‘Vendoret’/ Beci premton ndërhyrje urgjente në infrastrukturë! Spahia: PS nuk është alternativë, s'ka punuar për qytetin

9 Maj 2023, 09:29| Përditesimi: 9 Maj 2023, 22:30

  • Share

Në këto ditë të fundit të fushatës elektorale, kandidatët e Bashkive kanë vijuar punën me takimet në terren në kuadër të fushatës zgjedhore për 14 majin.

Socialistja Emirjana Sako ka hedhur poshtë akuzat e kundërshtarit të saj politik Igli Cara, lidhur me shembjen e banesave në zonën e Durrësit të Ri.

Kandidati Benet Beci gjatë turit në lagjet e Shkodrës premtoi ndërhyrje emergjente në infrastrukturë.

Nga ana tjetër Bardh Spahia u tha banorëve të rajonit nr 2 në Shkodër, se Benet Beci dhe PS-ja nuk janë alternativë, pasi nuk kanë punuar për qytetin.

Gjatë një takimi në formën e protestës me banorët e lagjes "Skëndërbeg" dhe "Demokracia" në Lezhë, Pashk Gjoni premtoi zgjidhje të problemit të ndotjes.

Kandidati i opozitës Arjan Hoxha, nga Kamza akuzoi Rakip Sulin për mungesë të investimeve në këtë bashki, duke kërkuar votëbesimin e qytetarëve.

Kandidati i dyshes Berisha-Meta për Fierin, në fshatin Kallm i Vogël premtoi mbështetje financiare në arsim dhe punësim për të rinjtë.

Në fshatin Novosej, kandidati i “Bashkë Fitojmë” u premtoi kuksianëve ndërtimin e unazës së Bjeshkëve, pa harruar të thumbojë dhe Safet Gjicin.

Nga vendlindja e tij në Barbullush të Vaut të Dejës, kandidati opozitar Zef Zila shpalosi pikat kyçe të programit të tij në 4-vjeçarin e ardhshëm.

I shoqëruar nga kreu i PSD, Tom Doshi, kandidati socialist Kristian Shkreli në takimet me qytetarët e Vaut të Dejës kërkoi dhe votën e demokratëve më 14 maj.

Ora 15:20
Veliaj me banorët e Njësive 7 dhe 11: Do fitojmë edhe më thellë në Laprakë e kudo në Tiranë! Kemi projekte për mandatin e tretë

 

Kandidati i PS-së dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar takimet elektorale për zgjedhjet e 14 majit me banorët e Njësive 7 dhe 11 në kryeqytet. Veliaj tha se me investimet e mëdha, e sidomos shkollat e ndërtuara në këto dy njësi, qytetarët kanë mjaftueshëm arsye të besojnë se në 14 Maj duhet të ecim vetëm përpara. Ai deklaroi se në Laprakë, bastionin e demokratëve ku Berisha deri dje “varte” xhaketën, PS do marrë një fitore edhe më të thellë se në zgjedhjet e fundit, ku fitoi bindshëm.

“Në Njësinë 11, një njësi që konsiderohej bastion i së djathtës, Sali Berisha thoshte: ‘Kam varur xhaketën e sa të jetë xhaketa ime, Lapraka do votojë gjithmonë djathtas’. Sot Lapraka është me Partinë Socialiste, ‘Treshi’ është me Partinë Socialiste, Kodër Kamza është me Partinë Socialiste dhe Bregu i Lumit është me forcën më progresiste. Pse? Sepse hoqëm një xhaketë dhe vumë një tjetër? Jo! Ne nuk jemi nga ata që i varim shpresat te xhaketa. Ne jemi nga ata që i varim shpresat te puna. Kjo është arsyeja pse filluam duke rehabilituar Bregun e Lumit, që asnjë familje të mos përmbytet. Kjo është arsyeja pse filluam nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, punët tona të para, si në çdo familje, që të fillojmë nga më të vegjlit për të rregulluar situatën,” u shpreh Veliaj.

Vetëm në Laprakë, tha ai, janë ndërtuar 5 shkolla të reja.

