‘Vendoret’/ Kandidatët për kryetarë bashkie prezantojnë programet! Ndreu: S’kam për të abuzuar kurrë me votën! Kodheli: Prioritet transporti falas i nxënësve

3 Maj 2023, 11:03| Përditesimi: 3 Maj 2023, 23:00

  • Share

Jemi 12 ditë larg zgjedhjeve vendore, kandidatët për kryebashkiakë kanë vijuar me takimet e tyre me banorët e qyteteve dhe zonave të ndryshme duke shpalosur programet e tyre në kuadër të fushatës elektorale.

Retorika politike deri më tani shihet e përqendruar mes liderëve të mazhorancës dhe opozitës të cilët në takimet që bëjnë me qytetarët kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Kandidati i PS-së për Shkodrën, Benet Beci në një takim me para dhe tetraplegjikët kërkoi votën e tyre duke përmirësuar përmirësim të kushteve të jetesës për këtë shtresë. 

Nga ana tjetër kandidati i koalicionit Meta-Berisha për bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia u shpreh se Rama dhe Beci kanë mashtruar qytetarët me rrugën Shëngjin-Velipojë, punimet e së cilës, sipas tij janë ndërprerë. 

Kandidati për Elbasanin Gledian Llatja zhvilloi një takim me vajza dhe gra të fshatit Papërr, duke kërkuar votën për një mandat të dytë.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Fierin, Edvar Kodheli ka prezantuar planin e tij 4-vjeçar, ku është ndalur në 2 prioritete kryesore.

Socialisti Pjerin Ndreu i cili kërkon një mandat të dytë në bashkinë e Lezhës, iu përgjigj ashpër kritikave të kundërshtarit të tij politik në këtë garë.

Kandidati opozitar për bashkinë Klos, Bedri Hoxha, akuzoi pushtetin lokal dhe qendror se po mundohen të manipulojnë zgjedhjet e 14 majit.

Juliana Mema e cila kërkon një mandat të tretë në bashkinë Dimal renditi punët e realizuara duke bërë premtime dhe për 4-vjeçarin e ardhshëm.

Nga ana tjetër kandidati demokrat në Dimal paralajmëroi pushime nga puna të personave që marrin pagë fiktive në bashki dhe abuzojnë me vendin e punës.

Albert Mëlyshi i dyshes Berisha-Meta gjatë takimit me komunitetin mirditor në Lezhë hodhi akuza ndaj pushtetit lokal aktual dhe qeverisë.

Përfaqësuesit e Nismës Thurje që kandidojnë për këshillin bashkiak të Tiranës, gjatë takimit në Kombinat u ndalën te rëndësia e ndryshimit të klasës politike.

Ora 19:03
Veliaj me fermerët në Kavajë: Ne i çojmë punët vetëm përpara me punë dhe mund, opozita i përdor njerëzit si ‘mish për top’

 

Drejtuesi politik i PS per qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pari sot një takim me fermerët në Kavajë. Veliaj tha se një fermer punon vetëm për të ecur përpara dhe jo mbrapa. 

“Po mendoja për sloganin tonë, teksa po binte shi, dhe thashë: Shyqyr zotit, gjithë ky bereqet, edhe për ne që merremi me Ujësjellësin, si une, Redi apo Edisoni, që duam të mbushen rezervuarët, por edhe për ata që kanë produkte. Ndërkohë, për ata që janë rritur në ish Bllok dhe kanë qenë me Partinë e Punës që në vakt, sigurisht që shiu i shkrin, se ata janë prej sheqeri. Ndaj edhe ata nuk bëjnë fushatë në ditë me shi, dhe nja dhjetë ditë nuk kemi për t’i parë se do jetë bereqet. Isha duke menduar për punën që bën një bujk: Keni parë traktor që e lëron tokën mbrapsht? Keni parë ndonjë që e përdor shatin mbrapsht? A keni parë njeri që e vjel frutin mbrapsht? Çdo proces, edhe proceset tona jetike, edhe mënyra si ecim, edhe mënyra si i japim zetorit, edhe mënyra si prashisim, edhe mënyra si vadisim, është vetëm duke ecur përpara”, tha Veliaj.

Ndërsa, ai shtoi se pala kundërshtare i sheh qytetet dhe njerëzit që jetojnë në to si “mish për top”, për t’i përdorur që të mbushin autobusët dhe t’i nxjerrin nëpër protesta. 

