një grup njerëzish që hyjnë brenda reflekton se   Dr Berisha ishte i gatshëm të përdorte kriminelë për të mirat që do të përfitonte nga ata në video, që tregoi se ai ishte gati të përfitonte nga dhuna e Dautit.

Komisioni është shprehur në favor tëqëndrimit të Qeverisë në këtë rast, duke hedhur poshtë të gjitha arsyet e ankimimit të Berishës. Më e rëndësishmja, Gjykata ka gjetur se rekomandimi për të përjashtuar Berishën është arritur siç duhet si "produkt i një vlerësimi holistik të provave në dispozicion".

“E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për ti ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet” thuhet në vendimin që ka bashkangjitur dhe shqiptarja.com 

 

I takon Britanisë të vendosë kë lejon në territorin e saj 

Sipas vendimit Berishës nuk i është shkelur asnjë e drejtë me ndalimin e tij të hyjë në Britani. Në pikën 91 të vendimit 24 faqesh thuhet se Berisha nuk ka gëzuar kurrë asnjë të drejtë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë si çështje e së drejtës së brendshme apo si çështje e së drejtës ndërkombëtare. Kështu ishte edhe kur ai shërbente si kryetar shteti dhe shef i qeverisë. Gjithashtu nuk merr parasysh as imunitetin si ish President e ish Kryeministër

Si çështje e së drejtës ndërkombëtare, vendimi nëse do ta pranojë atë në Mbretërisë së Bashkuar është një ushtrim i së drejtës sovrane të Mbretërinë e Bashkuar për të kontrolluar hyrjen në territorin e saj. Sipas mendimit tonë, vendimi për përjashtimin e Dr. Berishës ishte gjithashtu, në termat e së drejtës ndërkombëtare, një ushtrim ekuivalent i të drejtës sovrane të Mbretërisë së Bashkuar për të kontrolluar hyrjen në territorin e saj, megjithëse përcakton çështjen e lejes së tij për të hyrë përpara çdo aplikimi të tij" argumentohet në vendim

 "Në këndvështrimin tonë doktrina e imunitetit shtetëror apo cdo lloj imuniteti tjetër të mbajtur nga zoti Berisha në respekt të posteve të mbajtura si kreu I shtetit apo qeverisë, I aplikuar për t u konsideruar në këtë apel na bën të marrim në konsideratë se nuk ka asnjë sugjerim nga zoti Berisha apo qeveria e Shqipërisë e cila ka dijeni për këtë apel që doktrina e aktit për shtetet e huaja të sjellë implikime në këtë apel' vijon më tej.

Nga arresti shtëpiak ku ndodhet për aferën Partizani, Berisha reagoi për vendimin, duke e quajtur të sponsorizuar nga kundërshtarët e tij politikë, Edi Rama në bashkëpunim me Soros.

Gëzimi për fitoren e vulës duket se nuk i zgjati shumë Sali Berishës, pozitat e të cilit në raport me ndërkombëtarët nuk kanë ndryshuar aspak. Më herët, edhe Shtetet e Bashkuara që e shpallën të parat non grata, deklaruan se nuk do të ndryshojnë qëndrim ndaj atyre që fusin në listë të zezë.

PDF/ Vendimi i Apelit për Sali Berishën

 

 

 

Ora 17:56
Nga korrupsioni në qeveri para zgjedhjeve 2013, tek lidhjet e Damir Fazllic me Argitën e Fation Dauti! Tre faktet që shqyrtoi Gjykata në Londër për Sali Berishën

1718631326_berisha.jpg

Në seancen gjyqësore të Komisionit Special të Apeleve të Emigracionit në Londër Lisa Giovannetti KC,  përfaqësuese e qeverisë angleze në këtë proces, renditi dhe arsyet pse duhej rrëzuar ankimi i Berishës.

Ajo shqyrton 3 episode për korrupsionin, ndërhyrjen në drejtësi, nga korrupsioni në qeveri në prag të zgjedhjeve 2023, tek Damir Fazlic dhe toka në Porto Romani dhe perfitimet nga Fatjon Dautin i cili në Britani akuzohet se drejtonte një rrjet kriminal në Angli dhe në mars 2021 Anglia i refuzoi rinovimin e  lejes së qëndrimit.

