Vendoret e 14 majit/ Ndreu në Lezhë: Mandatin e ardhshëm, projekti që nuk do lejojë përmbytjen! Spahia: Shkodra është lënë në harresë nga qeveria

30 Prill 2023, 08:58| Përditesimi: 30 Prill 2023, 20:52

  • Share

Teksa hyjmë në dy javët e fundit të fushatës elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidatët për kryebashkiakë kanë vijuar me takimet e tyre me banorët e qyteteve dhe zonave të ndryshme duke shpalosur programet e tyre.

Retorika politike deri më tani shihet e përqendruar mes liderve të mazhorancës dhe opozitës të cilët në takimet që bëjnë me qytetarët kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Pjerin Ndreu në takimin elektoral me banorer e lagjes "Skëndërbeg" në Lezhë tha se kjo zonë ka njohur mbështetjen maksimale nga Bashkia, duke deklaruar se do vijojnë investimet për ndryshimin rrënjësor të të gjithë qytetit sidomosd investimi që do të mundësojë që mos të ketë më përmbytje. 

Ndërsa në një takim me gratë e qytetit, kandidati i koalicionit Meta-Berisha për Shkodrën, Bardh Spahia u shpreh se bashkia që ai drejton nuk ka patur asnjë lloj investimi nga qeveria me qëllim që ta gjunjëzojë politkisht. 

Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako gjatë një takimi të zhvilluar për barazinë gjinore me temë "Shoqëria fillon me të drejtat e gruas", tha se bashkia ka bërë shumë në mbështetje të grave dhe vajzave dhe se këto të fundit kishin qenë mbështetje e madhe gjatë mandatit të saj 3 vjeçar si kryebashkiake. 

Sofie Alushaj kandidatja e PD për bashkinë e Patosit ka kryer takimet e radhës me banorët e lagjes së “Re” në zonën e "vreshtit" një lagje tërësisht  me mungesë të infrastrukturës. Alushaj së bashku me stafin e saj ka trokitur derë më derë e banesë më banesë  duke ju kujtuar banorëve se duhet të jenë të bindur që të dalin për të votuar në 14 maj dhe të bëjnë ndryshimin.

Duke kërkuar votat e mjekëve dhe infermierëve në Elbasan, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri tha se do të vazhdojë rritja e pagave dhe investimeve në shëndetësi.

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Kurbinin, Behar Haxhiu premtoi investime në zonën e Sanxhakut.

Kandidati socialist për bashkinë Divjakë Josif Gorrea i shoqëruar nga deputeti Erion Brace kërkoi votat në Divjakë duke premtuar investime.

Kandidati i koalicionit opozitar për bashkinë e Lezhës Pashk Gjoni, zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit të Lezhës që votojnë për herë të parë. Gjoni përpara të rinjëve tha se bashkia do të jetë në mbështetjen e tyre për çdo lloj ideje apo projekti dhe 40% e administrates do të jenë të rinj.

Përmirësim të infrastrukturës premtoi kandidati i koalicionit opozitar, Eduart Sharka gjatë takimit me banoret e lagjes 18 në Lushnje.

Uji pa pagesë në të gjithë fshatrat e Fierit ka premtuar kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Fier, Evdar Kodheli, deri në sistemimin e plotë të rrjetit ujësjellës.

Eriselda Zotaj Celaj, kandidatja e PD për bashkinë e Fierit tha se banorët e fshatit janë lënë në mëshirë të fatit.

Ora 20:52
Shpëtim Idrizi: Kauza e Çamërisë është e fortë dhe historike prandaj sot partia jonë garon në këto zgjedhje vetëm! Kërkojmë drejtësi

 

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka folur sot teksa po zhvillon fushatën për 14 majin për atë që ai e cilëson si menefregizëm nga partitë e mëdha për kauzën e Çamërisë.

“Jo rastësisht e hapëm në Kllogjer fushatën, një memorial kujtese historike. Si s’u kujtuan njëherë këta parlamentarët për ccështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Kjo është arsyeja e partisë sonë. Çamëria kërkon drejtësi se ajo është një kauzë e fortë, diplomatike dhe për të drejtat e njeriut.”- tha Idrizi.

Ora 18:41
Takimi në Katund të Ri, Gjiknuri: Më 14 maj konsolidojmë partneritetin qeveri-bashki për më shumë investime! Llatja: Kemi taksat më të ulëta

 

“Në 14 Maj alternativat që u ofrohen qytetarëve të Elbasanit janë nga njëra anë ekipi i PS dhe kryeministri Rama dhe në anën tjetër një individ që nuk ofron garanci”. Këtë ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorë të Katundit të Ri në Elbasan teksa shtoi se kjo mazhofancë dhe kryebashkiaku Gledian Llatja synojnë zhvillimin e Elbasanit. Ai tha se shqetësimi i vetëm i palës tjetër është e ardhmja e Berishës

. “Gledi në këtë garë nuk është vetëm. Pse s’është vetëm? Gledi në këtë garë ka Partinë Socialiste, qeverinë shqiptare. Kundërshtari do ta paraqesë këtë garë kur vjen në Elbasan sikur është gara mes dy individëve. A thua se po bëhet gara për kryetarin e fshatit apo dy njerëz që i vë në ring aty kush bokson më mirë. Jo! Kjo është garë për qeverisjen e Elbasanit, për administrimin e bashkisë së Elbasanit dhe për të përmbushur angazhimet që kanë dhe që presin qytetarët e Elbasanit. Kjo gjë nuk bëhet vetëm. Kushdo të jetë kryetar bashkie në Elbasan me taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk i adreson dot të gjithë nevojat. Kjo është e vërteta. Duhet patjetër të ketë një partner të fortë. Dhe partneri i fortë është mazhoranca, është qeveria e Partisë Socialiste”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve nënvizoi rëndësinë e votës për të vijuar bashkëpunimin mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të mos ndalur investimet. “Në 14 maj ne konsolidojmë edhe këtë marrëdhënie dhe këtë binom. Shumë nga projektet nuk mund të bëhen pa mbështetjen e qeverisë. Projektet e mëdha siç është rehabilitimi i lagjes së Kalasë, projekti i Automotoparkut që do ketë një shëtitore dhe që do sjellë zhvillim ekonomik, By Passi e të tjera janë projekte me mbështetjen e qeverisë shqiptare. Prandaj them Gledi nuk është vetëm në këtë garë. Kundërshtari e ka gjetur si stil, ngaqë nuk ka çfarë përfaqëson politikisht kur vjen tek njerëzit u thotë: -“Unë jam vetëm, jam Luçi, jam njëri nga ju, jam djalë i mirë, jam profesor e të tjera si këto”. Po kur i bën pyetje kush të ka sjellë ty këtu ka frikë ta thotë. Por e vërteta është se e ka sjellë Ilir Meta me Sali Berishën. Ata dy janë padronët politik të vërtetë” theksoi Gjiknuri.