“E kam dëgjuar edhe palën tjetër që thotë po të na jepni bashkinë e Rrogozhinës dhe Kavajës, ne që ditën e  hënë do mbushin autobusët për të shkuar në Tiranë të rrëzojmë Fridën dhe Edi Ramën. Ku është logjika këtu? Çfarë do me thënë me e pas bashkinë si kontingjent për protesta ne Tiranë? Pse pa punë janë njerëzit? Këta mendojnë që janë akoma njerëzit në 92-93-in, që janë komplet pa punë dhe bëjnë xhiro me autobus për në Tiranë. Kryetari i bashkisë së Tiranës e ka ndjerë shumë këtë punë. Mbaronte një grup protestën dhe thoshte tani do protestojmë te këndi i lojërave kundër Lalit. Sot e kishte Rrogozhina, nesër do mbushin autobusët e Kavajës. Dhe vinin njerëzit e shkretë, se kryetarët e bashkive ishin vetëm për të mbushur autobusët dhe për t’i sjellë në Tiranë. Filluan punën te sheshi. Sot e kishte Shkodra. Nesër do vijnë ata të Kavajës. Ç’punë kanë ata te sheshi Skënderbej? Pse pak punë ka për të bërë në Kavajë? Pastaj filluan te Pazari i ri. Sot e ka Librazhdi, nesër e kanë ata të Kavajës. Gjithmonë, duke e parë Kavajën, duke i parë qytetet, si një mënyrë për të mbushur autobusët dhe për t’i çuar si mish për top”, u shpreh Veliaj.

Ora 17:48
Gjiknuri në Përrenjas: Elbasani nuk ka nevojë të bëjë eksperiment politik duke e çuar votën tek opozita

 

“Më 14 maj konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorë të zonës së Përrenjasit ku bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja prezantuan projektet për 4 vitet e ardhshme. 

Gjiknuri nënvizoi se fitorja e zgjedhjeve çimenton marrëdhënien bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë. “Në fakt në këtë komunikim për zgjedhjet e 14 Majit ne duhet të kemi të qarta mesazhet politike që duam të përçojmë. Më 14 Maj nuk është çështja vetëm Gledi, që patjetër është kryetari i bashkisë dhe e meriton të jetë kryetari i bashkisë, por mbi të gjitha ju konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan. Që një kryetar bashkie këtu të ecë përpara dhe të ketë mundësinë e ndryshimit të Elbasanit duhet patjetër të ketë nga mbrapa mbështetjen e qeverisë shqiptare. Ndërhyrjet nëpër lagje, ndërhyrje që bëhen nëpër shumë zona që kanë nevojë të formalizohen më shumë, vijnë si rezultat, sepse një pjesë të mirë të projekteve kryesore i mbulon qeveria shqiptare. Ne më 14 Maj duhet ta çimentojmë këtë marrëdhënie bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë”, tha ai. 

Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë që është përfaqësuesi i dyshes Berisha-Meta. Ai tha se kundërshtari nuk ka asnjë ofertë për qytetarët e Elbasanit dhe ka filluar të hapë thesin e mashtrimeve. “Nuk i duhet Elbasanit, por dhe kujtdo qyteti tjetër të madh, që të bëjë eksperiment politik duke e çuar votën tek opozita për ta kthyer Elbasanin në një lloj bunkeri politik. Për çfarë e do kundërshtari politik të fitojë Bashkinë e Elbasanit? Për të punësuar ca militantë dhe për të filluar luftën politike që e frymëzojnë ata nga Tirana. Pjesa më e madhe e qytetarëve duan që zhvillimi i nisur të ecë përpara. Kundërshtarin politik ju e njihni, ka qenë ish-kryetar i Partisë Demokratike për shumë vite, ka qenë pushtetar, ka pasur gjëra në dorë, ka bërë emërime, ka promovuar kuadro dhe e dini shumë mirë si i ka bërë në atë kohë, sesi qeverisej Elbasani në atë kohë. Ka konkurruar për kryetar bashkie, tashmë është i përzgjedhur i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Këta dy e kanë përzgjedhur. Ai mendon se do i gënjejë mendjen ndonjë qytetari. Kjo do të thotë se ai këtu ka thjesht një axhendë politike të atyre dy njerëzve. Vjen këtu dhe hap “thesin” e mashtrimit”, deklaroi Gjiknuri. 

