‘Vendoret’/ Sako me gra dhe vajza të Sukthit: Hapim pika grumbullimi për fermerët! Kryemadhi me kandidatin e Fierit: I shërbejmë të gjithëve

1 Maj 2023, 07:57| Përditesimi: 1 Maj 2023, 23:01

  • Share

Teksa hyjmë në dy javët e fundit të fushatës elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidatët për kryebashkiakë kanë vijuar me takimet e tyre me banorët e qyteteve dhe zonave të ndryshme duke shpalosur programet e tyre. Retorika politike deri më tani shihet e përqendruar mes liderve të mazhorancës dhe opozitës të cilët në takimet që bëjnë me qytetarët kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat ku premtoi më shumë mbështetje për nënat kryefamiljare. Ai tha se për gratë e divorcuara dhe ato kryefamiljare do ketë rimbursim të plotë të kredive për strehim. 

Nga ana tjetër, kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me qytetarë të Rrogozhinës të cilëve u ka kërkuar që të votojnë kandidatin tjetër të PS-së për këtë bashki, ËEdison Memollën, me argumentin se pala tjetër nuk ka asnjë lloj plani për zhvillimin e vendit. 

Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka marrë pjesë në një takim të kandidati të 'Bashkë Fitojmë' për bashkinë e Fierit, të cilëve u ka kërkuar të votojnë për Edvar Kodhelin.

Kryebashkiakja socialiste Emiriana Sako e cila rikandidon në Durrës premtoi investime në bujqësi, arsim dhe sport. Takimi i radhës i kandidatit të koalicionit Berisha-Meta për Durrësin Igli Cara ishte me anëtarët e para dhe tetraplegjikëve, të cilëve u premtoi zero taksa dhe reduktim të tarifës së ujit.

Kandidati i PS-së në Vlorë, Ermal Dredha bashkë me të rinjtë u fokusuan tek mbjellja e pemëve. Për Hysni Sharrën e dyshes Berisha-Meta prioritet në bashkinë e Vlorës do të jetë turizmi dhe punësimi i të rinjve.

Duke shpalosur programin e tij për bashkinë e Mirditës, Albert Mëlyshi i ‘Bashkë Fitojmë” u shpreh se fokusi është ndalimi shpopullimit. Kandidati socialist për Bashkinë Cërrik, Andis Salla vuri theksin tek rëndësia që ka sektori i bujqësisë.

Kandidati i PD për Mallakastrën Agron Kapllanaj shpalosi prioritetet e tij për bashkinë që drejtoi dy mandate më parë, duke thënë se do i rikthejë dinjitetin. Kandidati socialist për Divjakën, Josif Gorrea në takimin me banorët e qytetit ka vënë theksin tek investimet në lagunë për të ushtruar gjuetinë e peshkimit.

Edvar Kodheli i cili kandidon nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë” u ka garantuar qytetarëve të Fierit se Bashkia do të jetë një derë e hapur për të gjithë. Nga Startup-et tek Qendra e Teknologjisë, sekretari i pergjithshem i PS Gjiknuri dhe kandidati Gledian Llatja prezantuan projektet për të rinjtë.

I besuari i dyshes Meta-Berisha për Lushnjën, Eduard Sharka u premtoi banorëve të Karbunarës investime në bujqësi dhe infrastrukturë si dhe ulje të taksave. Kandidati i opozitës Besnik Dusha gjatë takimit me të rinjtë tropojanë akuzoi mazhorancën për pushime masive dhe të padrejta nga puna.

Ora 17:10
Bejko takim me gratë dhe vajzat: Nënat kryefamiljare do jenë në fokusin tonë! Bashkia do iu rimbursojë 100% kredinë për strehim 

1682953969_rolandbejko.jpeg

Kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko zhvilloi një takim me gra dhe vajza, ndërsa premtoi më shumë mbështetje për nënat kryefamiljare. Bejko tha se nënat kryefamiljare dhe gratë e divorcuara do të jenë në fokusin e tij, të cilave do t’iu mundësojnë rimbursim 100% për kreditë për strehim. 