“Vetëm në Njësinë 11 kemi ndërtuar shkollën “Vaçe Zela”, “Kristo Frashëri”, “Andrea Stefani”, “Nënë Tereza” dhe “Kenedi”, se ne besojmë se vetëm arsimi, puna, mëngët e përveshura, bashkimi, na çojnë papara. Sot Njësia 11 ecën vetëm përpara. Sot Njësia 11 është e vetmja që ka kinema qyteti, kinemaja “Maks Velo”. Sot është një nga ato njësi që ka bibliotekën “Valter Gjoni”. Sot do të jetë njësia që, me parkun e ri, me terminalet e trenit dhe të autobusit, do të jetë zyrtarisht porta hyrëse e Tiranës, ku iu themi të gjithëve mirë se erdhe në Tiranë, ky është edhe qyteti yt dhe kjo është familja jonë e madhe”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se edhe në Njësinë 7 janë ndërtuar dhe po projektohen mjaft investime të tjera.

“Në Njësinë 7 po përgatitemi për disa investime të mëdha. Bashkia e Tiranës mori në dorëzim kompleksin “Dajti”, për t’ua kthyer në fusha sportive dhe çunave dhe gocave që merren me sport. Siç bëmë me pishinat, siç bëmë me “7 Xhuxhat”, se Bashkia ka treguar që di të menaxhojë, këtë javë hapim Piramidën e Tiranës, ndërtesa më e bukur e qytetit në dispozicion të më vegjëlve, që të mësojnë të kodojnë, të mësojnë punët e të ardhmes, të marrin aftësi digjitale. Ndaj, sot jam krenar për çfarë kemi bërë në Njësinë 7, për çfarë kemi bërë në Njësinë 11 dhe çfarë duhet të bëjmë akoma për ta çuar Tiranën përpara në mandatin e tretë,” deklaroi Veliaj.

Ora 15:20
Niko Peleshi krah kandidatit të PS-së për Korçën, Sotiraq Filo: Sfida jonë më e madhe është të mbajmë rininë në qytetin tonë

 

Në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit, turi i takimeve të Partisë Socialiste dhe kandidatit të saj për bashkinë Korçë vijuan nga Selaniku.

 Në një takim me emigrantë korçarë që jetojnë e punojnë atje, kandidati i PS-së dhe njëherazi kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo, bëri paralelizmin e krijimit të kushteve për të rinjtë që gjejnë në Korçë të njëjtat programe studimi në teknologji njësoj si në Selanik.

Ai tha se prioritet në këtë mandat do të jetë krijimi i kushteve për punësimin e rinisë, në mënyrë që ata të mos largon nga vendi.

“Kemi filluar para 3 vitesh një program shumë të madh për të kthyer Korçën në një qendër të teknologjisë dhe inovacionit, sepse një prej sfidave ton kryesore është se si ti mbajmë të rinjtë dhe të rejat në qytetin tonë. Korça është një qytet i jetueshëm dhe të rinjtë kanë me se merren por na mungojnë mundësi më të mëdha punësimi” tha Filo.

Më tej ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, njëkohësisht edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës theksoi se në Selanik është një takim i rëndësishëm i fushatës për vetë faktin se korçarët që punojnë e jetojnë në Selanik kanë një kontribut jo të vogël në shndërrimin e Korçës.

Sipas Peleshit, e rëndësishme është që mbështetja e emigrantëve të jetë po aq e madhe, për ta mbajtur Korçën të parën.

Ora 14:18
Kandidati i Berishës dhe Metës për Vaun e Dejës, Zef Hila takim me banorët: Me 14 maj duhet të kthejmë bashkinë te qytetarët për t’ju shërbyer qytetarëve

Në një takimi me banorët e fshatit Barbullush, në Vaun e Dejës, kandidati i koalicionit të dyshes Berisha dhe Meta për këtë bashki, Zef Hila është zotuar se më marrjen e mandatit do të nisë punën për zhvillimin e zonës.

Ai tha se prioritet kryesor është infrastruktura në këtë fshat, ku sipas tij për katër vite ka marrë zero investime, edhe pse është një nga zonat me të ardhurat më të mëdha për taksat e bashkisë Vau Dejës.Kandidati Zef Hila në fjalën e tij u shpreh se investimet në infrastrukturë, në kanalet kulluese dhe vaditëse, në arsim dhe shëndetësi do të jenë shtylla të programit pas 14 Majit.

“Një ndër prioritete tona do të jetë sistemimi i kanaleve vaditëse, e në mënyrë të veçantë i disa sistemeve. Do të kemi pjesë te ekipit ton agronomë për te realizuar këtë. Sistemimi dhe asfaltim i rrugëve kryesore të këtij fshati, shëndetësia dhe arsimi janë në fokus të planeve tona”, tha kandidati Hila.