Një nivel i konsiderueshëm korrupsioni ka ndodhur gjatë gjithë kohës së Berishës si Kryeministër përfshi si më poshtë

 

Pjese e zbardhur nga vendimi i  “Komisionit Special të Apeleve të Emigracionit”

“Dëshmi për shpërdorim në shkallë të gjerë të pushtetit si Kryeministër

Raportime të brendshëm tregojnë abuzimin e pushtetit të Berishës në emërimin e zyrtarëve të korruptuar, ndërhyrjen në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për të mbrojtur vartësit nga hetimet dhe procedimet gjyqësore dhe përgjimin e paligjshëm të kundërshtarëve politikë.

Korrupsioni i përhapur nga Berisha dhe qeveria e tij, veçanërisht duke iu afruar zgjedhjeve të 2013-ës

Raportimi i brendshëm ofron një pamje të qëndrueshme dhe të qartë të korrupsionit të përhapur gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Berishës, por veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 2013-ës. Kjo u përdor për të çuar përpara interesat e tij, për të ndihmuar aleatët e tij dhe për të blerë mbështetje politike.

Kontrolli i ngushtë politik i Berishës dhe dominimi i qeverisë së tij

E rëndësishmja, raportimi i brendshëm tregon se korrupsioni i madh i përhapur i qeverisë së tij nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe autorizimin e Berishës duke pasur parasysh kontrollin e tij personal mbi qeverinë e tij”.

Shqyrtohen si jo relevante përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin, sepse edhe nëse do të ishte e vërtetë që të tjerë (si pasardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha) ishin përfshirë në korrupsion, kjo nuk do të thoshte se Dr. Berisha nuk ishte përfshirë (shih para. 35. të Aneksit B).

Në 2008 raporti i DASH siguroi prova për të arritur në konkluzionin se Berisha mbrojti Damir Fazlic, nga hetimi.

Burim i HAPUR raporton për Fazlliçin, i cili ishte mik dhe këshilltar zgjedhor i Dr Berishës dhe klient ligjor i vajzës së tij dhe ishte hetuar në Shqipëri për pastrim parash. Në faqen e internetit Balkan Insight kishte raportime se hetimi ishte subjekt i "presionit të fortë politik mbi zyrën e prokurorisë nga qeveria dhe [Dr Berisha]" dhe raportime të brendshme për të njëjtin efekt. Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i vitit 2008 arriti të njëjtin përfundim.

Dr. Berisha në deklaratën e tij të parë dhe të dytë si dëshmitar nuk e trajtoi pretendimin se ai kishte ushtruar presion ndaj autoriteteve të ndjekjes, por pohoi se hetimi ndaj Fazlliçit nuk ka vërtetuar ndonjë keqbërje nga ai. Ekipi i  Projektit Crime State Nexus  (CSNP-së)  nuk pranoi që Fazlliç të ishte shfajësuar, duke pasur parasysh burimin e hapur që raportonte se çështja u pushua sepse prokurorët nuk ishin në gjendje të aksesonin dokumentet kryesore, konkluzionet e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për vështirësinë e ndjekjes së çështjeve penale kundër zyrtarëve, politikanëve, gjyqtarëve dhe personat me interesa të fuqishme biznesi dhe me burim të hapur rapotuan presionin që u aplikua nga qeveria dhe Berisha në veçanti.

Blerja nga Fazlic e tokës në kufi me parkun energjetik të Porto Romanos, ndodhi pasi ai kishte njohuri të brendshme.

Raportimi me burim të hapur tregon se: vajza e Dr. Berishës, Argita Malltezi, u largua nga puna në OKB disa muaj pasi Dr Berisha u bë Kryeministër në 2005, për të hapur një zyrë ligjore në Tiranë; me ndihmën e bashkëshortit të saj. Znj. Malltezi punësoi një ndërmjetës për të blerë tokë nga fshatarët në kufi të një parku energjetik; Bashkëshorti i zonjës Malltezi pranoi se kishte informacion në lidhje me zhvillimin e asaj zone; Zoti dhe zonja Malltezi morën një përfitim financiar kur toka iu shit Fazlliçit; dhe toka u rrit më pas në vlerë tetëfish kur qeveria zgjeroi parkun energjetik aty pranë.