Gjatë takimit Bejko tha, se në ndryshim nga Erion Veliaj, i cili u merr taksën 3% ndërtuesve vetëm në para, ata do ta marrin një pjesë në para dhe një pjesë banesa, në mënyrë që të strehojnë gratë kryefamiljare, apo ata persona që nuk kanë mundësi financiare. Po ashtu, Bejko tha se do të ulin taksën e ndërtimit nga 15% në 5% me qëllim që të bie çmimi i apartamenteve. 
Ndërkohë, Bejko u ndal edhe te pika e prezantuar për kopshte dhe çerdhe 15 minuta larg banesës, njëjtë si në vendet e Bashkimit Europian. Një gjë e tillë, Bejko tha se do të ndihmoj nënat që t’i çojnë fëmijët shpejt në shkollë dhe të mos ngecin në trafikun e dendur të Tiranës. 

“Do ta kemi prioritet që nënat kryefamiljare, të cilat kanë gjithë peshën e familjes, nënat e fëmijëve jetim, apo të divorcuara do t’i kemi në fokusin tonë. Do t’i trajtojmë ato me dinjitet. Do ti japim kredi, 100% do ua rimbursojë bashkia kredinë për strehimin. Do të jenë në listën prioritare për të marrë apartament, banesën, që është absolutisht jetike. Ne do u marrim, firmave të ndërtimit bashkia edhe sot e ka me ligj që do u marrë 3%. Mirëpo bashkia e merr në para të gjithë, nuk e merr në objekt. Ne do ta marrim një pjesë në para, një pjesë në objekt. Do ta marrim në objekt me qëllim që çiftet e reja, gratë kryefamiljare, ata që s’kanë kushte për të siguruar minimumin jetik, do të strehohen në këtë shtëpi me kriteret që ka vendosur ligji. Ne duam që t’i strehojmë këto familje në këtë hyrje që ka në dispozicion bashkia. 

Nga ana tjetër, ne e dimë se cili është problemi më i madh që kanë gratë sot. Përveç rritjes së fuqisë ekonomike, është raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Me të ardhura të pakta nuk kryen dot shpenzime të larta. Prandaj ne do ta çlirojmë ekonominë kriminale në bashki, do ta çlirojmë tregun dhe duam që të ulim taksën që është nga 15% do ta zbresim në 5% me qëllim që të bie çmimi i banesave. Vetvetiu do të bie ndoshta edhe çmimi i qirave. Siç e keni vënë re qiratë kanë shkuar në stratosferë, shumë të larta për të ardhurat mesatare për frymë që ka Shqipëria në raport me rajonin.
Ka nevojë për çerdhe kopshte shkolla. Në çdo lagje do të ketë të tilla. Do të ndërtohen të tilla që do jenë 15 minuta larg familjes. Pra, çdo shtëpi do ta ketë kopshtin, çerdhen në shkollë vetëm 15 minuta larg. Është kriter, e ka vënë BE. Ku do ti gjejmë paratë? Paratë aty janë. Po të mos i çosh 10 mln euro për inceneratorin që nuk punon, por t’i bësh kopshte, çerdhe ia del. 15 minuta larg kopshti çerdhja dhe shkolla do ta lehtësojnë shumë nënën, se nëna merret kryesisht me kalamajtë akoma në këtë shoqëri patriarkale, por edhe babin tek e fundit ai që merret me këto punë në mëngjes, ti çojnë kalamajtë e tyre shpejt në shkollë, të mos futen në trafikun e dendur të Tiranës, dhe prej andej pasdite kur lënë punën dhe ta kenë kollaj që t’i marrin aty në lagje dhe të shkojnë në shtëpi. Dua që në kopshtet, shkollat dhe çerdhet të respektohet kriteri i hapësirës i vënë nga BE, jo më shumë se 20 nxënës për klasë dhe jo shkolla me dy ose tre turne. Po kështu edhe për ambulancat, do të jenë 15 minuta larg banesës së qytetarit”, tha Bejko.

Ora 16:32
Veliaj: Rrogozhina nuk ka kohë për të humbur me non-gratat e ish-sigurimsat! Ata që i përfaqësojnë këtu vijnë për ekskursion

 

Nga Rrogozhina ku zhvilloi takimin elektoral të radhës, Erion veliaj i cili drejton Partinë Socialiate të Qarkut të Tiranës kërkoi votën për Edison Memollën. Ai tha se kandidtatët e tjerë nuk kanë lidhje me Rrogozhinën, por e duan atë vetëm për “ekskursion politik”. 

