Ëndrra e Partizanit për të luajtur për herë të parë në grupet e një kompeticioni europian vazhdon. Kjo pasi të kuqtë kanë fituar edhe ndeshjen e kthimit kundër Valmiera-s, me rezultatin 1-0, duke kaluar në ‘play-of’ me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Në ‘Elbasan Arena’ kundër letonezëve vendimtar ishte sërish Tedi Cara, i cili realizoi me penallti në minutën e 21.
Me këtë sukses Partizani vendosi një rekord, pasi asnjë skuadër shqiptare më herët nuk kishte arritur 4 fitore rradhazi në Kupat e Europës.
“Nuk më kujtohet se kur kam qenë më i lodhur se pas kësaj ndeshje, por jam gjithashtu edhe shumë i lumtur. Kemi disa probleme me dëmtimet, lojtarët janë të lodhur dhe gjithashtu duhet të përmirësojmë pjesën taktike,”-u shpreh Zoran Zekic, trajner i Partizanit.
Gjithashtu me kalimin në ‘play-of-in’ e Conference League Partizani ka të sigurta rreth 1.9 milionë euro që nga nisja e aventurës këtë sezon në Europë. Tani kundërshtari i radhës është Astana e Kazakistanit dhe nëse Partizani shkon në grup fitimet do dyfishohen.
Sakaq Ballkani i Ilir Dajës duket i abonuar me ‘play-of-in’, pasi fitoi edhe ndeshjen e kthimit me rezultatin 1-3 kundër Lincoln Red, ndërsa tani pengesa e fundit për të shkuar në grupet e Conference League është Bate Borisov, skuadra bullgare që eliminoi në turin e parë të Champions League Partizanin.
Për herë të parë në histori, edhe skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut, Struga, do jenë në play-of të një kompeticioni europian. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro eliminoi me rezultatin e përgjithshëm 3-4 luksemburgasit e Hesparange. Tani në turin e katërt kundërshtarët do jenë islandezët e Breidablik.