 Ekipi i CSNP shqyrtoi me kujdes deklaratat e Dr. Berishës. Ata hodhën poshtë shpjegimin e tij (se do të ishte "e palogjikshme dhe joproporcionale" zgjerimi i një parku energjetik me qëllim të sigurimit të një përfitimi për Fazlliçin). Ishte e qartë se kishte një synim për të rritur madhësinë e parkut energjetik dhe për t'u përfshirë në korrupsion. Dëshmia e znj. Malltezi se ajo nuk kishte përfituar nuk ishte bindëse, duke qenë se: ishte kundërshtuar nga raportimi me burim të hapur; kishte një dokument me nënshkrimin e saj; u realizuan fitime të mëdha nga blerja e tokës, e cila më pas do të rritej në vlerë.

Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i vitit 2008 dha një bazë të duhur për përfundimin se Dr. Berisha e kishte mbrojtur Fazlliçin nga ndjekja penale.

Berisha përfitoi nga lidhjet me kriminelët dhe aktivitetet kriminale:

Ka raportime të brendshme që tregojnë lidhjet e Dr. Berishës me kriminalitetin dhe krimin e organizuar dhe gatishmërinë e tij për të inkurajuar mbështetësit politikë që të përfshihen në dhunë. Ekziston edhe një raportim me burim të hapur nga dhjetori 2021, i cili tregon pamjet video të kriminelit të njohur shqiptar Fation Dauti duke shkelmuar dhunshëm në një derë të selisë së Partisë Demokratike në emër të Dr Berishës. Dauti është përjashtuar nga Britania e Madhe për shkak se vlerësohet se ka pasur rol drejtues në një grup të krimit të organizuar. SIAC ka zbuluar se Dauti është një anëtar me ndikim i një grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që importon dhe shpërndan drogë të klasit A ​​në Mbretërinë e Bashkuar dhe se ai është përfshirë në dhunë ekstreme.

Ekipi i CSNP mori parasysh deklaratën e Dr. Berishës se ai nuk e njihte Dautin, por e hodhi poshtë atë në bazë të raportimit të brendshëm dhe vlerësimit të tyre të videos. Parashtresa ministrore pranoi se afërsia e Dautit me Dr Berishën në video nuk vërtetonte domosdoshmërisht një lidhje personale mes të dyve, edhe nëse sugjeronte mundësinë e një të tillë. Megjithatë, mbeti vlerësimi se Dr. Berisha kishte qenë i lidhur me kriminelë dhe grupe të krimit të organizuar dhe se ai kishte përfituar nga këto lidhje. Se Dr Berisha ishte i gatshëm të përdorte kriminelë për të mirat që do të përfitonte nga ata në video, që tregoi se ai ishte gati të përfitonte nga dhuna e Dautit.

 

Ora 16:35
'Vendimi u ndikua nga Basha...', ish-kreu i PD-së i përgjigjet Berishës: Ngre pretendime imagjinare ndaj meje pasi Britania la në fuqi shpalljen ‘non grata’

1718179437_basha.jpg

Pasi Gjykata e Apelit në Londër la në fuqi shpalljen “non grata” të Sali Berishës në Britani, ish kryeministri akuzoi Lulzim Bashën për sanksionimin e tij nga Britania e Madhe.

Ndërkohë Basha nga ana tjetër i është përgjigjur menjëherë këtyre akuzave duke deklaruar se pretendimet imagjinare nuk ndihmojnë opozitën, e cila nuk meriton të jetë peng i anktheve personale të Berishës

Në postimin e tij në Facebook, Basha shkruan se Berisha dhe Rama janë në lojë me njëri tjetrin, duke dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptarë.

Postimi i plotë i Bashës

Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e "Non gratës" nga Britania e Madhe.

Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.

Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në.

Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë.

Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve.

Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.

Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim.

Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund.

Shqiptarët meritojnë më shumë!

Ora 16:31
Home Office reagon pas vendimit për Sali Berishën ‘non grata’ në Britani: U panë të gjitha provat

1716056928_berisha.jpeg

Qëndrimi që qeveria britanike përcolli përmes Home Office, tregon se rekomandimi CSN 2023 është arritur si produkt i një vlerësimi gjithëpërfshirës të provave në dispozicion.

Anglia mbetet një partnere afatgjatë e Shqipërisë, përfshirë prokurorin Special, policinë e shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në identifikimin e përgjegjësisë dhe ndërmarrjes së veprimeve kundër krimit dhe korrupsionit, theksohet në vendim. Aty kujtohen gjithashtu se hapat e ekzekutivit përfshijnë ndihmën për forcimin e strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK, veçanërisht për reduktimin e perceptimit të publikut lidhur me pandëshkueshmërinë dhe përmendet ofrimi i asistencës strategjike për policinë e shtetit shqiptar, bashkëpunimi me partnerët shqiptarë për forcimin e sistemit gjyqësor; mbështetja e medias së pavarur dhe shoqërisë civile për forcimin e transparencës brenda sistemit gjyqësor, si dhe nënshkrimi i deklaratës së përbashkët Shqipëri-Angli nëntorin e vitit 2023, që forcoi themelet e deklaratës dypalëshe të dhjetorit 2022.