“Nga vijnë këta kandidatët e tjerë?! Nisen në mëngjes nga Tirana, bëjnë ekskursion këtu dhe kthehen prapë në Tiranë. Kanë drejtuar lojërat e fatit dhe mendojnë se Rrogozhina është një ruletë. Ne sot duhet t’ju japim një mesazh. Kjo nuk është tavlla jote, kjo nuk është ruleta e Saliut, kjo është Rrogozhina e Partisë Socialiste, e njerëzve të ndershëm, e njerëzve të drejtë, e atyre që duan punën e ta çojnë përpara. Këta që vijnë për ekskursion, 4 vjet zhduken. Ndërkohë ne e kemi ‘shalqi me provë’ Edisionin, jo vetëm që nuk zhduket, por ka qenë këtu përditë e përnatë, ka qenë këtu për çdo siklet e çdo hall, në ditët tona më të vështira  ndaj dhe sot që po shndrit ky diell dhe ditët më të mira i kemi përpara, ne do të vazhdojmë të ecim përpara me Edisionin dhe me Partinë Socialiste,” tha Veliaj. 

Sot është me e qartë se kurrë ku jemi dhe kë kemi përballë, shtoi ai.

“Sot është më e qartë se kurrë që kemi përballë ca njerëz që duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa. Sot kemi përballë Saliun dhe Ilirin, njëri prej tyre është non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tjetri na doli që ishte spiun i sigurimit, fuksi i lagjes, 2-lekshi që shkonte spiunonte shokët. Është bashkuar fuksi me non-gratën dhe janë bashkuar dy njerëz të cilët vetëm dëme i kanë sjellë Shqipërisë. A ju kujtohet 21-janari, a ju kujtohet Gërdeci? A ju kujtohet kur e kishin Bashkinë e Tiranës?! Falas, falas thoshin çdo gjë, por falas ishte vetëm Sudja që pasi mori të gjithë lekët kur Saliu thoshte: ‘kjo është Zvicra’ - i lanë njerëzit me gisht në gojë. Nëse Saliu nuk shkon dot deri në Rinas, është halli i tij. Nëse Ilir Meta doli që ishte fuks i sigurimit, është problem i tij. Problemet tona janë të familjeve dhe të fëmijëve tanë dhe për këtë arsye duhet të shkojmë përpara. Nuk kemi lidhje me hallet e tyre dhe nuk ka pse Rrogozhina të humbasë kohë me non-grata-t,” përfundoi Veliaj fjalën e tij.

Ora 16:05
Rikandidon për bashkinë e Elbasanit, Llatja takim me banorët: Kur të votoni kujtoni nëse kandidati tjetër ka punuar ndonjëherë për ju

 

Kanidati për kryetar bashkie në Elbasan, Gledian Llatja gjatë një takimi me banorë të fshatit Dopaj kërkoi mbështetjen e tyre për një tjetër mandat 4 vjeçar në krye të bashkisë.

Ai vuri në dukje mbështetjen që sipas tij bashkia me mbështetjen e qeverisë, i ka dhënë zhvillimit të fshatrave në bashkinë e Elbasanit. Ai u kërkoi qytetarëve që në momentin kur të shkojnë në kutinë e votimit të kujtojnë nëse kandidati i koalicionit Meta-Berisha, është kujdesur ndonjëherë për fshatin gjatë viteve që ka qenë në politikë.

Mes të tjerash, ai përmendi edhe projektet që pritet të realizohen nëse rikonfirmohet në detyrë, duke nisur që me Bypassi-n e Elbasanit.

“Po bëjmë rrugë, po sjellim zhvillim, dalëngadalë po vjen dhe po shtrihet në të gjithë Elbasanin edhe në fshatrat më të vegjël urbanizimi i aq kërkuar prej vitesh e vitesh. Dhe jam i bindur se do të jemi edhe katër vite po bashkë këtu për të vazhduar punët më të mira të nisura. Ne këtu kemi një nga projektet më të mëdha që duam nga këtu të lidhet rruga me Funarin, që të bëjmë një destinacion fantastik aty, turistik që ti japim një zhvillim të gjithë zonës.