Ora 13:58
Kandidati i PS, Benet Beci me banorët e Shkodrës: Në fokus kemi infrastrukturën dhe urbanizimin e zonave rurale

 

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës Benet Beci, ka vijuar fushatën e tij me banore te lagjeve te qytetit te Shkodrës.

Banoret qe jetojnë pranë stacionit të trenit kanë shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e infrastrukturës në  ketë zone prej shumë  kohësh ndërsa kandidati Beci theksoi se duhet një ndërhyrje emergjente në infrastrukturë për përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone.

Takimet elektorale Beci i ka vijuar me banoret e lagjes Xhabije, ku ka marrë edhe mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 14 majit.Fokusi kryesor në punën e kandidatit Beci për bashkinë e Shkodrës është përmirësimi i  Infrastrukturës dhe projektet  për zhvillimin e qytetit

 

 

 

Ora 13:53
Në garë për bashkinë Shkodër, kandidati i dyshes Berisha-Meta: Shkodra nuk ka 2 alternativa por vetëm një

 

Në prag të zgjedhjeve të 14 majit, kandidati i koalicionit Berisha-Meta zhvilloi një takimin përmbyllës me banorët e rajonit nr.2.

Në fjalën e tij kandidati për këtë bashki Bardh Spahia tha se në gjithë këtë fushatë kundërshtarët politik që për 10 vite persekutuan Shkodrën, edhe në këto ditë nuk reshtën se hedhuri baltë ndaj saj. Mashtrimet janë kryefjalë e tyre prandaj shkodranët do t’i refuzojnë me votë tha ai.

“Kam dëgjuar shpesh gjatë kësaj periudhe se si synohet të hidhet baltë në qytetin tonë të mrekullueshëm, duke e etiketuar si të prapambetur, të pisët, si të zymtë dhe të lënë në errësirë nga ata që bëjnë çdo gjë që ti mbyllin rubinetin e financimeve Shkodrës” tha Spahia.

Më tej ai foli për investimet e realizuara dhe ato të parashikuara për këtë 4 vjeçar, ku theksoi se gjërat e mira që janë bërë në Shkodër janë vetëm nga taksapaguesit shkodranë dhe jo nga financat e qeverisë.

“Shikoni diferencën që ka në financime nga institucionet e qeverisjes qendrore, çfarë kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve dhe vazhdojmë të bëjmë, e bëjmë nga taksat e taksapaguesve shkodranë, të cilat jemi munduar t’jua mbajmë sa më të pakta që t’ju lehtësojmë si barrë bashkëqytetarëve tanë.E vetëm nëpërmjet tyre kemi arritur të bëjmë disa nga punët më të mira, pasi në themel të punës tone kemi vënë transparencën dhe ndershmërinë për kursimin. Për të disatin vit rresht dhe këtë vit që unë drejtoj bashkinë kemi dalë bashkia në vend të parë për transparencën dhe mirëmenaxhimin ” tha Spahia.

Më tej përpara banorëve të këtij rajoni, kandidati Spahia e bëri të qartë se Shkodra nuk ka 2 alternativa por vetëm një dhe se qytetarët e saj nuk mund ta lënë drejtimin e bashkisë në duart e atyre që kanë patur rastin të tregojnë vëmendje por vetëm e persekutuan Shkodrën.

Ora 13:32
Sako me banorët e Ishmit në Durrës: Do e kthejmë këtë zonë në polin e ri të zhvillimit

 

Kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 Majit në takimin me banorë të njësisë administrative Ishëm. Sako tha se po punohet me ndërtimin e shkollave dhe kopshteve për fëmijët, ndërkohë që fokusi i punës do të jetë edhe për fermerët, agroturizmin dhe monumentet e kulturës që gjenden në këtë zonë.

“Ishmi ishte epiqendra e tërmetit kanë kaluar 3 vite nga dita kur kam marrë detyrën. Tre vite më parë nisëm një rrugëtim të vështirë, por ia dolëm dhe tashmë kemi një bilanc të shkëlqyer duke rindërtuar nga e para 343 banesa të reja në zonën tuaj.  Shkollat e reja janë gati, por edhe kopshti i ri do të bëjmë të mundur që ne të kemi një zonë të përfunduar. Ishmi do të jetë një pol i ri i zhvillimit. Në Durrës po caktojmë ngritjen e një pike grumbullimi.”-tha ndër të tjera Sako.

Drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela ka thënë para banorëve se, kur Ishmi u bë pjesë e bashkisë Durrës kishte shumë probleme që ngritën banorët për t’u zgjidhur dhe sot, energjia elektrike, rrugët, ujit i pijshëm dhe shkollat, janë që të gjitha problematika të zgjidhura.