Drejtuesi politik i qarkut u shpreh se Gledian Llatja ka të gjithë mbështetjen e PS për të vijuar me projektet dhe investimet. Ai theksoi se Elbasani ka shanse të mira për t’u transformuar në një qytet të rëndësishëm. “Elbasani është në qendër të Shqipërisë, ka një infrastrukturë përgjithësisht të mirë, ka një rrjet energjetik të mirë, ka një bazë të mirë për rritjen e prodhimit dhe veprimtarive prodhuese në Elbasan. Jo më kot sot në zonën e Elbasanit janë me dhjetëra e dhjetëra biznese që sot na bëjnë krenarë jo vetëm Elbasanin, por të gjithë Shqipërinë, sepse eksportojnë në të gjithë Europën. Është afër kryeqytetit, por më lirë sesa kryeqyteti. Është afër Portit të Durrësit, pra i gjithë ky pozicionim gjeografik i krijon mundësi shumë të mira”, tha Gjiknuri. 
Ai shtoi se në zgjedhjet vendore qytetarët do të kenë mundësi që të vlerësojnë edhe politikat e reja që kanë të bëjnë me rritjen e pagave. “Rritja e pagave për administratën shtetërore nuk është thjesht qëllimi në vetvete të rritjes së pagës në administratën shtetërore. Kjo është një mundësi për të rinjtë dhe të rejat tanë që mbarojnë shkollën, profesionistë të punësohen këtu, ta ndërtojnë të ardhmen këtu. Vitin tjetër ne e çojmë pagën mesatare 900 Euro është një e ardhur dinjitoze për shumë profesionistë në Shqipëri.  Për pensionistët për 6 muajt e fundit qeveria ka dhënë një paketë goxha të mirë të ndihmës. Rritja e fondit të pensioneve do të çojë dhe në rritjen e pensioneve. Prandaj them më 14 Maj edhe pensionistët duhet ta forcojnë këtë mesazh që fitorja e bashkisë është dhe mesazh për qeverinë e Edi Ramës, që të forcojë këto politika në dobi të njerëzve”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se punimet në infrastrukturë do të vijojnë në çdo cep të Bashkisë. “Kemi 4 vite që bashkë rrugëtojmë, me problemet, me zhvillimet infrastrukturore, por edhe me krijimin e një vizioni të qartë të zhvillimit dhe perspektivës së Elbasanit. Kur ishim para 4 vitesh potenciali më I madh që thoshim ishte Krasta, zhvillimi i Krastës. Ta ruanim ta mirëmbanim dhe ta zhvillonim përsa I përket natyrës dhe ecjes në natyrë. Ndërkohë që sot kemi avancuar me projektin tonë fillestar, me atë shëtitore buzë lumit Shkumbin që është një nga projektet më të bukura për Shqipërinë e mesme, një gjë fantastike buzë lumit Shkumbin. Po ecim me infrastrukturën rrugore, shumë shpejt fillon loti tjetër nga pas Krastës që del tek Frigoriferi, ndërkohë nga ana tjetër po bëhet lidhja me rrugën e re të varrezave ose zgjatimin e “Borodin Mitares” duke i dhënë lagjes “Emin Matraxhiu” një akses në qytet, për të vazhduar më pas e zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë lagjen”, tha ai. 

Llatja deklaroi se PS vjen në këto zgjedhje me punë konkrete, ndërsa shprehu bindjen se më 14 maj qytetarët do t’i thonë “Jo” regresit. “Ne po zhvillojmë të gjithë Elbasanin, po i japim një zhvillim qytetit tonë. Ne do vazhdomë punët, ata të tjerët të vazhdojnë llafet. Kanë një jetë që merren me llafe dhe s’kanë bërë asgjë për këtë qytet. Ne do vazhdojmë me punën dhe deri më 14 maj do shkojmë të gjithë bashkë tek kutitë e votimit për t’i thënë jo të shkuarës, jo regresit dhe të ecim të gjithë përpara në progresin që po e çojmë Elbasanin, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e infrastrukturës, në zhvillimin sportit, kulturës, artit e terreneve sportive, të infrastrukturave tona arsimore dhe zhvillimit tonë rural”, theksoi kryebashkiaku Llatja.