Këtu fillon, këtu është hyrja, këtu është e vetmja hyrje që ne kemi momentalisht në autostradën Tiranë - Elbasan nga krahu jonë. Do të vazhdojmë pastaj me projektet e mëdha sic filloi aufostrada këtu do të fillojë by passi i Elbasanit, është duke u projektuar. Gjithandej në Elbasan po bëhet punë, Elbasani është kthyer në një kantier.

Ne po e zhvillojmë, po e urbanizojmë, me ndihmën e qeverisë po bëjmë punë të mëdhaja. Ato të tjerët janë për llafe, kanë të gjithë kohës që merren me llafe, kaq vite. Unë jam i bindur se populli i Elbasanit, ashtu si i Gracenit, ashtu si i Dopajt, ashtu si i Mamlit janë të lodhur nga llafet, duan punë konkrete.

Dua t'ju them një gjë, ne sot jemi para një dileme, nuk jemi vetëm për të bërë punë të mira për Elbasanin, që të bëjmë punë të mira për qytetin dhe për fshatin, ne këtu jemi para një vendimi politik, që të kthehemi prapa tek Sali Berisha tek Ilir Meta, tek ky kandidati që kam unë përballë , mbas 16 vjetësh vjen dhe kërkon prap mbështetje që të bëjë ato gjëra që në këto 18 - 20 vite në politikë nuk i ka bërë dot, apo do të vazhdojmë të ecim përpara të bëjmë punë? Të vazhdojmë punët e nisura të vazhdojmë zhvillimin ekonomik, të mbështesim shtresat në nevojë , të vazhdojmë me politikat tona sociale në bashkëpunim me qeverinë edhe për rritjen e pensioneve, edhe për rritjen e rrogave edhe për rritjen e ndihmës ekonomike. Të vazhdojmë me këto, apo të kthehemi mbrapa? Ne duam të vazhdojmë punë, këtë duam ne, ato duan vetëm të bëjnë llafe" u shpreh Llatja.

Kryetari i Këshillit të Qarkut, Bukurosh Stafa theksoi se puna e Llatjas në këto 4 vite meriton besimin e banorëve të çdo fshati për 4 vite te tjera të cilat premtojnë zhvillim.

"Kemi ardhur sot këtu për t'ju kërkuar votën, për kryetarin e bashkisë Gledian Llatja. E ka treguar veten që është djalë shumë i aftë, djalë i ri, me energji, me vizion, ka bërë punë shumë të mira në Elbasan. Këtë katër vjecar të jeni të sigurtë me situatën që ka bashkia do t'i thotë edhe kryetari se cfarë ndryshimesh do të bëhen"- u shpreh Stafa.

Ora 15:15
Kandidati i Berishës e Metës për Vlorën, Hysni Sharra takim me qytetarët në Lungo Mare, u shpërndan fletëpalosjet me programin e tij   

 

I shoqëruar nga të rinj dhe anëtarë të këshillit bashkiak, kandidati i Koalicionit Berisha-Meta Hysni Sharra, është takuar me qytetarët dhe pronarë të bizneseve të ndryshme, ku i ka njohur ata me programin dhe vizionin e tij për drejtimin e Bashkisë së Vlorës.

Teksa i shpërndau vetë fletëpalosjet me programin e tij, ai u kërkoi qytetarëve të besojnë të ai dhe ta votojnë me 14 maj.

Ai tha se në fokus të programit të tij është zhvillimi i turizmit dhe infrastrukturës.Gjithashtu prioritet në planet e tij për Vlorën është edhe nxitja e punësimit të të rinjve në këtë sektor, pasi Vlora ka nevojë për fuqi punëtore.

Projektet e turizmit dhe transformimit të infrastrukturës do të jenë shtylla të forta në të cilat do të bazohet ndryshimi theksoi Kandidati Sharra.

Ora 12:56
Gara për Durrësin/ Sako me gra dhe vajza të Sukthit: Hapim pika grumbullimi për fermerët, gati ndërtimi i shkollës në Vadardhë

 

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për një mandat tjetër në zgjedhjet e 14 Majit, ka zhvilluar së fundmi një takim me gra dhe vajza të njësisë administrative Sukth. Gjatë fjalës së saj Sako u shpreh se investimet e shumta që kemi bërë në infrastrukture, objektet arsimore, shërbime sociale do të vijojnë edhe në mandatin e ardhshëm.