Sekretari i brendshëm e ka fuqinë të përjashtojë një shtetas jo-britanik nëse prania e tij nuk konsiderohet e favorshme për të mirën publike. Përjashtimi rezervohet normalisht për raste që përfshijnë sigurinë kombëtare, krimin ndërkombëtar (krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit apo genocidin, korrupsionin dhe sjelljen e papranueshme. Aplikuesi ka të drejtën ligjore të kërkojë leje për të apeluar vendimin e gjykatës, theksohet më tej, teksa në fund evidentohet fakti që puna e përbashkët është duke prodhuar suksese domethënëse, me më shumë operacione të përbashkëta dhe hetime të planifikuara këtë verë./ Top Channel

Ora 15:04
'E donte me gjykatë, me gjykatë ja dhanë', Erion Braçe reagon pas lënies në fuqi të ‘non grata’ britanike të Berishës

1716815950_brace.jpg

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pasi Sali Berisha e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Braçe shkruan me nota ironie se ‘e nisi mbretëresha dhe e përfundoi mbreti’ dhe ashtu siç e deshi, vendimi non grata sipas tij u vulos me vendim gjykate.

Braçe shprehet se drejtësia britanike ka shqyrtuar faktet për korrupsion, gjë sipas tij nuk guxohet nga drejtësia shqiptare.

“E nisi mbretëresha e përfundoi mbreti. Salih Berisha non grata në Mbretërinë e Bashkuar. E donte me gjykatë, me gjykatë ja dhanë.

Por përtej kësaj gjykata ka bërë dy gjëra. E para ka shqyrtuar fakte për korrupsionin, ndërhyrjen në drejtësi etj, gjë që këtu tek ne nuk kanë guxim ti shohin.

E dyta-as ja ka marr kush parasysh imunitetin si ish President e ish Kryeministër! Pas kësaj nuk besoj qe te kenë rrjedhur deri aty sa te akuzojnë Edi Ramën se është pas gjykatës; Pas Mbretëreshës e pas Mbretit mundet! Pas gjykatës, vështirë shumë.”-shkruan Braçe në reagimin e tij.

 

Ora 13:40
Sali Berisha mbetet “non grata” në Britani! Reagimi i ish kryeministrit pasi humbi gjyqin në Londër

1716056928_berisha.jpeg

Ish kryeministri Sali Berisha reagon lidhur me vendimin e SIAC që nuk pranoi ankimimin e tij duke lënë në fuqi vendimin e Home office se ai është person i padëshiruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Berisha akuzon ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Alastair King Smith dhe të tjerë ish se janë të  korruptuar nga lobimi i Xhorxh Soros dhe Edi Rames.

Prej dhjetorit 2023,  Sali Berisha dhe dhëndri Jamarbër Malltezi ndodhen në arrest shtëpie pasi po hetohet për akuzën e korrupsionit lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv ‘Partizani’ që u pasua me ndërtimin e 19 kullave dhe një fitim sipas SPAK prej 5.4 mln euro. Deklarata u shpernda nga zyra e shtypit e PD-se

Deklaratë e kryetarit të PD Sali Berisha

Vendim i SIAC shton nje kat ne monumentin e korrupsionit dhe turpit te vendimit për perjashtimin e Sali Berishes
 
