TIRANË - Partizani dhe AF Elbasani do kërkojnë një vend në "Final 4" e Superligës, pozicion që të lejon të garosh për titullin kampion. Të dielën në orën 15:30 dy skuadrat do përballen në "Arenën e Demave" për raundin e 36-të dhe të fundit në sezonin e rregullt të kampionatit.
Me 50 pikë secila, AF Elbasani mban pozitën e katërt dhe "Demat" ndodhen në pozitën e pestë. Për të komentuar këtë "finale" para medieve doli Skënder Gega. Trajneri i të kuqve ka besim te ekipi i tij, por thotë se ndihen të lodhur pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë kundër Egnatias, sfidë që zgjati 120 minuta në mesjavë.
"Përballja kundër AF Elbasanit? Është ndeshja e fundit, ndeshje e rëndësishme. Është një ndeshje që ka peshë të madhe sepse pikësynimet kanë qenë për të qenë lart edhe për “Final 4” për trofe. Duke u nisur nga ndeshja me Egnatian, mënyra se si shkoi loja ishte një ekstra lodhje për ne sepse luajtëm 120 minuta. Në këtë aspekt jemi pak të rënduar fizikisht, koha ka qenë e shkurtër. Jemi munduar të rikuperojmë , jemi besimplotë që do ia dalim.
Sa ka ndikuar humbja në Kupë sa i përket anës psikologjike? Unë besoj se Kupa është e ndarë nga objektivi kampionatit. Në aspektin e përgjithshëm besoj se bëmë të pamundurën. I kishim mundësitë për ta mbyllur lojën. Mendoj se jemi të fokusuar tek ndeshja e nesërme. Edhe në takimin ndaj Egnatias kemi menduar edhe te zëvendësimet t'i japim disa lojtarëve pushim. Kemi pasur ndonjë dëmtim të vogël, por këto ditë kemi menduar mos t'ju japim lojtarëve presion. Jemi optimist, nëse nuk je optimist në futboll është e pamundur. E respektojmë kundërshtarin, kanë pasur një ecuri të mirë, por jemi në fushën tonë, jemi me tifozët tanë. Shpresoj dhe kam besim të plotë që do ia dalim.
Situata me dëmtimet, keni mungesa? Kemi pasur mungesa, asnjëherë mungesat nuk janë justifikim. Patjetër kur në një grup me format të caktuar një po të mungojë fillojnë dhe krijohen dilemat. Koha ka qenë shumë e shkurtër, deri nesër do mundohemi të rikuperojmë sa më tepër. Sapo kemi përfunduar edhe seancën e fundit stërvitore. Mendoj se të gjithë janë të preokupuar, në mënyrë absolute nuk dua të vë në dyshim preokupimin ose dëshirën e lojtarëve.
Janë disa gjëra në futboll që jo çdo gjë shkon paralel. Është një grup lojtarësh që po mundohen dhe e ndjejnë përgjegjësinë por unë nuk dua t'i rëndoj në aspektin psikologjik. Duhet të distancohemi nga mediet dhe rrjetet sociale, nga komentet. Jam munduar të flas me secilin. Ata e kanë sjell deri këtu jo unë. Janë në vend të 4 me një golavarazh jo më të mirë se AF Elbasani, por i kanë të gjitha mundësitë.
Si e shihni AF Elbasanin si rival? Në kampionatin shqiptar duhen vlerësuar dhe respektuar të gjithë. Unë nuk jam ai natyrë që i nënvlerësoj, por edhe nuk flas për mënyrën e lojës apo diçka tjetër. Elbasani është me meritë këtu. Ka bërë një fazë të tretë ose të katërt të mirë, por ne jemi Partizani dhe do mundohemi që këtu të luajmë si në shtëpi. Kjo është e vërteta, por 90 minutave nuk i dihet", tha Skënder Gega.
Komente