   Drejtuesi politik i PS-së për qarkun u shpreh se vota e 14 Majit është edhe një votë për të vijuar rrugën e nisur me projekte zhvillimore në çdo cep të Elbasanit. Gjiknuri theksoi dhe rëndësinë e votës për Këshillin Bashkiak, si një mbështetës i punëve të kryetarit.

“Unë them votat çojini te Partia Socialiste. Kini parasysh se këta që vijnë kërkojnë vota për këshill, sidomos kur janë farefis, më shumë e kanë për hallin e tyre. Ai do të hyjë aty anëtar këshilli për të mbajtur peng Gledin për ndonjë vendimmarrje atje dhe për të zgjidhur ndonjë punë të tijën. Prandaj them mos e çoni votën dëm. Jepe te garancia, te ajo që quhet familje politike. Prandaj voto Partinë Socialiste që dhe Gledi të ketë krahë, të mos negociojë me lloj – lloj tipash atje për të marrë vendimmarrjet e caktuara në funksion dhe në dobi të komunitetit” shtoi Gjiknuri.

   Në takim me banorët e Katundit të Ri, kryetari i bashkisë Gledian Llatja tha se Elbasani ka taksat më të ulëta në të gjithë vendin, pikërisht për të mbështetur shtresat në nevojë. “Ne sot në bashkinë e Elbasanit kemi taksat më të ulta, jemi një bashki sociale. Janë gati 5600 familje që trajtohen me kemp, 4800 familje që janë me ndihmë ekonomike. Gjithashtu kemi një sërë familjesh të tjera të cilët janë pensionistë të vetmuar që ne i konsiderojmë të gjitha këto që futen në një klaster, bëjnë gati 15  mijë familje në bashkinë e Elbasanit. Të gjitha këto ne i përjashtojmë nga taksat tona kryesore. Ai që është pensionist i vetmuar ne e kemi përjashtuar nga taksat dhe tarifat, ai që është emigrant, familjet e emigrantëve të cilët janë të rregjistruar si emigrant janë të përjashtuar nga taksat dhe tarifat. Ne i kemi hequr taksat vendore, pra i kemi përjashtuar emigrantët nga taksat sepse është llogjike, nuk ka pse të paguajnë taksë pastrimi dhe ndriçimi kur ai nuk jeton këtu, dhe realisht këta janë përjashtuar”, u shpreh Llatja.

Ai shtoi se pretendimet e kundërshtarit të tij në garë, për gjoja uljen e taksave, janë të pabazuara në ligj dhe thjesht gënjështra para zgjedhjeve.

“Ka një taksë ligjore për tarifat dhe taksat që ne kemi për  objektet, ligji thotë të ulen deri në 35% të tavanit normal. Bashkia e Elbasanit, duke qenë se ka përjashtuar një sërë kategorishë nga këto taksa e ka lënë me 30 % me vendim të Këshillit Bashkiak. Ky tani thotë ne do t'i ulim me 50% kur ligji të thotë 35% është maksimumi.Thotë do t'i ulim me 50%, por llogjika është se edhe këto që përjashtojmë ne do t'i tarifojë. Pra i bie që një familje në nevojë, një familje që janë pensionistë të vetmuar, një familje emigrantësh , një familje të atyre që e kanë pamundësi të trajtohen me Kemp , do të tarifohet njësoj si ata që janë të aftë, si biznesmeni, si çdo qytetar tjetër që ka një të ardhur të mirë ekonomike”, tha Llatja.

Deputeti i PS, Luan Duzha kërkoi mbështetje maksimale për zgjedhjet e 14 Majit, ditë në të cilën vendoset e ardhmja e qytetit.

“Ju ftoj të gjithëve që vota në 14 Maj të jetë për PS dhe për Gledin, sepse kështu ne votojmë për veten tone, për zhvillimin e qytetit tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Duzha.

Ora 16:36
Kandidati i PD-së për Mallakastrën, Agron Kapllanaj takohet me banorët: Jetesa e vështirë prej mungesës së vëmendjes! Kanë nevojë për rrugë, ujë dhe mbështetje

Në takim me banorët në Panahorit të Mallakastës, kandidati i i PD-së për këtë bashki vuri theksin te nevojat që kanë qytetarët për rrugë, ujë të pijshëm, mbështetje në blegtori e bujqësi.

Përmes një postimi në facebook ai ka ndarë fotot nga takimi, ku është shprehur se jeta e banorëve të Mallakastrës është vështirësuar për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e pushtetit qendror e vendor.

“Me banorët e Panahorit. Njerëz punëtorë dhe me vlera, por jetesa e tyre është vështirësuar për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e pushtetit qendror e vendor. Zero investime, zero mbështetje për banorët, duke sjellë varfëri e shpopullim. Duhet t’i rikthehemi punës për mbështetjen e qytetarëve. Ata kanë nevojë për rrugë, ujë të pijshëm, mbështetje në blegtori e bujqësi. Më 14 maj, rikthehemi te punët dhe te fjala e mbajtur t” ka shkruar kandidati.

Ora 16:22
Alibeaj takim në Fushë-Krujë: Patëm situatë të vështirë, Berisha kërkon të krijojë rrymë antiamerikane! PD është në luftë me regjimin

1682864539_alibeaj.jpg

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar sot një takim me banroët e Fushë-Krujës. Alibeaj u shpreh se tanimë ka ardhur koha për të sjellë një frymë të re të PD-së.