Ne gusht të vitit 2022, une fillova procedurën e kundërshtimit të vendimit te State Secretary of Home Department (Home Office) të BM për përjashtimin tim nga ky vend, që m’u komunikua në datë 21 Korrik 2022, fillimisht nga Edi Rama në parlament dhe pastaj nga qeveria britanike.
Procedura e ankimimit parashikonte fillimin e detyrueshëm të saj pranë Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), perpara se palet te shkojne ne gjykate.
Procesi në SIAC eshte vonuar pertej çfaredolloj afati te arsyeshem per te penguar zbulimin e te vertetes.
Ky proces perfundoi sot, pas dy vitesh, me lënien ne fuqi te vendimit te Home Office nga Komisioni i Apelimit, duke deshmuar keshtu deshtimin e plote të ketij komision në goditjen e korrupsionit në segmente te administrates se Britanise se Madhe.
Në paragrafin 17 të vendimit të tij Komisioni (SIAC) pohon se nuk kane vleresuar as vertetesine e provave dhe as ate të akuzave të ngritura ndaj meje, por vetem nese Sekretarja e Home Office ka pasur baze qe, në bazë të provave që i janë vënë përpara, të besonte se vendimi i përjashtimit ishte i drejtë. Kjo provon qartë se, jo vetëm SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës siç pohon vete, por edhe se vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundershtarëve të mi politikë Rama, Basha, Veliaj.
SIAC gjithashtu pohon në vendimin e tij se ka vleresuar fare mijëra faqe prova dhe deshmi të paraqitura nga avokatet e z. Berisha, me pretendimin se jane paraqitur jashte afati (paragrafi 9). Nderkohe qe ato jane dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë te Home Office nuk ia kane paraqitur Sekretares te ketij institucioni me qellim qe ajo te mos njihej me permbajtjejn e tyre dhe per rrjedhoje te mos pranoheshin më pas nga SIAC, meqë Sekretarja nuk i kish patur para saj në momentin e marrjes së vendimit (shif paragrafin).
 
Theksoj se ky perjashtim i qellimshem i provave vjen:
(i) Pasi ambasadori ambasadorit Alastair King Smith i deshtuan provat e paraqitura ndaj meje ne Home Oficce, duke e detyruar të kalonte nga zyra ne zyre ne Tirane duke kerkuar prova tjera dhe duke u shprehur ne konfidence se ne e përjashtuam Berishen, por na duhen prova se ai na ka paditur.
(ii) Pasi ambasadori Alastair King Smith, i shkruante autoriteteve të tij se heqja e ekspulsionit per Berishen, qofte me vendim nga Home Office apo me vendime të tjera ligjore do të ulte reputacionin e Mbreterisë së Bashkuar.
(iii) Se fundi, kjo ka ndodhur pasi kur punonjësi i Home Office që përgatiti vendimin për përjashtimin tim i kërkoi provat kundër meje organit që kish përgatitur rekomandimin e përjashtimit tim – Crime State Nexus (CSN), që drejtohej nga paraardhesi i Ambasadorit Alastair King Smith, z. Norman Duncan, ky i fundit iu pergjigj në mënyrë qesharake se vendimi për përjashtimin tim ishte bazuar ne 38 DipTel (telegrame diplomatike), por se të gjitha DipTel kanë humbur. Natyrisht kjo nuk ishte e vertet dhe kjo ishte një tentative mjerane për të fshehur faktin se DipTels nuk tregonin asgje.
 