Kryebashkiakja Emiriana Sako tha se pas 5 shkollave të reja dhe kopshteve, kemi gati projektin e shkollës së Vadardhës, e cila do të ndërtohet nga e para.

Kryebashkiakja Sako tha se: “Në Sukth kemi bërë investime të shumta në infrastrukturë, kanalizime, ujin e pijshëm dhe rrjetin e furnizimit me energji elektrike si dhe kemi zgjidhur problemin e evadimit të mbetjeve. Në programin që kemi hartuar për mandatin e ardhshëm kemi 12 pika të detajuara ku bujqësia është njëra prej tyre. Lidhur me këtë sektor kemi vendosur që të hapim pika grumbullimi në çdo njësi administrative, në mënyrë që fermerët në këto zona të kenë mundësi që  produktet e tyre t’i depozitojnë aty, ku do të ketë edhe dhoma frigoriferike. Një nga këto pika grumbullimi do të ndërtohet edhe në Sukth”.

Një banorë e Sukthit, Romina Shpata, votuese e Partisë Demokratike, u shpreh e impresionuar nga investimet e kryera në arsim, duke ftuar bashkëqytetarët të mbështesin kandidaten e Partisë Socialiste Emiriana Sako në këto zgjedhje.” Jam lindur dhe rritur në Sukth, jam shkolluar këtu. Por, sot kur shoh investimet e kryera në ndërtimin e godinave arsimore me kushte bashkëkohore jam impresionuar.  Ndaj këto dy gishta që deri dje i kam ngritur për Partinë Demokratike, sot i ngre për numrin dy të kandidatës së Partisë Socialite Emiriana Sako.”

Kryebashkiakja Sako duke bashkëbiseduar me vajza dhe gra tha se bashkia e Durrësit e vlerëson rolin që kanë vajzat dhe gratë duke përmendur se aktualisht këshilli bashkiak ka 54 përqind të tij gra dhe vajza, 47 përqind e personelit të spitalit janë po ashtu vajza dhe gra, ndërsa qendrat shëndetësore dominohen në një përqindje akoma më të lartë, 75 përqind të tyre janë femra dhe po ashtu edhe 78 përqind e arsimtarëve janë gra dhe vajza.

Në  mënyrë që t’u vihet në ndihmë grave dhe vajzave me probleme sociale, bashkia e Durrësit ka ndërtuar në Sukth një qendër sociale. Në Sukth janë evidentuar dy terrene sportive që do të rikonstruktohen, ndërkohë që investimeve në arsim dhe sport iu vjen në ndihmë edhe Akademia e Sporteve që do të ngrihet pranë universitetit “Aleksandër Moisiu” në Spitallë, ku fëmijë të grupmoshave të ndryshme do të stërviten nga trainerë të skuadrës së Manchester City.

Në zonën e Sukthit është zgjidhur tashmë problemi i mbetjeve urbane, ku në fshatin Vadardhë depozitoheshin në fushë të hapur mbetjet e zonës. Me nënshtrimin e marrëveshjes me landfillin e Sharrës, mbetjet dërgohen aty dhe në këtë zonë nuk ka më probleme mjedisore. E transformuar tërësisht është edhe zona e ngjashme e Porto Romanos, ku në vendin e dikurshëm të plehrave është ndërtuar parku më i madh në Ballkan, Eco Park me sipërfaqe afro 14 hektarë. Investime do të ketë edhe në çdo rrugë dhe lagje të njësive administrative.

Ora 12:44
Kandidati i PS-së për Vlorën takim me grupet e interesit dhe qytetarët: Synimi ynë, turizmi

1682937864_343930444574567441163170859923116992257415n.jpg

Ermal Dredha vijon takimet me grupet e interesit dhe qytetarët ku u takua me artistët dhe krijuesit e qytetit të Vlorës duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe mendimet që ata kishin në lidhje me veprimtaritë artistike të qytetit.

Dredha gjatë takimit e vendosi theksin tek krijimi i një kalendari  me evente kulturore dhe artistike që do të kontribuojë dhe për zgjatjen e turizmit në 12 muaj të vitit që është një objektiv gjatë mandatit të tij në Bashkinë e Vlorës.