“Shumë faleminderit që sot, pothuajse në mes të fushatës zgjedhore, jeni mbledhur kaq shumë, besoj me shpirt dhe me zemër për të votuar Partinë Demokratike, për të votuar për Krujën, Fushë Krujën dhe të gjithë demokratët dhe banorët e kësaj bashkie. I nderuar Doko, kryetar I Partisë në degën Fushë Krujë, zoti Sheta miku im kryetar I degës Krujë, zoti Hoxha, kolegu im, zonja BAkiu, Andia shumë e dashur, e nderuar dhe e respektuar, deputetja jonë re. Përfaqësuesja ndoshta më emblemantike, jo vetëm e Partisë Demokratike, por e së ardhmes së Partisë Demokratike, asaj çfarë në fakt Partia Demokratike gjithmonë ka dashur dhe ndoshta ka ardhur momenti tani, në një kohë të vështirë për t’i dhënë një fytyrë të vërtetë, reale Partisë Demokratike, ajo çfarë shqiptarët kanë ëndërruar 33 vite e që sot kemi detyrimin për ta çuar të gjithë së bashku përpara.”- tha Alibeaj.

Ndër të tjera, Alibeaj përmendi edhe sfidën që patën demorkatët brenda partisë së tyre.

“Por është kohë e vështirë, sepse Partia Demokratike realisht është ndoshur nën agresion, po nga jashtë, në agresion nga pushteti. Gjithmonë pushteti, gjithmonë të majtët, e kanë trysnuar, luftuar, shantazhuar me dëshirën për ta asgjësuar Partinë Demokratike. Pjella e komunizmit këtë ka pasur si synim të saj, që 33 vite më parë. Atëherë kur Partia Demokratike lindi si parti e shpresës, si parti e njerëzve të lirë, I parti pro perëndimore, si parti e cila nuk kishte asgjë me metastazat politike të 50 viteve diktaturë. E pra ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe. Dhe ky ka qenë agresioni më I madh që Partia Demokratike ka ndjerë. Por ajo se çfarë është e vërtetë, e të paktën sot kemi mundësinë pë ta parë, kurajon për ta thënë, pse jo kurajon për ta thënë: është se jemi ndodhur edhe nën një agresion brenda nesh. Një vit e gjysmë jemi edhe në një agresion edhe brenda nesh, nga njerëz të cilët deri dje I konsideronim, po I konsideronim si drejtues e lider historik. Njerëz të cilët nga Partia Demokratike kanë marrë frytet e asaj se çfarë kontributi, djersa, gjaku madje I shumë demokratëve të ndershëm kanë dhënë në këto 33 vite.”- tha ai.

Ai ka akuzuar Ramën, Berishën dhe Metën se kanë dashur të sulmojnë dhe të rrëzojnë partinë demokratike. Por sipas tij, nuk ja kanë dal.

“Dhe është totalishte  papranueshme për ne në aspektin njerëzor, sigurisht edhe në aspektin politik, që shpërblimi ndaj demokratëve të ndershëm të ishte pikërisht kjo, një ndarje, një përçarje që nuk e meritonte asnjë nga demokratët. E pra, ka një trini, e kam marrë këtë nga librat e shenjtë. Ka një trini që I është mbivendosur demokratëve dhe Partisë Demokratike. Nuk dihet se kush është dihet ati, nuk dihet se kush është biri, nuk dihet se kush është shpirti i pashenjtë. Megjithatë gjithsecili prej jush edhe mund ta gjej se cili është nga ata të cilët unë jam duke u adresuar. Ati, biri dhe shpirti I pashenjtë, ky trekëndësh të cilat I janë vërsulur Partisë Demokratike dhe duan vetëm ta asgjësojnë atë. Njëri ka kërkuar ta shpopullojë Shqipërinë dhe kjo është plaga më e madhe në fakt që Shqipëria, por dhe kjo bashki, është pikërisht shpopullimi, largimim, dëbimi I shqiptarëve nga vendi I tyre. Tjetri ka 30 e kusur vite që vjedh, e vjedh dhe do ta vjedh akoma. Dhe tjetri është ai që do ta zbraz Partinë Demokratike për të mbushur partinë e vet. E pra, është kjo treshe e cila ka vendosur të ndajë Partinë Demokratike prej një vit e gjysmë, të paktën nga 9 shtatori e këtej, por nuk ia kanë dalë. Nuk ia kanë dalë, e kjo është ndoshta fitorja më historike, jo vetëm e Partisë Demokratike, jo vetëm e demokratëve, por e gjithë Shqipërisë. E pra, si në 90 edhe tani kemi treguar që shpirti I lirë I demokratëve, shpieri që kanë qenë gjithmonë në këto 33 vite me një brengë të madhe që nuk arritëm në 33 vite të bënim një të djathtë ashtu siç ishte, më në fund sot rezistoi dhe ia doli. Partia Demokratike është, Partia Demokratike do të jetë, Partia Demokratike konkurron në 14 maj e do të vazhdojë të jetë edhe pas 14 majit. Po pra miq, ndodhemi ne sot, ndodhemi realisht në një sfidë tamam si në 1990-ën. Ai mision I 1990-ës I pambyllur në atë kohë, I paçuar deri në fund që na bëri të gjithëve ne që kemi besuar me shpirt e me zemër tek liria, tek demokracia, tek respekti për individin, tek respekti për pronarët, tek respekti për të përndjekurit, tek riania dhe tek biznesi. Na ndodhi dhe ishte thjesht një brengë me të cilën kemi bashkëjetuar në këto 33 vite me idenë e gabuar që ndoshta me kalimin e kohës e djathta, ideologjia do të fillonte dhe të zinte vendin e saj të merituar. Nuk ndodhi kështu dhe kjo kohë, kjo histori e shkurtër e ketyre viteve tregoi që ishte kjo.”- tha ai.

Alibeaj u uroi suksese përfaqësuesve të partisë së tij.