Sipas ambasadoreve te korruptuar nga lobimi i Xhorxh Soros dhe Edi Rames, Berisha duhej ndaluar sepse:
(1) Paska lidhje me piramidat e vitit 1997. ne nje kohe kur hetimet penale dhe parlamentare të zhvilluara nga PS pas ardhjes së saj në pushtet nuk kane deshmuar dot asnje fakt per kete gje. Vetë provat e sjella nga Home Office përgënjeshtrojnë pretendimet e saj. Madje vetë Parlamenti i MB, në një raport të posacëm që flet mbi këto skema, vlerëson qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe që këshillon institucionet britanike të ndjekin përqasjen e saj, si të vetmen rrugë të drejtë dhe ligjore - falimentimin e skemave piramidale dhe vënien e drejtuesve të tyre para drejtësisë.
(2) Berisha paska lidhje me krimin e organizuar pasi qe nje militant i PD te cilin Berisha nuk e kish takuar kurre ne jete (F. Dauti) gjate nje vajtje te komisionit te rithemelimit ne PD ka goditur me shkelm nje dere! Ndonëse në dokumentat e saj Home Office pohon se nuk gjetem asnje provë qe Berisha te kete ndonje lidhje me z. Dauti, në mënyrë allogjike e qesharake shprehen se kjo provon lidhjen e Berishes me krimin e organizuar, Kjo vetëm sepse ambasadori ka marrë të gatshme shprehjet e Lulzim Bashës.
(3) Berisha paska pasuruar biznismenin Damir Fazliç dhe ka ndaluar hetimin e tij sipas nje media te Soros. E verteta eshte se Fazliç nuk është favorizuar kurrë nga Berisha dhe qeveria e tij dhe nuk ekziston asnjë fakt që të provojë të kundërtën. Aludimi për ndërhyrje në hetimin e Fazlic i referohet faktit që prokuroria në një rast ka dashur t’a ndalojë pa pasur vendim me shkrim për ndalimin e tij, gjë që është refuzuar të zbatohet nga zyrtarët e policisë, në përputhje me Kushtetutën dhe garancitë universal për të drejtat e njeriut. Kur prokuroria leshoi shkresen ligjerisht, Fazlic erdhi dhe dha deshmine e tij. Prokuroria zhvilloi gjatë 1 viti hetime në Shqipëri dhe shtete të tjera ndaj Fazlic dhe nuk gjeti dot asnjë prove që të tregonte ndonje shkelje nga ana e tij.
(4) Berisha paska pasuruar Fazliç pasi ai, si çdo qytetar tjetër i këtij vendi apo i huaj, ka blerë 12 hektarë tokë private në Porto Romano, nga të cilat 2 hektarë nga dhëndri im dhe se për këtë shkak unë paskam zgjeruar parkun e Porto Romanos në mënyrë që toka e tij të futej brenda zgjerimit. E vërteta është se toka e Fazlic ishte pjesërisht brenda parkut të miratuar nga qeveria socialiste dhe qeveria e PD e zgjeroi parkun jo me pak hektare, por me 850 hektarë të tjerë, pasi në bazë të nje studimi shume-vjecar Ministria e Ekonomise krijoi zonen industriale energjitike ne Porto Romano, në bazë të interesave të krijimit të një parku të tillë dhe jo për pak hectare që kish blerë Fazlic. Që në vitin 2004 e në vijim, në fletoret zyrtare të Shqipërisë si dhe në media janë publikuar akte zyrtare që tregonin se parku energjetik do të zgjerohej, cka shtyu dhjetra biznesmenë të blinin tokë në këtë zone. Ky park dhe sot po zgjerohet perseri.
(5) Pretendimi se vajza ime paska perfituar nga investimi 100 ml euro i biznesmenit Ansar eshte shpifje dhe genjeshter e trashe. Kjo pasi ky investim nuk ka ndodhur kurrë. Personi në fjalë kërkoi të investonte pa respektuar rregullat e tenderit dhe kur vajza ime, ne perputhje me ligjin, refuzoi te loboje prane qeverise per këtë gjë, ai, pas një dreke në Rogner me Taulant Ballën dha deklarata të rreme dhe u largua pashlyer as detyrimin ndaj saj për punën avokatore (rreth 8,000 euro).
 
Si PERFUNDIM:
Te thuash se po lufton krimin e organizuar pse nje militant i panjohur goditi me shkelm nje dere dhe po ndeshkon liderin e opozites eshte perpjekje mjerane per te mbajtur ne pushtet korrupsionin dhe krimin e organizuar nderkombetar qe perfshin (i) narkoshtetin e pare ne Evrope ku kryeministri akuzohet nga zevendesi i tij se takon ne zyre kreret e bandave kriminale, ku shefat e policise jane ne marrdhenie me krimin per te porositur vrasje, (ii) ku jepen licence kazinoje per kartelin e droges Sinaloa, ku kokat e krimit te organizuar marrin statusin e investitorit strategjik (iii) ku kryeministri dhe keshilltaret e tij korruptojne e shefat e inteligjences se FBI si McGonigal dhe gjeneralin rumun Coldea, etj.
Rastet e paraqitura jane tregues qe nuk ka asnje prove apo fakt per asnje veprim te paligjshem nga lideri i opozites por duken qarte se jane perpjekje per te ndaluar opoziten te sfidoje pushtetin e korruptuar, qe eksporton krim te organizuar por qe pranon te marre refugjate sipas deshires se kerkueseve/lobuesve.
Sa mund te mbulohet dielli me shoshe, aq mund te humbe e verteta nen mashtrime. Mbetem i bindur se rruga e drejtesise qe do te vazhdoj do t’i sherbeje te vertetes dhe do te godase ne menyre te merituar korrupsionin transnacional.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • albaniston i bukur albonistan: 18/06/2024 10:45

    albaniston hesapi me dhjete lek pagun popullin eshkete ti veje prapa , po presim daljen e ilir camukut nga mali i baba tomorit ca do thoje per vazhdimin e non grata te vellait tij saluku

    Përgjigju
  • e drejta: 18/06/2024 09:00

    E RREJTI MENDJA BANDITIN...

