Presidenti Meta në Gjykatën Kushtetuese

Vendimi/ Si e amnistoi Gjykata Kushtetuese Ilir Metën, të gjitha alibitë për sulmet ndaj SHBA-ve, përfshirja në fushatë zgjedhore dhe thirrjet luftarake

16 Mars 2022, 11:17| Përditesimi: 16 Mars 2022, 11:21

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar vendimin e 16 shkurtit 2022, ku rrëzoi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Ilir Metës, i akuzuar për shkeljen e 22 neneve të Kushtetutës, cenim të sigurisë publike, nxitje të trazirave sociale, provokimin e cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shantazh, përfshirje në fushata zgjedhore etj. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka pranuar pothuajse të gjitha shkaqet e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës, por gjykata ka relativizuar çdo ‘lajthitje’ të Presidentit në prill të vitit 2021, duke gjetur nga një justifikim. Sipas gjykatës Presidenti mund të shajë dhe kërcënojë si të dojë dhe këtë dojë, mund të bëjë thirrje për dhunë, mund të marrë pjesë fizikisht në konflikte, mund të marrë pjesë në fushata, mund të lëshojë kushtrime ushtarake dhe ta përdorë Presidencën si të dojë. 

Sulmi ndaj SHBA-ve 
Gjykata Kushtetuese ka analizuar në raport me Kushtetutën sulmet e Ilir Metës ndaj ambasadorëve të SHBA-BE dhe insistimin e tij se SHBA-të mund të kryejnë krime kundër tij. Gjykata i ka relativizuar qëndrimet e Ilir Metës, mes të cilave edhe deklaratën se do të dalë tek Mali me Gropa që amerikanët ta qëllojnë me raketë, duke i konsideruar si qëndrime politike dhe pa pasoja. Madje gjykata arsyeton se raportet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve kanë njohur zhvillime pozitive.

“Deklaratat e tij publike, që janë opinione të natyrës politike të Presidentit për një përfaqësues të një shteti tjetër, nuk prodhojnë domosdoshmërisht efekte në marrëdhëniet dypalëshe mes shteteve apo edhe në kuadër të marrëdhënieve shumëpalëshe dhe statusit të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare, që bazohen në konventa, traktate dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare në fuqi. Madje, në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, Gjykata vëren se jo vetëm nuk janë cenuar, por kanë njohur zhvillim pozitiv veçanërisht në fushën e mbrojtjes, drejtësisë dhe ekonomisë”. 

“Ngrehuni dhe bjeruni, mprehin sfurqet”
Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar edhe thirrje luftarake të Metës, para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, me të cilave edhe deklaratën e famshme  “ngrehuni dhe bjeruni, vdekje tradhtarëve, t`i mprehin sfurqet”, thirrje të tilla sipas Kuvendit kanë cenuar sigurinë publike. Gjykata thotë se këto thirrje nuk kanë sjellë asnjë pasojë dhe nuk përbëjnë shkelje të Kushtetuese.

“Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë, nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi në lidhje me këto fakte Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë rast Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike”. 

Angazhimi në fushatë zgjedhore 
Sipas Gjykatës Kushtetuese, Presidenti mund të angazhohet edhe në fushatë zgjedhore. Gjykata thotë se gjuha e Metës ka qenë agresive, fyese e papërshtatshme etj., por sipas gjykatës kjo sjellje nuk ka sjellë pasoja dhe nuk përbën shkelje të Kushtetutës.

“Gjykata, nisur nga faktet e paraqitura, si dhe raportet e organizatave monitoruese të zgjedhjeve, vëren se në periudhën pararendëse dhe veçanërisht përgjatë fushatës zgjedhore gjuha e deklaratave të Presidentit ndaj Kryeministrit dhe shumicës qeverisëse ka qenë agresive dhe përmbante epitete fyese e metafora me frymë negative, si dhe fjalor të papërshtatshëm...veprimtaria e Presidentit me natyrë politike, pavarësisht nëse ka qenë ose jo edhe partiake , nuk rezulton të ketë sjellë pasoja dhe efekte reale në drejtim të cenimit të thelbit të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara në Kushtetutë, veçanërisht atyre që zbatohen gjatë procesit zgjedhor, të rendit kushtetues ose funksionimit të institucioneve të shtetit, në përmasa të atilla që do të diktonin vënien para  përgjegjësisë kushtetuese të Presidentit dhe do të justifikonin shkarkimin e tij nga detyra. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se veprimtaria politike e Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore nuk konsiderohet si shkelje e rëndë e Kushtetutës”.

Roli i Metës i përmbarues privat tek selia e FRP-së 
Gjykata Kushtetuese ka analizuar edhe angazhimin e Ilir Metës në konfliktin mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së, ku presidenti ndërhyri duke përcaktuar se kush kishte të drejtë.  Gjykata Kushtetuese arsyeton se sjellja e Presidentit është e papërshtatshme për lartësinë e detyrës së tij, pro sipas gjykatës kjo sjellje nuk mund të konsiderohet si diskreditim i autoritetit shtetëror si dhe nuk ka sjellë pasoja. 

