Opinioni i Komisionit të Venecias mesa duket po kthehet në një ‘mollë sherri’ mes mazhorancës dhe opozitës.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar sërish, kësaj here duke i kthyer një përgjigje kryeparlamentares Elisa Spiropali për qëndrimin e saj ndaj këtij opinioni.
Sipas Bardhit, Spiropali po dezinformon në një mbrojtje të paprecedentë sipas tij ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale.
'Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor', thotë Bardhi.
Lajmi kryesor:
Mandati i Xhaçkës, Komisioni i Venecias / Bushka: Vendimet e GJK, të zbatueshme por jo të diktojnë votën! Bardhi: Konfirmoi se mazhoranca bëri puç (DOKUMENTI)
G.K/ReportTv.al