"Kemi synim që turizmin ta bëjmë jo vetëm 3 apo 4 muaj por objektiv është që ta çojmë në 12 muaj, por që të krijohet kjo lloj filozofie, përveçse punës që duhet të bëjë administrata e bashkisë, duhet të bëjmë dhe një axhendë eventesh kulturore artistike." - u shpreh Dredha.

Ermal Dredha u shpreh gjithashtu se duhet të krijohen dhe panaire që janë të lidhura me kulturën, me historinë, me qëlli promovimin e vlerave që Vlora dhe zona përreth ka. Kandidati i PS në Vlorë gjithashtu u shpreh se Bashkia do të mbështesë financiarisht artistët përmes projekteve me qëllim arritjen e objektivit.

"Bashkia do të jetë e fokusuar që të krijojë më shumë hapësira duke përfshirë dhe mbështetjen financiare, me qëllim që ne ti promovojmë këto vlera."-tha ai. "Nëse ka evente kulturore në qytet, jam i bindur që edhe orientimi i gjithë turizmit që ne duam të kemi në vitet e ardhshme është i lidhur ngushtë me këto faktorë." u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Vlorën.

Gjatë mandatit të tij në Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha synon zgjatjen e periudhës së turizmit që aktualisht në Vlorë përqëndrohet gjatë stinës së Verës.

Ora 12:09
Kryemadhi prezanton programin e kandidatit të Fierit: Bashkia do të vihet në shërbim të shumicës, e jo të një grushti njerëzish

 

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi,  ka zhvilluar sot një takim me mbështetësit në Fier.

Gjatë fjalës së saj ajo është shprehur se zgjedhjet vendore 2023 janë vendimtare për të çliruar qeverisjen e qyteteve të Shqipërisë nga politika klienteliste varfëruese teksa ka theksuar se ndryshimi i qeverisjes së qytetit do ta kthejë bashkinë e Fierit në shërbim të shumicës e jo të një grushti njerëzish.

"Çfarë ndodh sot me naftën e Fierit? Qyteti më i pasur, nga nafta e të cilit qeveria përfiton shuma të mëdha është i mbushur me plehra.Investimi është 0 në këtë bashki" tha Kryemadhi.

E teksa u bëri thirrje banorëve të votojnë kandidatin e koalicionit Berisha-Meta, ajo tha se socialistët e ndershëm brenda Partisë Socialiste, janë kundërshtarët më të egër të Subashit sot.

"Po të shikojm rezultatin që kemi pasur në zgjedhjet e 2021 dhe të mbledhim votat e Partisë Demokratike bashkë me të Partisë së Lirisë e përmbysim bashkinë e Fierit" tha Kryemadhi.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe kandidati i koalicionit Berisha-Meta për kryetar bashkie në Fier, Evdar Kodheli, i cili pasi ka theksuar rëndësinë e bashkimit të koalicionit, ka përsëritur zotimin se bashkia e Fierit do të jetë derë e hapur për të gjithë, pa postblloqe policie për të mbërritur deri te zyra e kryetarit.

Ora 11:07
Duka takim me strukturat e PAA në Lezhë: Mbështesim kandidatët e ‘BF’, kërcënimet e Ramës për bllokim fondesh janë anormale

 

Partia Agrare Ambientaliste po mbështet kandidatet e opozitës, pasi është domosdoshmëri rikthimi i normalitetit politik në pushtetin vendor i cili drejtohet nga Partia Socialiste në 60 bashki të vendit. Kështu u shpreh kreu i PAA Agron Duka gjatë një takimi me strukturat e kësaj force politike në Qarkun e Lezhës. Në fjalën e tij Duka i quajti anormale kërcënimet e kryeministrit Edi Rama për bllokim të fondeve nëse votohen kandidatet e opozitës.

Ndërsa kordinatori i Partisë Agrare Ambjentaliste në Qarkun e Lezhës Gjok Jaku, u shpreh i bindur se kjo force politike do të arrije rezultate pozitive në të tre bashkitë e këtij qarku.

Krahas mbështetjes për kandidates e opozites, Partia Agrare Ambjentaliste synon përfaqësimin me Këshilltar Bashkiak në 61 bashkitë e vendit

Ora 10:59
Kandidati i Berishës e Metës për Durrësin takime me banorët: Fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për qytetin e Durrësit, Igli Cara ka zhvilluar takime me banorët në kuadër të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 14 maj.

Ai u ngal në tregun e fruta perimeve në Durrës e theksoi se fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm.