Deputeti Klevis Xhoxhi u shpreh se Gledian Llatja dhe PS janë alternativa e duhur për të ecur përpara me projektet për zhvillimin jo vetëm të zonës së Krastës, por dhe të gjithë qytetit. 
“Më 14 maj do të shkojmë të gjithë t’i themi po zhvillimit të qytetit, do shkojmë t’i themi po mirëqenies së qytetarëve, do t’i themi po Gledit, do t’i themi po PS-së. Tashmë e dimë të gjithë se Krasta do të bëhet shumë shpejt vendi më atraktiv I qytetit të Elbasanit dhe kjo falë investimit madhor të qeverisë shqiptare dhe të bashkisë Elbasan. Automotoparku, i cili do të sjellë zhvillim jo vetëm për zonën këtu ,por për të gjithë qytetin. Në duam të ecim vetëm përpara, do shkojmë vetëm përpara dhe më 14 maj ju ftoj të gjithëve të votojmë për PS, për Gledin”, u shpreh deputeti Xhoxhi.

Ora 16:01
Kandidon për mandatin e tretë në bashkinë e Dimalit, Memaj: Investimet e nisura do t'i përfundojmë vitin e ardhshëm

 

Kandidatja e PS për kreun e bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj ka zhvilluar takim me banorët e lagjes “Guri i Bardhë" të cilëve u ka kërkuar votat për një mandat të tretë në krye të kësaj bashkie.

Ajo tha se një prej sukseseve më të mëdha gjatë drejtimit të saj ka qenë furnizimi i banorëve të kësaj bashkie me ujë të pijshëm gjatë 24 orëve. Po ashtu përmendi investimet e bëra në sheshe dhe në institucionet arsimore, duke shtuar se me përfundimin e pjesës së dytë të unazës së qytezëz, do të ketë lëvizje më të lirshme të mjeteve, duke shmangur ndotjen dhe trafikun brenda qytetit.

"Bashkë do shkojmë akoma më përpara do ta bëjmë këtë lagje dinjitoze një lagje shumë të bukur së bashku me qendrën e qytetit. Ne këtu kemi arritur të kemi 24 orë ujë të pijshëm një nga sukseset më të mëdha të këtyre viteve, kemi bërë sheshe po përfundojmë rrugicat si dhe kemi patur problematika si ndotja e mjedisit . Problemin e ndotjes por kemi projekte për ta zgjidhur këtë problem. Çdo investim kemi bërë me investime të bashkisë në rrugë sheshe unazën apo kopshte. Me dashurinë që kemi për qytetit ne do të shmangim ndotjen duke kaluar mjetet në rrugë tjetër dhe mes të lagjes. Kjo falë investimit unazën që kemi në fazën parë. Me përundimin e pjesës së dytë të unazës mjetet do kalojnë përreth kodrave duke shmangur qytetin brenda do të bëjmë pyllëzimin e zonave të zhveshura. Investimet e nisura do ti mbyllim vitin që vjen”-u shpreh Mema mes të tjerash.

Ora 14:49
Premtimet e Zef Hilës për banorët në Bushat: Do merrem me rikualifikimin e bllokut të pallateve dhe infrastrukturën

 

Në një pritje entuziaste, kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Zef Hila ka vijuar turin e fushatës elektorale duke u ndalur në Bushat. Në këtë takim banorët i kanë garantuar mbështetjen maksimale në zgjedhjet e 14 Majit….

Gjatë fjalës së tij kandidati Hila ka falenderuar banorët për mbështetjen e tyre në vite ndërkohë që garantoi se program I tij për katër vitet e ardhshme garanton rikthimin e vëmendjes tek kjo njësi administrative siç është zona e Bushatit.

Rikualifikimi i bllokut të pallateve në qendër të Bushatit, infrastruktura rrugore e lagjeve, ndërtimi i një palestre për shkollën 9 vjeçare dhe të mesme në Bushat, dhe hapja e çerdhes dhe kopshtit publik me dreke ishin disa nga premtimet e kandidatit Hila në programin e drejtimit të bashkisë Vau Dejes.

Ora 14:46
Benet Beci takim me paraplegjikët dhe tetraplegjikët, premton se do të përmirësojë kushtet e tyre nëse i japin votën

 

Shoqata e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve priti në një takim kandidatin e PS për bashkinë Shkodër Benet Beci. Kreu i shoqatës së tetraplegjikëve Saimir Beqiri tregoi kushtet e vështira me të cilat përballet kjo shtresë…

Kandidati Beci në fjalën e tij premtoi një përmirësim të situatës së kësaj shtrese ndërsa kërkoi që qytetarët t’i besojnë votën…

Kandidati Beci do të vijojë takimet e tij me shtresa në nevojë për të prezantuar programin e tij katër vjeçar.