“Jemi në zgjedhje dhe unë u uroj sukses përfaqësuesve tanë dhe ndihem vërtet mirë, krenar po të doni ju me përfaqësuesit tanë. Po përmend Durimin e po përmend Ilirin. E pra këta janë shpirti I vërtetë I lirë I demoratëve të vërtetë. I atij demokrati I cili e ka filluar jetën e vet politike hap pas hapi duke respektuar mundin dhe djersën e të gjithë kontributin nga postet më të ulëta e duke vazhduar karrierën e vet politike. Po si Iliri, kritik, realist, se në Partinë Demokratike ajo që ka munguar ka qenë realisht fakti që kemi mbajtur gojën mbyllur dhe s’kemi thënë ca të vërteta të mëdhaja. E përderisa një parti nuk mund të thotë ca të vërteta të mëdhaja, kursesi nuk do të jemi të besueshëm tek njerëzit. Po mor po duhet t’i themi disa të vërteta të mëdhaja, për respektin që na ka munguar për të përndjekurit politik që ishin baza në 90-ën dhe ka vazhduar në 33 vite të jetë baza e Partisë Demokratike. Si kemi treguar ca të vërteta të mëdhaja për pronarët që I kemi quajtur gjithmonë ish-pronar dhe nuk zgjidhëm çështjen më të madhe të tyre që në fakt nuk është gjë tjetër çështje personal t’i kthejmë borxhin që shoqëria shqiptare ia ka pasur pjesës më të persekutuar në 50 vite. Jo diçka më e madhe sesa kaq. Kjo shoqëri do të duhet të tregojë që ka forca që të bëjnë një pendesë për atë se çfarë 50 vite ky popull ka pasur mbi kurrizin e vet. Kjo është forca morale që një shoqëri do të duhet të tregojë. E në fakt detyrim, mision e ka pasur Partia Demokratike dhe nuk e ka bërë në 33 vite edhe kur kemi qenë në qeverisje. Dhe ky është një nga mëkatet. Ky është një nga mëkatet më të mëdhaja të Partisë Demokratike. Në opozitë apo në qeverisje. Nuk mundet, një parti e djathtë, e mbështetur tek të përndjekurit, e mbështetur tek pronarët, tek pjesa më fisnike dhe më e vuajtur që sot të ketë brenga, të ketë skrupuj, të ketë frikëra për të treguar që dekomunistizimi është filtri në fakt ku do të duhet të kalojë një parti e djathtë, një parti e qytetëruar, një parti e cila sheh për nga perëndimi. Dhe vetëm tani falë edhe kontributit të kolegëve të mi, kemi filluar pak nga pak për të hapur faqet e dosjeve të mbyllura e të zëna pluhur të cilat nuk ishin në fakt dosjet e sigurimit, por ishin në fakt dosjet e pluhrosura të harresës tonë si komb, si popull, si shoqëri. E pra, ky është një zgjim I madh. Vetëm në këtë mënyrë, duke pasur një zgjim si shoqëri. Dhe zgjimin si shoqëri mund ta hapi vetëm Partia Demokratike, mund ta hapin vetëm shpirtrat e lirë, mund t’i hapin njerëzit të cilët nuk janë pengje të së shkuarës, njerëz që thonë atë që mendojnë ashtu siç dinë, vetëm në këtë mënyrë kemi hedhur hapin e parë për të qenë të besueshëm për shqiptarët.

Po, di që në këtë fushatë, kundërshtari më I madh I shqiptarëve 1, është Edi Rama. Eshtë regjimi I Edi Ramës. Regjimi I Edi Ramës atje dhe regjimi I Edi Ramërve të vegjël në bashki, të cilët kanë modelin e tyre, të cilët e transmetojnë në secilën bashki. Shpopullimi, gjendja e keqe ekonomike, humbja e shpresës, çmimet e larta, papunësia, mungesa e rendit dhe sigurisë. E pra, këto janë plagët më të mëdhaja, të cilat ajën tipike. Janë tipike ashtu si para 30 viteve. Edhe në diktaturë ishte po I njëjti imazh, po e njëjta pamje. E tani, duke qenë në këtë situatë, ne duhet të gjejmë mënyrën si I bëhet që shqiptarët t’i dalin përballë këtij regjimi.”- tha ai.   

Sipas tij, Berisha është përpjekur që me lëvizjet e tij të fundit politike të dalë krijojë një rrymë antiperëndimore. Ai u shpreh se nga ana e selisë blu ka pasur gjithnjë shtrirje dore për të gjithë kandidatët e primareve, por ata zgjodhën të përfaqësoheshin nga Meta. Alibeaj u shpreh se Berisha po mundohet të krijojë një lëvizje antiamerikane për shkak të situatës dhe damës që ka nga Uashingtoni.

“E dyta është më e rëndësishme. Si ka mundësi që Berisha zgjodhi përkundër të gjitha ofertave tona, shtrirjes së dorës, zgjodhi më mirë Ilir Metën dhe jo demokratët. Ia shtrimë dorën vjet me 30 prill. Mos bëj struktura paralele, do e përcash partinë. Dhe ja doli në zgjedhje sic ka dalë tashmë, dhe do krijosh nje dem shumë të madh per demokratët. Po të ishim bashkë ua jap me garanci që më shumë se gjysmen e bashkive do i kishim marrë, demokratët. Dhe vetëm prej përcarjes së tij jemi në këtë situatë. Po si ka mundesi, kur i ofruam dhe alternativën tjetër, për një kandidat të vetëm të demokratëve, por nën siglën e PD e refuzoi. Po si ka mundesi në 3 Mars, kur dhe na mbajtën zvarrë një vit e ca me ceshtjen e gjyqit, përsëri kur i shtriva dorën, po edhe njerëzit që kanë dale nga primaret e dinë fare mirë si kane dalë nga primaret, se vecse primare nuk ishin ato. Ishin primare që nuk u mor vesh se cilët ishin kandidatët, ishin të paracaktuar. Megjithatë për shkak edhe te keqes së madhe që shqiptarët kane përballë që është Edi Rama e bëne dhe këtë tolerim duke thënë po, një kandidat të primareve gjithmonë nën logon e PD që sështë e imja. As e Andjas, as e Flamurit as e Meritës. Ështe e demokratëve, përseri e refuzoi dhe pranoi në mirë te shkoje të Ilir Meta. Kjo tregon shumë. Shumë për qëllimin dhe synimin qe ka pasur Berisha. Nuk i intereson fitorja. Fare. Nuk i interesojnë shqiptarët, aq më pak demokratët. I intereson vetëm halli personal. Halli si do mbrohet nga non grata dhe ajo se si do mbrohet nga ajo se cfare drejtësia mund të kryej ndaj tij për shak se non grata i është dhënë për korrupsion masiv dhe minim të demokracisë. Dhe jo vetëm nga SHBA por dhe nga Mbretëria e Bashkuar. E pra, synimi i tij është të përdorë PD si bunker, të mblidhet aty e të përdorë njerëzit si mburojë ndaj asaj që SHBA i kane vendosur si faturë. Së dyti të krijojë një opozitë ku të jetë vetëm ai opozitari i vetëm. Të mos ketë askënd tjeter. Mundësisht ta ekzekutojë PD pas ketyre zgjedhjeve.

