Të afërmit të cilët prehen në varrezën e Fierit, familja Beltoja ka zgjedhur t'i vendosë në murale. Është e para e këtij lloji në Fier dhe vjen në kohën kur toka për varre të reja po ezaurohet çdo ditë.
Përgjegjësi i varrezës publike, Edmond Strati shprehet se në këtë murale mund të vendosen deri në 40 eshtra dhe shërben kryesisht për familjet apo fiset e mëdha. Më tej shpjegon se procesi i zhvarrimit dhe ndërtimi i murales kushton rreth 400 mijë lekë, kosto që paguhet nga familja.
"Projektet e muraleve janë nga më të ndryshmet të huazuara nga Italia e Greqia. Konkretisht është zbatuar një projekt që është magazinimi i eshtrave. Bëhet varrimi në tokë dhe pas disa vitesh merren dhe depozitohen në këto rafte."-thotë Strati.
Ai shprehet se praktika e muraleve duhet të aplikohet për të gjitha varret e vjetra, kur eshtrat kanë kaluar mbi 10 vitet nën tokë.
"Prej 16 vitesh që punoj këtu. U kam bërë thirrje familjeve fierake që kanë 30-40 varre këtu të bëjnë varrezë murale. Vit për vit blihet tokë nga 3 mijë deri në 4 mijë metra katrorë, këto janë shpenzime të taksapaguesve shqiptarë. Ndaj nëse mblidhen eshtrat në murale, varreza e Fierit mbetet siç është për disa vite pa pasur nevojë për parcela te reja."-shprehet Strati.
Referuar statistikave zyrtare në varrezën publike të Fierit me sipërfaqe 16 hektarë janë 90 mijë varre. Në kushtet kur hapësira po ezaurohet, Bashkia është në proces shpronësimi për 5 dynym tokë. Ndërsa ligji për muralet i miratuar 15 vite më parë gjen pak zbatim, jo vetëm në Fier por në mbarë vendin.