Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar vendimin e Gjykatës së Lezhës, për lënien në burg të zjarrvënësit 41-vjeçar, i cili u bë shkak për djegien e 90 hektarëve pyje me pisha dhe bimësi.
“Gjykata e vlerësoi të ligjshëm dhe të mbështetur në prova arrestimin e zjarrvënësit të Laçit dhe kjo është një arsye për ta vlerësuar Prokurorinë për dokumentimin e dosjes penale dhe vendimin e përgjegjshëm të Gjykatës! Në pritje që 23 zjarrvënësit e arrestuar nga Policia e Shtetit këtë sezon veror të marrin dënimin e merituar për veprën e tyre kriminale, bëj apelin e përsëritur edhe nga Kryeministri Rama, që gjykatësit e këtyre çështjeve ta mbyllin përfundimisht me vendimet e tyre kapitullin e gjatë dhe të turpshëm për drejtësinë të mosndëshkimit të duhur të kësaj vepre penale për vite me radhë”, ka shkruar Balla.
Zjarri që ra pasditen e së hënës në malin mbi qytetin e Laçit është shuar plotësisht, por ka lënë pas dëme të konsiderueshme. Mbi 90 hektarë pyje me pisha dhe bimësi u shkrumbuan plotësisht, duke lënë pas vetëm hirin e kurorës së gjelbër të Laçit.
Kjo është hera e dy në harkun kohor të pak viteve që kurora e gjelbër mbi qytetin e Laçit përfshihet nga flaket e zjarrit, duke u zhveshur nga bimësia.