‘Te tregu i fruta-perimeve të qytetit, ku produktet nuk mungojnë, por fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm. Ndryshimi nuk është thjesht dëshirë e përbashkët, por domosdoshmëri, me synimin për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetesës së çdo qytetari të Durrësit, qoftë tregtar ose konsumator. Në 14 Maj bashkë bëjmë ndryshimin! Qyteti je ti!’- shkruan Igli Cara.

Ora 10:14
Endri Shabani takim me banorët e Laprakës: E nisëm revolucionin për një jetë më të mirë, por erdhën ata që ishin

 

Nisma Thurje organizoi një takim elektoral me banorët e Laprakës. Këtë takim e drejtuan Endrit Shabani dhe Pano Soko, të cilët janë kandidatët e Nismës për në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ata u përqendruan tek zgjidhjet që Nisma propozon për trafikun, transportin urban, dhe koston e lartë të jetesës në Tiranë.

Kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani, prezantoi platformën për administrimin e pallateve, e cila synon të eliminojë konfliktet mes banorëve për administrimin e pallatit. Kjo platformë synon të rrisë transparencën, duke i dhënë mundësi çdo banori të kontrollojë në kohë reale fondet e pallatit deri tek buxheti i qytetit. Gjithashtu kjo platformë synon të mundësojë pjesëmarrjen e qytetarëve të Tiranës në vendimmarrje, duke shkuar drejt demokracisë dixhitale.

“Të gjithë këto pallate kanë nga një administrator, i cili menaxhon kontributet e banorëve për administrimin e shkallës. Por sot ne nuk dimë se kush e zgjedh këtë administrator dhe se çfarë bëhet me paratë e shkallës sonë. Prandaj kjo platformë synon ta nisim demokracinë tek njësia bazë, tek shkalla, për ta çuar në nivel qyteti. Ne si banorë të Tiranës jo vetëm do kemi mundësi të informohemi për mënyrën se si menaxhohet buxheti i Tiranës, por ne duhet të kemi një zë edhe në lejet e ndërtimit që jepen në lagjen tonë” u shpreh Shabani në fjalën e tij.

Kandidati tjetër për Këshillin Bashkiak, Pano Soko, kujtoi se Bashkia e Tiranës mbledh më shumë taksa se sa shpenzimet që kryen, çka ka krijuar një sufiçit prej 8 miliardë lekësh.

“Bashkia Tiranë, gjatë gjithë kësaj kohe, ka shpenzuar të gjitha lekët që i duheshin dhe i kanë mbetur 80 milion Euro plus” – tha ai

Këto para Soko tha se duhet të përdoren për programe sociale, siç është ndërtimi i mensave nëpër shkollat publike, apo investimi në fondin e strehimit për familjet e reja.

Një nga banorët e zonës, i pranishëm në takim, tha se ishte një nga inxhinierët e minierës së Valiasit, të cilët u ngritën në protesta në vitin 1990.

“E nisëm revolucionin në 1990, me shpresën se po ndërtonim një jetë të re, por fatkeqësisht ata që ishin, ata erdhën prapë” – tha ai.

Endrit Shabani, duke iu drejtuar inxhinierit e falënderoi për kontributin që punëtorët dhanë në përmbysjen e regjimit në 1990-tën.

“Faleminderit për atë që ju keni bërë në 1990-ën. Nëse ju atëherë nuk do ta kishit marrë atë risk, ne nuk do të ishim sot këtu. Prandaj nëse ne nuk e ndërmarrim këtë iniciativë për të përmbysur këtë klasë politike, 20 vite më vonë dikush do jetë këtu dhe do të na gjykojë. Prandaj ajo që ne po bëjmë sot është edhe një përgjegjësi për sakrificën që ju keni ndërmarrë, dhe për punën tuaj dhe për pasurinë publike që ju si brez keni ndërtuar, të cilën këta po e privatizojnë çdo ditë”

Ora 10:09
Kandidati i Berishës e Metës për Lushnjën vijon takimet në terren: Do hapim mensa sociale për njerëzit e braktisur

 

Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Eduart Sharka, po vijon takimet në lagjen Karbunarë të Lushnjës.

Fjala e kandidatit i përqendrua në infrastrukturën që lidh Kambanarë-Lushnje -Berat dhe linja me fshatrat si nyje kryesore dhe pjesë zhvillimi.