Dhe ky ështe synimi i dytë dhe synimi i tretë është te krijojë një lëvizje antiamerikane në Shqipëri. Po si mundet në Shqiperi, ky vend i cili ka parë vetëm mirënjohje dhe ndihmë nga SHBA dhe nga perëndimi te mund tia rikthejë në këtë mënyrë ndihmën dhe dashamirësinë e atyre. Janë këto arsye që ne, demokratët euroatlantik kemi qendëruar dhe do vazhdojmë të qëndrojmë. Kjo është sfida jonë e dytë. Sfida jonë etretë dhe më e madhja është ajo që vjen, ajo qe fillon tani me 14 Maj, pasi këto zgjedhje jane vetëm guri i themelit i pari për të krijuar një PD qartësisht të djathtë, ideologjikisht të pastër. Një parti që ka frymëmarrje, ka vlera, bëhet joshëse për rininë, për biznesin, intelektualet, joshëse për qëndrestarët. Joshëse dhe mbështetëse për të përndjekurit, pronarët. Kjo është ajo parti e cila në një kohë te veshtirë, sot fillon të ndërtohet. Ndaj miq, falenderimi im ndaj jush qendrestarë, është i pamatë nuk do ta kem asnjë herë mundësinë të ju falenderoj aq shumë sa e meritoni, megjithatë sot juve së bashku me përfaqësuesit tuaj në këshill do hidhni hapin e parë të një partie e cila nesër do të jetë partia ku shqiptarët do investojnë shpresën e tyre dhe kur them nesër, në zgjedhjet e 2025. Ashtu sic kemi vepruar deri tani, duke qendruar duke u organizuar dhe duke qenë bashkë dhe në këto momente të vazhdojmë të votojmë numrin 9, të votojmë PD, përfaqësuesit e Krujës dhe Fushë Krujës si hapin e parë për krijimin e një PD sic e kemi endërruar 33 vite më parë që do jetë shpresa e shqiptarëve. Zoti bekoftë shqiptarët e Krujës dhe Fushë Krujës, rininë, të përndjekurit, antikomunistët e kesaj zone.”- tha ai.

Ora 15:41
Salianji në prezantimin e programit të kandidatit të Kavajës: Rama u braktis, bashkia do t'i kthehet demokratëve

 

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji së bashku me kandidatin e koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë Kavajë Fisnik Qosja, prezantuan programin për këtë bashki.

Në fjalën e tij për banorët e Kavajës, deputeti demokrat Ervin Salianji tha se kjo bashki do t'u kthehet demokratëve. Salianji komentoi edhe vizitën e Ramës disa ditë më parë në Kavajë, duke thënë se u braktis nga qytetarët.

Ai tha se në fokus të planeve për zhvillimin e zonës janë shumë nevoja të domosdoshme dhe të mohuara prej kohësh për komunitetin, duke nisur nga infrastruktura dhe stimulimi i bujqësisë dhe blegtorisë, ndërhyrja në zonat rurale dhe në sistemet e kanalizimit.

"Ka qenë e jashtëzakonshme pjesëmarrja në çdo cep të Kavajës që kanë mbështetur masivisht Fisnik Qosen. Secili prej jush ka shprehur shqetësimin e drejtpërdrejtë, që janë përkthyer në programin e tij. Edhe ju si gjithë Shqipëria e ka marrë vesh që Kavaja do t’i kthehet demokratëve dhe kushdo që do të luajë me fatin e qytetarëve do të marrë përgjigjen e merituar në çdo moment. Ju dhe ne bashkë krenohemi me kandidatin e opozitës së bashkuar, të gjithë janë të bashkuar për kandidaturën e tij që të largojmë një sekt që nuk përfaqëson as socialistët e ndershëm", tha Salianji.

"Ne vijmë dhe ju paraqesim program, i keni parë kundërshtarët tanë se çfarë paraqesin këtu apo jo? Erdhi ai i gjati këtu në Kavajë dhe nuk kishte as çerekun e këtyre njerëzve pavarësisht presioneve, e braktisi edhe administrata. Kavaja ka bërë t’i dridhen këmbët regjimit të Enverit, Kavaja do të bëjë t’I dridhen këmbët Edi Ramës" tha deputeti Salianji.

 

Ora 15:32
‘Vendoret’/ Boçi: E kanë konsideruar inceneratorin biznes, me kandidaturën time në Elbasan kërkoj fikjen e tij

1682168522_deaq.JPG

Kandidati i koalicionit Meta-Berisha, Luçiano Boçi ka reaguar sërish përmes një statusi në rrjete sociale lidhur me një ndër projektet kyçe që ai synon në bashkinë e Elbasanit, fikjen e inceneratorëve. Boçi ka akuzuar sërish qeverinë se ka përdorur inceneratorët si biznes për të mashtruar qytetarët.

Ai është shprehur se kërkon fikjen e tij.

"Në asnjë vend të botës, inceneratori nuk shihet si biznes. Ai konsiderohet një zgjidhje për një problem komunitar. Në Elbasan inceneratori paraqet një kërcënim të rëndë shëndetësor dhe thellon një krizë mjedisore vrastare.

Inceneratori si rregull djeg mbeturinat që nuk mund të riciklohen. Interesi është që ai të djegë mbeturina, të cilat kanë një vlerë kalorifike. Plastika, letra, kartoni dhe mbeturinat e tjera të pasura në kalori nuk shkojnë për djegie në asnjë vend perëndimor; ato riciklohen.

Të ndezësh inceneratorin për bishta prasi dhe për sallatë të prishur nuk është ekonomikisht e arsyeshme. Kjo shpjegon pse këto impiante mbështeten pjesshëm nga shteti. Ata ofrojnë një zgjidhje për mbetjet që nuk mund të riciklohen në asnjë mënyrë tjetër.

Kostoja kryesore e inceneratorëve janë filtrat, jo aq dhomat e djegies. Në fund të fundit mënyra sesi përpunohen tymrat e djegies dhe mbetjet fundore të saj janë kostoja reale e kësaj pune. Inxhinieri Stefan Schatz ka planifikuar ndërtimin e pjesës më të madhe të landfilleve në jug të Gjermanisë. Eksperti gjerman që e njeh mirë inceneratorin thotë që me këtë shumë parash mund të ndërtohet vetëm një incenerator pa filtra dhe ndikimi në mjedis do të jetë i njëjtë sikur të djegim mbetjet në natyrë, vetëm se këtë herë të rrethuar nga 4 mure.

Në Shqipëri ky proces është mbajtur tërësisht në errësirë. Teknologjia u bë e kuptueshme kur ndërtimi u shpall vepër penale.

