PRISHTINË - Ballkani ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës 'play-off' të Conference League, duke mposhtur të enjten Shamrock Rovers me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi dominoi takimin nga minuta e parë, duke krijuar disa raste të rrezikshme. Arbër Potoku provoi të zhbllokonte rezultatin në minutën e 15-të, por portieri mik ndërhyri në kohë. Tre minuta më pas, ishte radha e Sunday Adetunjit të rrezikonte, por sërish portieri irlandez reagoi me sukses.
Presioni i Ballkanit nuk u ndal as në pjesën e dytë. Në minutën e 54-t, Adetunji gjeti rrjetën me një lëvizje inteligjente në zonë, duke shënuar golin që në fund rezultoi vendimtar.
Pas golit, ekipi nga Kosova kërkoi edhe një të dytë. Almir Kryeziu dhe sërish Adetunji patën raste për të thelluar epërsinë, por portieri i Shamrock Rovers mbajti gjallë shpresat e skuadrës së tij për ndeshjen e kthimit.
Me këtë rezultat, Ballkani siguron një avantazh të rëndësishëm para sfidës së kthimit javën e ardhshme në Irlandë, ku do të kërkojë të mbyllë me sukses një tjetër kapitull evropian.
Komente