“Gjykata vëren fillimisht se format e ndërhyrjes së Presidentit në konfliktin e lindur mes FRD-së dhe bashkisë së Tiranës, të shprehura me veprime konkrete (ndërhyrja drejtpërdrejt në selinë e saj dhe shkresat drejtuar disa institucioneve), si dhe nëpërmjet deklaratave publike, janë shoqëruar nga sjellje dhe gjuhë e papërshtatshme për lartësinë e detyrës si Kryetar i Shtetit. Ndonëse Gjykata nuk pajtohet me formulimin e akuzave dhe etiketimeve fyese ndaj përfaqësuesve të autoriteteve publike në lidhje me veprimtarinë e kryer prej tyre, ajo thekson se kritikat e shprehura publikisht ose vlerësimet negative ndaj veprimtarisë së institucioneve shtetërore nuk mund të konsiderohen, në vetvete, si diskreditim i autoritetit shtetëror”. 

Dublimi i prokurorisë me portalin e denoncimeve 
Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim edhe nismën e presidentit Ilir Meta në fushatën zgjedhore, duke hapur një portal për denoncimin e krimeve zgjedhore, në kushtet kur institucioni komentet për shqyrtimin e denoncimeve është prokuroria. Sipas gjykatës, nisma e Metës është sensibilizuese dhe nuk ka dubluar prokurorinë.

“Gjykata vlerëson se, nga njëra anë, Presidenti nuk është organ vendimmarrës dhe nuk ka ndonjë kompetencë për çështjet e mësipërme, dhe se, nga ana tjetër, nga faktet dhe provat e paraqitura nuk rezulton që ai të ketë penguar palët të ndiqnin rrugën ligjore ose të ketë ushtruar/marrë ndonjë kompetencë të organeve të zbatimit të ligjit. Gjykata, për sa i takon nismës së Presidentit për krijimin e portalit, për të cilin ai pretendon se ka pasur qëllim sensibilizues, vëren se të gjitha denoncimet e mbledhura në këtë portal i janë përcjellë për shqyrtim organit të prokurorisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese”.

Sulmet nga Gjykatës Kushtetuese 
Gjykata Kushtetuese ka analizuar edhe sulmet e Ilir Metës ndaj vetë Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të saj, duke i etiketuar disa prej tyre si të njëanshëm. Gjykata thotë se nuk pajtohet me komentet e Presidentit, por qëndrimet e tij nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

“Duke analizuar kriteret e shkeljes së rëndë dhe faktet konkrete, ndonëse rithekson mospajtimin me mënyrën se si Presidenti i është drejtuar asaj, Gjykata arrin në përfundimin se fakti i paraqitur si ndërhyrje në veprimtarinë e Gjykatës është i pabazuar, për rrjedhojë vlerëson se veprimet e Presidentit nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”, arsyeton gjykata. 

Ushtrimi i kompetencave jo kushtetuese 
Gjykata Kushtetuese është shprehur edhe sa i takon pretendimit të Kuvendit për ushtrimin nga ana e Ilir Metës të kompetencave që nuk janë parashikuar për të në Kushtetutë. Kushtetuesja thotë se ky pretendim i Kuvendit është i pabazuar.

 “Në rastin konkret Gjykata evidenton se shkeljet e nenit 94 të Kushtetutës nuk mund të bazohen ose të rrjedhin prej dispozitave kushtetuese që nuk kanë në objektin e tyre kompetenca konkrete të Presidentit, siç është neni 89 i Kushtetutës, që vendos ndalimin e tij të jetë anëtar partie.  Për sa kohë Gjykata nuk konstatoi shkelje nga analiza e fakteve të paraqitura nga Kuvendi si ndërhyrje të Presidentit apo ushtrim të kompetencave të ndryshme nga ato të përcaktuara në Kushtetutë, pretendimi për shkeljen e nenit 94 të saj është i pabazuar”.

Komento

Komente

  • Shaqo: 16/03/2022 13:58

    Kjo GJK duhet te shkrihet dhe pastaj te dale para drejtesise ne bllok ose nje nga nje per arsyetimet e gabuara qe cuan ne nje vebdin teper te gabuar qe do te jete nje precedent i rrezikshem ne te ardhmen. Shkarkimi (ose jo) te kerkohet ne nje referendum mbare popullor.

    Përgjigju
  • Mondi: 16/03/2022 12:33

    Ky shkelqesia e tij President edhe kur kapet me presh ne goje nuk eshte ashtu sic duket.edhe kur vinte gjoba ishte montim, edhe tani qe perdhosi postin e presidentit e ndyn por nuk e dhjeu tamam se ishte kaps. Te q..... gjykaten kushtetuse

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?