Shqipëria prodhon në vit 900.000 ton mbetje urbane. Rreth 850 mijë ton prej tyre arrijnë të mblidhen. 70% e kësaj sasie drejtohet për në pikat e grumbullimit, në landfille, në dampat dhe në tre inceneratorët. Prej tyre ama - vetëm inceneratori i Elbasanit ka punuar deri më sot.

Në vitin 2021 - sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis ai ka djegur në total rreth 35.000 ton mbeturina.

Kjo dmth se inceneratorët kanë djegur vetëm 3.8% të mbetjeve vjetore që prodhohen në vend. Sipas INSTAT kjo sasi është edhe më e vogël.

Kjo analizë bën të qartë se inceneratorët nuk e adresojnë problemin e mbetjeve dhe as trajtimin e tyre. Pretendimi se ndalja e inceneratorit të Elbasanit shkakton një kataklizëm mjedisore, është gënjeshtër.

Inceneratori i Elbasanit u ri-ndez në mes të fushatës për të djegur një akuzë penale për korrupsion, një hipotezë të arsyeshme për pastrim parash dhe një provë për përfshirje të zyrtarëve të lartë në krim ekonomik. Dosja penale e tij është më e rënda që peshon tani në tryezën e SPAK.

Por inceneratori i Elbasanit është një fantazëm industriale, me pasoja katastrofike për shëndetin dhe me efekte minimale për çfarë ata u krijuan.

Të tolerosh logjikën alogjike të një spektakli elektoral duke pranuar vdekjen e pashmangshme të qytetarëve të tu nga kanceri - është më së paku cinike. Vetëm në Vidhas e Balldren 38 veta kanë humbur jetën nga kanceri dhe kjo sëmundje bën mbi 25% të të gjitha sëmundjeve kronike në zonë.

Për të gjitha këto arsye, unë kërkoj fikjen e Inceneratorit dhe rivlerësimin e zgjidhjes për përpunimin e mbetjeve në Elbasan. Të jemi të qartë: kur ndizet, ai është një armë e shfarosjes në masë.

Përpara se të jem gjithçka tjetër, unë jam qytetar i Elbasanit. Këtu kam shtëpinë, këtu rris fëmijët. Unë refuzoj t’i nënshtrohem kësaj masakre. Pikë!"- shkruan Boçi. 

Ora 14:21
Meta në Pustec me kandidatin Pandi Jani: Zona do të transformohet në një model të zhvillimit të qëndrueshëm

Përmes një postimi në facebook, Kryetari i Partisë së lirisë Ilir Meta ka ndarë disa foto nga takimi i sotshëm me banorët e bashkisë  së  Pustecit.

E teksa ka kërkuar mbështetje nga qytetarët për kandidatin Pandi Jani, ai ka shkuar se do tanimë do të vijë edhe më shpesh për të parë se si Pusteci do të transformohet në një model të zhvillimit të qëndrueshëm, në mandatin e kandidatit të koalicionit Berisha-Meta, i cili ka në fokus zhvillimin e agroturizmit, bujqësisë dhe blegtorisë.

"Si President, Bashkia e Pustecit ka qenë një nga bashkitë që kam vizituar më shpesh. Pas 14 Majit do ta vizitoj edhe më shpesh për të parë se si Pusteci me Kryebashkiakun e ardhshëm, Pandi Jani do të transformohet në një model të zhvillimit të qëndrueshëm, në një model të zhvillimit të agroturizmit, bujqësisë dhe blegtorisë. Ne do të mbështesim ruajtjen dhe forcimin e identitetit kulturor të këtij komuniteti të mrekullueshëm që përbën një pasuri të paçmuar për vendin tonë dhe shërben si urë miqësie dhe bashkëpunimi",  ka shkruar Meta.

Ora 12:55
Bardh Spahia takim me gratë në Shkodër: Gjatë 10 viteve qeverisje, ka pasur zero financime nga qeveria për kryeqendrën e veriut

 

Në 14 Maj, gratë dhe vajzat si dhe çdo banor i Bashkisë Shkodër do t’ja japë me votë përgjigjen kësaj qeverie që në 10 vite me politikat e saj ka synuar gjunjëzimin e Shkodrës. Kështu u shpreh gjatë takimit me gratë dhe vajzat e rajonit nr 4, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bardh Spahia.

“Ka pasur zero financime të programeve apo të projekteve të ndryshme. Jo vetëm kaq po në vend që të kontribuonin në përmirësimin ekonomike, synuan të gjunjëzonin qendrën t’i ulnin peshën si kryeqendra e veriut. Në mënyrë që ta detyrojnë të nënshtrohet politikisht. Sot vijnë dhe flasin sikur të mos kishin qenë këta që gjatë 10 viteve e kanë konsideruar Shkodrën një armik dhe kundërshtar politik.

Kam bindjen absolute që në 14 maj, qytetarët e Shkodrës do dinë t’u japin përgjigjien e merituar.

Për 4 vjeçarin e ardshëm kemi një program që ka vëmendjen tek çdo problematikë e qytetarëve. Askush më mirë se gratë nuk e din rëndësinë dhe nuk e provon çdo ditë vështirësitë ekonomike me të cilat haset shoqëria jonë”- u shpreh Spahia.

Ai tha se gjatë 4 vjeçarit të ardhshëm programi i tij projekton Shkodrën me rritje ekonomike, zhvillim turizmi dhe investime.

Ora 12:48
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Lezhën, Pashk Gjoni me votuesit për herë të parë: 40% e administratës do të përbëhet nga të rinjtë

 

Në një takim me të rinjtë që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit, Pashk Gjoni kandidati i koalicionit Berisha-Meta u premtoi votuesve të rinj se bashkia do të jetë në mbështetjen e tyre për çdo lloj ideje apo projekti që ata do të propozojnë.

Kandidati për bashkinë e Lezhës, dëgjoi problematikat e të rinjtë e qytetit të Lezhës, të cilëve u tha se  në fokus të planeve për të rinjtë është ndërtimi i administratës nga të rinjtë. Ai tha se  40% e administratës do të përbëhet nga rinia, e cikla duhet stimuluar për të mos u larguar nga vendi.