Po ashtu Sharka u shpreh se do të ketë shërbim social dhe shëndetësor për moshat e treta si dhe mensa sociale për njerëzit e braktisur.

‘Përmirësimi i shërbimit për subvencione në bujqësi dhe për të rinjtë që investojnë në këtë sektor ndihmë në ndërtimin e serave deri në 3 dynym. Ndihmë për bujqësinë kur ka fatkeqësi natyrore. Ndërtimin e bursës në treg për çmimet e produkteve bujqësore si dhe ulja e taksave vendore.’- tha Sharka.

Ora 09:27
Mediu takim me të rinjtë në Tropojë: Votoni më 14 maj për të fituar kundër varfërisë, shpopullimit dhe shkatërrimit të familjes dhe Shqipërisë

 

Kryetari I PR se bashku me Arbiosin, këshilltaret e Partise Republikane, deputetin Isuf Celaj dhe kandidatin e opozitës për Tropojën Besnik Dusha e filluan takimin me te rinjtë e Tropojës me një vizite tek busti I heroit te demokracisë Azem Hajdari, prijësi I Lëvizjes Studentore kundër regjimit komunist

Në fjalën e tij kryetari i Partisë Republikane theksoi se ky është momenti i të rinjëve në Tropojë dhe mbarë Shqipërinë është dita për të marrë në dorë fatin tuaj.

“Qeveria po përdor çdo mjet për te na thyer dhe manipuluar, duke bere presion, duke varfëruar e shpopulluar, duke luftuar kundër lirisë sonë

Pa liri nuk ka jete, pa besim nuk ka te ardhme, pa familje nuk ka komb dhe këto vlera te jashtëzakonshme ne duhet ti mbrojmë

Ata qe na ka fal Zoti Ne nuk mund ta leme ta shkatërrojnë njerëzit e pushtetit.

Te shkojmë tek çdo familje, tek çdo Tropojan për te votuar ne 14 Maj dhe për te fituar kundër varfërisë, shpopullimit dhe shkatërrimit te familjes dhe Shqipërisë.”- tha ai.

Ora 08:02
Albert Melyshi prezanton programin ne Rubik: Mirdita nuk mund te drejtohet nga një kryetar me kohe të pjesshme si Ndrec Dedaj

 

Rubiku ishte ndalesa e radhës e kandidatit të koalicionit Meta-Berisha për Bashkinë Mirditë Albert Mëlyshi. Teksa prezantoj programin para banoreve të Rubikut, Mëlyshi u shpreh se fokusi do të jetë tek ndalimi shpopullimit të Mirditës, fenomen i cili ka marrë përmasa të frikshme gjatë viteve të fundit, duke garantuar se bashkia pas 14-majit do t’ju rikthehet qytetareve.

“Këto ditë më shumë se kurrë, ndjej nevojën për ta ndryshuar pushtetin lokal. Për t’i dhënë freski pushtetin lokal dhe për ta rigjeneruar atë. Është pushteti më pranë qytetarëve.”- tha ndër të tjera ai. Rubriku e Mirëdita kërkon qeverisje të re”- tha ai.

Pjesë e këtij takimi ishte dhe ish-kreu i Partisë Socialiste në Rubik Pal Tushaj, i cili duke ju referuar kryebashkiakut aktual Ndrec Dedaj tha se kjo njesi vendore nuk mund të drejtohet nga një përson me kohë të pjesshme siç ka ndodhur këto 8 vite.Ndërsa një emigrant i cili u rikthye për të investuar në vendlindjen e tij tha se u pengua nga Bashkia Mirditë, e cila nuk maratoi lejen për ti hapur rrugë investimit që do ti jepte zhvillim dhe mundësi punësimi kësaj zone të varfer.

Pjesë e takimit elektoral të kandidatit të opozitës për Bashkinë Mirditë Albert Mëlyshi ishin dhjetra banor të Rubikut, duke dhënë garanci për një fitore të thellë në zgjedhjet vendore të 14-majit.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • pali: 01/05/2023 16:24

    votoni endri shabanin,ose arlind qorrin ,,,,,,mos vilotoni as per berishen,,as meten,,as ramen,,te tre keta jane xhaketa te vjetra...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?