Ora 14:32
Kandidati i PS për Vaun e Dejes: Projekti i kanalit vaditës nga Pistulli në Pacram, gati për zbatim

 

Me banorët e Paçramit, kandidati i PS për Bashkinë Vau Dejës Kristian Shkreli bisedoi për investimet e kryera në këto 4 vite si dhe nevojën për të vijuar projektet e rëndësishme siç është ai i kanalit vaditës nga Pistulli në Paçram i cili është gati për zbatim! Ujësjellësi i ri nis brenda 3 muajsh.

Më pas banorët e Fshatit Pistull i u shprehën të bindur se vota e tyre në 14 maj do të jetë për Kristian Shkrelin! Nga ana e tij kandidati Shkreli tha se pas përfundimit të qëndres shëndetësore dhe ndricimit, radhën e ka rruga që lidh Pistullin me zona të tjera si dhe kanalet vaditëse

Përtej bindjeve politike banorët e këtyre zonave premtuan mbështetje masive per Kristian Shkrelin me 14 maj.

Ora 14:08
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Mirditë: Na mungojnë shërbime, infrastrukturë dhe inferemierë! Kryebashkiaku duhet të jetojë mes banorëve, jo të zhduket

1683115846_albertmelyshi.JPG

"Mirdita nuk mund të qeveriset nga Tirana me telefon siç ka ndodhur këto 8 vite." Kështu u shpreh Kandidati i Koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë Mirditë Albert Mëlyshi, gjatë një takimi që zhvilloi me komunitetin Mirditor që banojnë në Lezhë.Sipas Mëlyshit Mirdita ka njohur qeverisjen më të keqe përgjatë këtyre 8 viteve në pushtetin vendor dhe me leket e vjedhura po mundohen të blejnë qytetaret.

“Mirdita ka nevojë përtej të djathtës e të majtës, ka nevojë për mirditorë. Para se të vinin, mirditorët e kanë vetëqeveris vendin. Po të shohim mënyrën si është vetëqeveris po ta krahasosh me këta që janë sot, Mirdita më keq nuk ka qenë. Sot vazhdon të shpopullohet, mirditorët largohen. Të gjithë mirditorët të përpiqemi bashkarisht të kthejmë vëmendjen e ta bëjmë më të mirë për brezat që lëmë pas. Mirditorëve u duhet kryetari i bashkisë aty, të jetojë mes tyre, jo vetëm të vijë 1 herë në javë e të zhduket pa biseduar me askënd. Na mungojnë shërbime, infrastrukturë, infermierë”, tha Mëlyshi.

Duke ju referuar HEC-eve që janë miratuar për tu ndërtuar në Mirditë, Mëlyshi garantoi se do jetë krah banorëve për të mbrojtur pasuritë natyrore të kësaj zone.

Gjatë këtij takimi kandidati i opozitës për Bashkinë Mirditë, Albert Mëlyshi mori mbështetje maksimale nga komuniteti Mirditor që jeton në Lezhë, për të votuar masivisht në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ora 12:25
Kodheli: Prioritet transporti i fëmijëve, katastrofë që t'i lësh pa shkollë! Bashkitë nuk shfrytëzojnë as fondin për emergjencat civile

 

Kandidati i opozitës Evdar Kodheli, vijon turin e takimeve elektorale në të gjitha njësitë administrative të bashkisë  Fier. Në takimin e radhës ai është ndalur në Cerven nga ku ka prezantuar programin elektoral 2023-2027. Banorët shprehën indinjatën për mungesën e vëmendjes nga pushteti vendor i cili i ka lënë pa rrugë, pa qëndër shëndetësore dhe pa dëmshpërblim të përmbytjeve gjatē viteve 2015-2018.

Transporti falas për nxënësit e shkollave, pensionistët dhe shtresat në nevojë, si dhe mirëmenaxhimi i fondit prej 8% i buxhetit vjetor të bashkisë për emergjencat civile kanë qënë prioritetet kryesore të kandidatit Kodheli të prezantuara para banorëve.