"Mundësia e parë dhe mundësia e fillimit të turit politik është 14 maji dhe pas 14 majit jo më pak se 40 për qind e administratës do të jetë e përbërë nga të rinjtë. Përse do të jetë e hapur për rininë, sepse jemi këtu për t’ju  krijuar kushtet të rinjve që ta bëjë këtë vend më të banueshëm", tha Gjoni

Ora 12:31
Gjiknuri e Llatja takim me mjekët dhe infermierët në Elbasan: Vota për PS garanton rritjen e pagave

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me mjekët dhe infermierët e Elbasanit për t’i përgëzuar për punën e palodhur në shërbim të qytetarëve dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri.

Në fjalën e tij, numri dy i socialistëve u shpreh se kjo mazhorancë ka treguar një vëmendje të veçantë për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor me investimet në spitale, qendra shëndetësore dhe rritje të konsiderueshme pagash për mjekët dhe infermierët.

“Qeveria shqiptare reagoi në momentin dhe kohën e duhur. Të gjitha këto politika pagash që kanë filluar të japin rezultat. Unë kam pasur kontakte me mjekë, në rrethana krejt shoqërore dhe ma kanë thënë këtë gjë. Është tjetër gjë të investosh në infrastrukturë, është shumë mirë të investosh në infrastrukturë sepse infrastruktura është baza, po nga ana tjetër, po nuk trajtove dhe mjekët, personelin shëndetësor, çfarë vlere ka gjithë ajo para e investuar në qoftë se nuk do të kesh personel shëndetësor.  Kjo që ka filluar tashmë është një diçka shumë e prekshme, shumë e mirë dhe jam i bindur që të gjithë ju e vlerësoni”, tha ai.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se Kryeministri Rama ka deklaruar që kjo paketë do të vazhdojë dhe mjekët do të jenë në vëmendje të të gjithë mbështetjes financiare.

“Mjekët dhe mësuesit gjithmonë të imponojnë respekt. Pikërisht ky lloj trajtimi, kjo mbështetje financiare, u krijon mundësi për karrierë, por të jenë dhe të mirëpaguar. Ndonjëherë njerëzit i krahasojnë dhe me vendet e tjera.  Po duhet të shikosh për kushtet e vendit tënd, për të ardhurat që ke dhe sesi e ndërton veten tënde. Është një gjë e thjeshtë të thuash të shkosh jashtë. Po të shkosh jashtë ka një kalvar goxha të madh mundimesh. Ka dhe njerëz që duan të bëjnë karrierën bazë dhe ta ndërtojnë në vendin e tyre. Jam i bindur që me këtë politikë që ka nisur do të vazhdojë mbështetja për mjekët dhe për të gjithë personelin shëndetësor”,  siguroi numri dy I socialistëve.

Sekretari I Përgjithshëm I PS u shpreh se konsolidimi i bashkëpunimit qeveri-bashki edhe përtej 14 majit, është vazhdimi i politikës së nisur për rritjen e pagave dhe trajtimin e duhur të të gjithë personelit mjekësor.  “Ne jemi një ekip. Edhe Gledi, kur themi Gledi nuk është vetëm, ne jemi një ekip politik. Vota për 14 Majin është dhe një garanci për politikat që ka nisur qeveria, rritjen e pagave, qëndrueshmërinë e kësaj qeverisje dhe për vazhdimësinë e të gjithë politikave të mira për shëndetësinë. Jo se çdo gjë shkon mirë dhe në shëndetësi, patjetër ka nevojë për më shumë, por është futur në një rrugë të mbarë.

Mbështetja financiare është e para, siç janë dhe investimet në infrastrukturën mjekësore. Konsolidimi i fitoreve në pushtetin vendor është një garanci që këto gjëra do të vazhdojnë”, deklaroi Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë, duke theksuar se kur ata e kishin në dorë pushtetin, nuk bënë asgjë. Gjiknuri tha se opozita kërkon që ta kthejë Elbasanin në një bunker politik, duke bllokuar projektet e nisura.

“Nuk është pse kemi të besojmë tek të tjerët që thonë, se ai që s’ka gjë në dorë, të premton qiejt. Ai mund të thotë se do t’i trefishojë rrogat, do t’i katërfishojë. Megjithëse po ta pyesësh se çfarë bëre, kur kishe në dorë për profesionet në fjalë, do thotë: -“Nuk bëra gjë, se tani e kuptova që bëra gabim”. Atëherë çfarë garancie ka që ti do të veprosh ndryshe? Në fakt, rekordet e njeriut janë baza jo ajo çfarë thua. Ajo çfarë ke bërë është baza e themelimit dhe vërtetësisë të asaj që thuhet. Nga njëra anë unë them se ne kemi qenë shumë konkretë. Natyrshëm ka dhe gjëra që ne duhet të reflektojmë. Po nga ana tjetër shoh preokupimin e kësaj qeverie, të Kryeministrit Rama. Ndodh që kur ndryshon kahu politik, fillon kthehet në një bunker politik, fillon kthehet në një Foltore të re politike bashkia që merret nga opozita në marrëdhënien me qeverinë. E fatkeqësisht ndëshkohen qytetarët e këtij qyteti, kur ndërkohë janë shumë projekte tashmë të nisura për bashkinë, qoftë rehabilitimi i lagjes së Kalasë, por dhe projekte të tjera që e ngrenë Elbasanin në një vend tjetër”, theksoi Gjiknuri.

Ora 11:54
Kandidati i PS-së për Divjakën Josif Gorrea: Në fokus zhvillimi i infrastrukturës dhe bujqësisë! I pranishëm edhe deputeti Erjon Braçe

 

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Divjakës, Josif Gorrea është takuar me banoret e fshatit Muçias, të njësisë administrative Remas ku është  zotuar për zhvillimin e mëtejshëm të zonës përmes ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe bujqësi.

Ne takim kandidati Gorrea shoqërohej nga deputeti i zonës Erjon Braçe.Ne bashkëbisedime me banoret Gorrea, shpalosi programin e tij per investimet te cilat sipas tij  do te përmirësojnë ndjeshëm jetën e banoreve te zonës.

Ai tha se ndër shtyllat kryesore te programit janë përfundimi i investimeve dhe projekteve qe janë ne proces, përmirësimi i kanaleve te dyte e te trete kullues dhe ujitës, hapja e rrugëve bujqësore për lëvizjen lirshëm te prodhimit si dhe shume investime ne infrastrukturë, arsim e sport.

Gjithashtu deputeti Braçe teksa bëri thirrje për të votuar kandidatin Gorrea, ai i garantoi banorëve se brenda dy vjetarit te pare te mandatit do te behet e mundur realizimi i gjithë infrastrukturës bujqësore për fermerët.