Zona e Ishmit ka mundësi të pafundme për investime në sektorin e turizmit. Kryebashkiakja Sako tha se pas restaurimit të kalasë dhe kishës së Shën Ndout, do të fokusohemi tek turizmi në mënyrë që firma të fuqishme të ndërtojnë infrastrukturën e tyre turistike në këtë zonë. Edhe për feremerët është menduar që në bashkëpunim me ministrinë e bujqësisë, të evidentohen produktet kryesore që do të subvencionohen me fonde të bashkisë dhe qeverisë.

Ora 13:11
Kandidatit i koalicionit Berisha-Meta në Fier, Evdar Kodheli: Do të mbështesim financiarisht nxënësit ekselentë

1683109709_evdarkodheli.JPG

Në një takim me banorët e fshatit Kallm i Vogël, kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Fierit, Evdar Kodheli ka ndarë me banorët e këtij komuniteti disa nga planet që janë prioritet në programin e tij për këtë bashki.

Gjatë bashkëbisedimit , banorët i përcollën problemet e shumta në zonë si pasojë e mungesës së investimeve, për tu ndalur te mungesa e mbështetjes për të rinjtë gjë që ka sjellë dhe largimin e tyre. 

E teksa është ndalur për të diskutuar zgjidhjen e këtyre problemeve me banorët, ai premtoi mbështetje financiare për nxënësit ekselentë dhe mundësi punësimi për të kontribuar pas përfundimit të studimeve, për zonën dhe qytetin e tyre.

Ndërkohë drejtuesi politik i Qarkut Luan Baci , u ka kërkuar banorëve të mos i japin asnjë votë Subashit, pasi inceneratori prane zones se tyre u ka sjell vetëm ndotje , teksa nuk ka kursyer akuzat për kandidaten e Alibeaj e cila sipas tij nuk është përfaqësuese e demokratëve por ndihmëse e Subashit, pasi edhe sot është shefe e prokurimeve në Spitalin e Fierit dhe vendos për tenderat.

 

Ora 10:53
Mediu krah kandidatit të koalicionit Berisha-Meta: Arjan Hoxha shërbëtori i Kamzës! Është ora jonë për t`u ngritur dhe për të luftuar të gjithë së bashku

 

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë Kamëz, Arjan Hoxha zhvilluan sot një takimin më banoret e këtij komuniteti.

Kandidati Arjan Hoxha teksa deklaroi se fitorja në Kamëz është e padiskutueshme , ai theksoi se qytetarët e Kamzës  po vuajnë çdo ditë padrejtësitë e këtij pushteti.

“Më shumë se Kamza nuk e vuan askush këtë regjim, këtë diskriminim, këtë trajtim të pabarabartë, si në shpërndarjen e parave të tërmetit, të përmbytjeve, në legalizime, në urbanizim, në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi, në çdo fushë të aktivitetit jetësor në këtë qytet”, u shpreh Hoxha.

Ndërsa Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ne fjalën e tij për banorët e Kamzës, ai vlerësoi mbështetjen që Kamza ka treguar gjithmonë për të djathtën.

E teksa i bëri thirrje banorëve të ngrihen dhe të kundërshtojnë padrejtësitë dhe përbuzjen  e pushtetit, ai theksoi se kandidati i përzgjedhur për këtë bashki, do të jetë vetëm shërbëtor i nevojave të banorëve.

“Kjo është ora juaj, është ora e shqiptarëve, të cilët nuk pranojnë poshtërimin dhe përbuzjen, është ora jonë për t`u ngritur dhe për të luftuar të gjithë së bashku, për atë që kemi më të shenjtë, fëmijët tanë, prindërit tanë, familjen tonë, Shqipërinë.Është momenti që të tregojmë që ne nuk mundet të shikohemi si njerëz të dorës së dytë. Prandaj kam bindjen që Arjani në krye të Bashkisë, nuk do të jetë siç e quajmë ne “qytetari i parë”, por do të jetë shërbëtori i parë i Kamzës, për t`i shërbyer nevojave dhe interesave tuaja. ”, u shpreh Mediu

Ora 10:09
Kandidati i dyshes Berisha-Meta për bashkinë Kukës kërkon mbështetje për 14 majin, premton ndërtimin e ‘Unazës së bjeshkëve’

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Kukës, Admir Sinamati ishte në fshatin Novosej, ku nuk la pa kujtuar masakrën komuniste në këtë zonë.

jatë bashkëbisedimit të zhvilluar me banorët e Novosejt, Sinamati premtoi ndërtimin e “Unazës së bjeshkëve” dhe u kërkoi mbështetje në zgjedhjet e 14-Majit.