“Kemi vënë re që shumë fëmijë, ata që kanë mbetur, nuk i ofrohet transporti publik. Katastrofë që të lesh fëmijën pa shkollë vetëm se nuk ka transport. Bashkitë e rilindjes nuk e kanë shfrytëzuar kurrë 8% të fondit për emergjencat civile, nuk e kanë zbatuar asnjëherë”, tha Kodheli.

dërkohë gjatë fjalës së tij drejtuesi politik i qarkut Luan Baci ka fajësuar qeverisjen lokale për braktisjen e zonave rurale teksa ka theksuar se Armando Subashi ka qenë kryebashkiaku i vetëm një grushti njerëzish.

Kodheli në fjalën e tij shtoi se nën drejtimin e bashkisë  , të gjitha njësitë administrative dhe lagjet e qytetit do të kenë të njëjtën vëmendje me premtimin se do të jetë në shërbim të çdo qytetari pa asnjë dalin dhe se investimet selektive do të jenë pjesë e së shkuarës.

Ora 11:12
Ndreu: Kam bërë më shumë punë për 4 vite se ata për 25 vite! Nuk abuzoj me votën e popullit

 

"Për katër vite kam bërë më shumë pune se ata që kanë marrë vota për 25 vite në këtë zonë". Kështu u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Lezhë Pjerin Ndreu gjatë takimi elektoral që zhvilloi me banoret e Tale1, Tale 2 dhe Grykë Lumi në Njesinë Administrative të Shënkollit. Ndreu garantoi vijimin e projekteve në këtë zonë pa potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe bujqësor.

“Askush nuk ka të drejtën morale nga forca tjetër politike që të vijë e të konstatojë se s’është bërë punë për 4 vjet por ata nuk e kanë bërë për 25 vjet. Rrugë kam bërë më shumë se sa kanë bërë ata që kanë marrë vota e punë më shumë. Nuk kam për të abuzuar kurrë me votën e popullit. Do ta përkthej në punë. Tala meriton më shumë”, tha Ndreu.

Kandidati Socialist Pjerin Ndreu ftoj banoret që të bëhen pjesë e zhvillimit, duke votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Do ndërtojmë sistem për të gjitha rrugët rurale që vijnë prej vijës së bregdetit. Ata nuk kanë asnjë mundësi, asnjë vizion”, tha Ndreu.

Gjatë këtij takimi elektoral banoret dhanë mbështetjen e tyre për Pjerin Ndreun, për të vijuar rrugëtimin e tij për një mandat të dytë në krye të Bashkisë Lezhë.

Ora 10:31
Një tjetër demokrat mbështet kandidatin e Berishës në Vau Dejes, Zekthi: Nuk ka të dytë, kemi vetëm Zef Hilën

Pas Gazment Bardhit, një tjetër drejtues i lartë i demokratëve të Alibeaj, është shfaqur në fushatë krah kandidatit të koalicionit Berisha-Meta në Vau Dejës, Zef Hila.

Fitim Zekthi anëtar i kryesisë së PD, ka marre pjesë në takimin e organizuar nga demokratet në Vau Dejës, duke deklaruar hapur se në Vau Dejës ka një kandidat dhe ai është Zef Hila.

Ai ka shpjeguar edhe mbledhjen e kryesisë së PD e cila votoi kundër garës me dy kandidat në Vau Dejës madje zbuloi edhe lëvizjen për dorëheqjet e kandidateve.

Kryertari i PD në Vau Dejës, Gentian Ndoj dhe drejtues të tjerë të PD në këtë zonë u shprehën se PD është e bashkuar dhe është në mbështetje të plotë të kandidatit Zef Hila.

“Nuk ka votuar njeri për kandidat të dytë. U vendos që për Kurbinin, Lezhën dhe Vaun e Dejes, të tre kandidatët të tërhiqen, nuk ka kandidat të dytë. PD në Vaun e Dejes ka 1 kandidat dhe ky është Zef Hila”, tha Zekthi.

PD në Vau Dejës, ka bërë publik prej kohësh qëndrimin e saj në mbështetje të kandidatit të koalicionit Berisha-Meta në zgjedhjet e 14 majit.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besnikun TAMUSHI: 03/05/2023 15:38

    O beim o beim o karri im

    Përgjigju
  • Mahatimua: 03/05/2023 15:22

    O të hongërt dreçi nê myth o Zekthi byth a kur u bo dhe Zekthi fytyr bytha e lopës PROFESOR mor ngelt hor pa u bo PROFESOR. Oi oi oi çe ka gjet ktë mit Shqipri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?