“Kemi zgjedhur ti japin një dimension tjetër angazhimit publik, profesional dhe politik profesorit Gorrea,  për të bërë më te mirën e mundshme për Divjakën në tërësi dhe për gjithë banorët e zonave të kësaj bashkie. Duam të shërbejmë dhe po kërkojmë mundësin për t’ju shërbyer bujqëve në radhë të parë dhe pastaj të gjithë atyre që kanë ambicie për më shumë se bujqësia”, tha Braçe.

Ora 11:45
Kandidati i Berisha-Meta për Kurbinin takim në Sanxhak, e pranishme e ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli

 

Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14-majit, kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë Kurbin Behar Haxhiu, zhvilloi një takim me banoret e fshatit Sanxhak. Kjo zonë dhe gjithë Kurbini është lënë në harrese nga pushteti vendor, por ky realitet do të ndryshojë pas 14-majit u shpreh Haxhiu.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe drejtuesja politike e opozitës për Qarkun e Lezhës Jozefina Topalli si dhe deputetët Kastriot Piroli dhe Elda Hoti të cilët kërkuan mbështetje maksimale për kandidatin Behar Haxhiu.

Ora 11:38
Pjerin Ndreu takim me banorët e lagjes 'Skënderbeg': Mandatin e ardhshëm realizojmë projektin që Lezha të mos përmbytet më

 

Lagjia "Skëndërbeg" në qytet dhe fshati Spiten ishin ndalesa e radhes e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Lezhë, Pjerin Ndreu. Në takimin elektoral me banorët e lagjes "Skëndërbeg", Ndreu tha se kjo zonë ka njohur mbështetjen maksimale nga Bashkia Lezhë, duke deklaruar se do vijojnë investimet për ndryshimin rrënjësor të të gjithë qytetit.

“Lagjia ‘Skëndërbeg’ ka njohur mbështetjen maksimale nga bashkia Lezhë. Do ketë projekt për të arritur që Lezha kurrë të mos përmbytet. Do ndërtojmë komplet nga fillimi lagjen Skendërbeg me fasada me rrugë, me ndruiçim, me sinjalistikë horizontale dhe vertikale”- u shpreh Ndreu.

Ndërsa në takimin elektoral me banoret e Spitenit Kandidati Socialist për Lezhën Pjerin Ndreu tha se në mandatin e ardhshem, kjo zonë nuk do të ketë më probleme me infrastrukturën rrugore.

 

Ora 10:33
Takim me banorët e Levanit, kandidati i Berisha-Meta për Fierin, Kodheli: Përparësi nevojat bazike

 

Në një takim me banorët e fshatit Levan, kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Fierit, u premtoi banorëve se programi i tij elektoral është një alternativë që do të sjellë ndryshim.

Kandidati Kodheli e ka cilësuar të mjerueshme situatën teksa theksoi se në programin e tij, të gjitha këto kërkesa legjitime si rrugë, ujë, drita, do të kenë përparësi. Në të njëjtën kohë është ndalur te një pikë e rëndësishme e programit, ofrimin e ujit pa pagesë në të gjitha njësitë administrative deri në sistemimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza.

Ndërkohë drejtuesi politik i qarkut, z. Luan Baci u ka bërë thirrje banorëve që në 14 Maj, të ndëshkojnë me votë kryebashkiakun e baltosur në korrupsion, teksa i ftoi të votojnë kandidatin e koalicionit “ Bashkë Fitojmë”, Evdar Kodheli.

 “Ka ardhur koha që Subashi të jetë e shkuara, dhe demokratë e socialistë të zhgënjyer të reflektojnë për të zgjedhur alternativën më të mirë për Bashkinë Fier, shtoi më tej Baci.

Ora 09:40
Sako me gratë në Durrës: Kemi bërë shumë në drejtim të barazisë gjinore! Të pranishme aktorja e madhe Margarita Xhepa dhe përfaqësuesja e OKB

 

Bashkia e Durrësit ka bërë shumë në mbështetje të grave dhe vajzave. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, në takimin e zhvilluar për barazinë gjinore me temë “Shoqëria fillon me të drejtat e Gruas”.

Në këtë takim organizuar nga Women Alb World merrnin pjesë presidentja e kësaj organizate Mirela Mezani, koordinatorja e përhershme e OKB-së në vendin tone, Fiona Mccluney, zv/ministrja e jashtme Artemisa Malo, aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa, gazetarja angleze Alice Taylor, aktivistë dhe perfaqësues të institucioneve dhe organizatave që kanë në fokus mbrotjen e grave dhe vajzave. Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj tha gjithashtu se gratë dhe vajzat kanë qenë një mbështetje shumë e madhe në rrugëtimin 3-vjecar të saj në krye të bashkisë Durrës.

“Kemi bërë një punë shumë të madhe për gratë dhe vajzat. Janë hapur disa qendra sociale të shërbimit social në zonat periferike të qytetit. Ne ofrojmë shërbim psikologjik dhe mbështetje ligjore falas për gratë dhe vajzat që kanë nevojë, por edhe në drejtim të punësimit”, tha Sako.

Duke folur për punën që ka bërë bashkia Durrës për fuqizimin e rolit të gruas, barazinë gjinore dhe ndihmën e kategorisë së grave me probleme sociale, kryebashkiakja Sako tha se vetëm 3 vitet e fundit kemi ngritur 3 qendra të reja sociale në zonat periferike të bashkisë ndërkohë që në 9 qendra që kemi në bashkinë tonë marrin shërbim afro 1900 individë si: këshillim social, psikologjik dhe mbrojtje ligjore falas. Po kështu Sako theksoi se Bashkia ka ndërmarrë nisma edhe në drejtim të punësimit të grave e vajzave. Kryebashkiakja shtoi se aktualisht në këshillin aktual bashkiak 54 përqind e këshilltarëve janë gra dhe vajza me profesione të ndryshme.

Në këtë takim ka folur edhe Fiona Mccluney, koordinatore e përhershme e OKB-së në vendin tonë. Ajo tha se kandidatët që marrin pjesë në zgjedhje duhet të jenë modele të përfaqësimit dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të grave dhe vajzave.

“Përfaqësuesit lokal duhet të kenë parasysh problemet e grave, sidomos në drejtim të punësimit”, tha ajo.  

Takimi është përshëndetur edhe nga aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa, e cila shprehu mesazhet e saj përmes një interpretimi emocionues.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?