    Përgjigju
  • Jimmy: 18/06/2024 04:02

    Plak matuf. Sepse Britaniket nuk kan prova nuk do te thoje qe ti je i pafajshem. A gjith familja nen hetim. Ky hedh ne apel Ministrine a Brendshme Britanike? Ke zaptu e vjedh Shqiptaret me vite o mut. Britania sot mban me buke shume Shqiptare. Dhe Britania ka dhen dhe jep me shume per popullin Shqiptar se sa ti mut me klanin tend!

    Përgjigju
  • Marti: 18/06/2024 01:34

    Le te shohim si do veje puna ne gjykaten britanike. Praktika e saj ka treguar se ne dallim nga tribunaler si komisioni apelit, qe eshte ad-hoc nen qesen e qeverise, gjykata eshte ne pozite te pavarur. Duket se i bene dem por ia kane futur vetes.

    Përgjigju
  • Takmaku: 17/06/2024 17:07

    Vetem nje gja nuk munem me e kuptu!megjithse e kan shpall nongrata SHBA dhe ANGLIA ala ne 2024 ka njerez qe I shkojn mrapa dhe dalin njerez neper kto intervistat TV te sheshi skenderbej qe thojn rroft Berisha vetem Berisha e rregullon kyt ven etj etj!!

    Përgjigju
  • Linda: 17/06/2024 16:43

    Ka punuar gjithe jeten per ti bere gropen shtetit dhe popullit shqiptar po tani ka ardh momenti qe Berisha te bjere vet brenda!!

    Përgjigju
  • Erik: 17/06/2024 16:14

    Minimumin të kanë thënë o ndyrësirë, ty s’ka avokat e asnjë lloj mediumi që të mbron në sy të shqiptarëve, o kriminel që ke vrarë dhe shkatërruar për pushtet.

    Përgjigju
  • Pensionisti: 17/06/2024 16:14

    Heu lodheni kot, nuk ju mbushet mendja atyre poshte ballkonit, ish pronaret e ish te perndjekurit ende luftojne komunizmin voten Saliut ja japin prape.

    Përgjigju
  • LORA: 17/06/2024 16:09

    Lajm i mire.

    Përgjigju
  • Saluku: 17/06/2024 14:54

    Nuk besoj se ja vlen me lexu prononcimin e qyqarit.

    Përgjigju
  • anna: 17/06/2024 14:32

    Dhimbjen ne force Sali rri e kno si gjeli maje Plehut .

    Përgjigju
  • QYTETARI PA INTERESA: 17/06/2024 14:05

    Përse mundoheni me një kalë të ngordhur!Ai ka haruar të jetë njeri,babë,e gjysh.Për atë gjithça është amoraliteti.AI MË SË MIRI DI TË BËJË TRADHËTARIN,SPIUNIN.E SHUMË PADRONËVE.AI DUHET TË DËNOHET(SË BASHKU ME ISH USHTARAKËT DRSJTUAN USHTRIN NGA1993 E DERI NË 1997) SEPSEDEGRADUAN U.SH.USHT.SHQIP.U SHKATËRUA NGA SALIU E GJENERALËT E KËSAJ KOHE.USHTARAKËVE TË LARTË (DERI NËBR,REGJ.)TU HIQET STATUSI I USHTARAKUT E TË JEPEN SË BASHKU ME KOM.PËRGJ. GJYQIT USHTARAK DHE EKANË PAK.MIS E PASQYRONI MË SALIUN SE I BËNI REKLAMË.

    Përgjigju
  • Toma: 17/06/2024 13:49

    Fatkeqësi kombëtare për humbjen e gjygjit me Anglezet ky shkatrrimtari i Shqipërisë & Shqiptarëve

    Përgjigju
    • Lllazi Metaliu: 17/06/2024 23:14

      Te na behet e ditur sa ka paguar studion ligjore ne Angli, se ata nuk punojne badiava. Ku i gjen leket ky horr-kriminel-qelbesire. Sic ja kerkojne Monikes per operacionet plastike, edhe ky nje lloj operacioni plastiko-politik eshte. Spak te ne beje te ditura faturat qe ke paguar, nga kane shkuar ato leke, nga cila banke apo skute-offshore. Nuk duhet lene ky pleh, sidomos tani qe eshte subjekt, ka parti dhevule, duhet te behet transparente cdo gje.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?