Deputetja e Partisë Demokratike, Ilda Dhori ka dorëzuar ditën e sotme një kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Tiranës kundër traut elektronik të vendosur në Divjakë.
Nëpërmjet një postimi në facebook, Dhori bëri me dije për dorëzimin e kërkesë-padisë dhe u shpreh e bindur se e drejta ishte me qytetarët.
“Pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Pare,Tiranë! Sapo dorëzova Kerkesepadine time, si përfaqësuese e Divjakës, mbi paligjshmërinë e traut elektronik, në hyrje te Parkut dhe Plazhit të Divjakës! Me bindjen e plote se e drejta eshte me qytetaret!”-shkruan deputetja në facebook.
Në protestën e 17 Nëntorit, qytetarë dhe përfaqësues të Rithemelimit organizuan një protestë ku shkulën traun elektronik të vendosur në hyrje të parkut dhe plazhit të Divjakës. Gjatë protestës pati përplasje mes banorëve dhe policisë, ndërsa ditën e nesërme u vunë nën hetim kreu i PD-së në Lushnjë Eduart Sharka dhe Julian Meco, Naun Gjini, Denis Prifti, Leonidha Gjini.
Pavarësisht se ministria e Turizmit sqaroi se bileta do të kushtojë 50 lekë dhe do të jetë vetëm për turistët dhe jo për banorët e zonës, deputeti socialist, Erion Braçe gjithashtu e konsideroi si një projekt të paligjshëm dhe të paarsyeshëm që sipas tij kufizonte të drejtën e qytetarëve për të aksesuar plazhin e Divjakës.