Ndërkohë Sinamati tha se zona e Novosejt por pjesa më e madhe e fshatrave janë lënë në harresë gjatë qeverisjes së Rilindjes.

"Pa rrugën Kukës-Shishtavec të ndërtuar në kohën e qeverisjes së Berishës e gjithë kjo zonë, nga Belet në Shishtavec, do ishte një shkretëtirë njerëzore dhe ekonomike. Largimi nga pushteti i kushtoi  Shqipërisë, ku shumë fshatra mbetën pa u lidhur me rrugët kryesore. Ndër ta edhe Shtreza me Kollovozin", tha kandidati Admir Sinamati në takimin e zhvilluar me banorët e Shtrezës e Kollovozit.

Mungesa e një rruge vetëm 600 metër e gjatë, sipas tij i ka kushtuar Shtrezës braktisjen dhe varfërinë.

"Vetëm 600 metër rrugë. Ne synojmë ta fillojmë aty ku e lamë në 2013. Prioriteti ynë janë fillimisht rrugët, edhe pse nuk e kemi të lehtë të premtojmë ato gjëra që duhej të kishin përfunduar me kohë. Pushteti aktual, qendror dhe lokal, është i fokusuar tek fasadat dhe projektet 3D. 

Realiteti do ndryshojë sa të marrim detyrën, ndaj vota për koalicionin Berisha-Meta është vetëm hapi i parë për rikthimin e vështrimit këtej, e më pas, punë të mëdha na presin!”, tha Sinamati.

Ora 10:01
Gjici shpalos programin e tij para banorëve në Kukës: Do ndërtojmë tregun e ri të gjësë së gjallë, do rikonstruktohet tregu agro-ushqimor dhe industrial

 

Kandidati i PS për bashkinë Kukës Safet Gjici shpalosi para banorëve në lagjet 1 dhe 2 te qytetit programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme, nga ku tha se tanimë ai i ka marrë kryeministrit 8.5 milion dollarë për të rikualifikuar lagjen 1, 2, 3 dhe 7.

Ndër të tjera Gjici tha se në programin e tij është parashikuar të ndërtohet tregu i ri i gjësë së gjallë, të rikonstrukturohet tregu agro-ushqimor dhe ai industrial.

E ndërsa për kundërshtarët, Gjici u shpreh se ata 20 vite e kanë patur bashkinë por që nuk kanë lënë një investim për t’u mbajtur mend. Sipas Gjicit, premtojnë mashtrime për të cilat ata nuk kanë ku të marrin para për të investuar.

Prefekti i Qarkut Ali Hallaci dhe Deputetja Gerta Duraku kërkuan që më 14 maj të votohet Safet Gjici për vijimin e projekteve të nisura.

Ora 09:30
Në garë për bashkinë Lezhë, Pashk Gjoni: Do përdorim çdo hapësire për të ndaluar ndotjen nga fabrika e mbetjeve shtazore

“Si kryebashkiak pas 14 Majit, do të përdorë çdo hapësirë ligjore dhe mekanizëm kushtetues, për të ndaluar ndotjen dhe rrezikun e mëtejshëm për qindra familje nga fabrika e përpunimit të mbetjeve shtazore.” Ky ishte zotimi i kandidatit të koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë Lezhë, Pashk Gjoni gjatë një takimi në formën e protestës me banoret e lagjes "Skëndërbeg" dhe "Demokracia" të cilët preken nga ndotja.

“Kjo zonë është bërë e pabanueshme nga ndotja e madhe që krijon fabrika”, u shpreh Deputetja e Lindita Metaliaj dhe banorët.

“Është e patolerueshme se si Bashkia Lezhë, AKU dhe ministria e linjës kanë braktisur këta banorë ndërsa flasin për turizëm dhe arritje imagjinare”, tha ndër të tjera kandidati i opozitës për Bashkinë Lezhë Pashk Gjoni.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ₩¥£$: 09/05/2023 15:18

    Rrena ma è madhe dhe qe nuk durohen dhe qe na bajn me vjell qa kena hanger kur thojn te tan kta kandidatet vermosh-konispol qe DO JU KTHEJM BASHKIN QYTETARVE ose DO HAPIM DYRT E BASHKISE QYTETARVE neveri e madhe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?